Spartanët e Lashtë, Ushtritë Moderne dhe Homoseksualiteti

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2023

(…të dy shtetet shqiptare e lejuakan vetëm LGB-variantin (jo dhe dhe transgjinorët, as queer-istët) – personeli lezbiko-homoseksual, biseksual, transgjinor dhe “queer” (LGBTQ) lejohet të shërbejë në forcat e armatosura të disa vendeve…)

Platoni (në “Simpoziumin” e vet – përkth. nga Benjamin Jowett, 1939), ndër të tjera, pati shkruar dhe si vijon: “…nëse t’kishte një mënyrë për ta realizuar (nëse t’ishte e mundur), krijimi i një shteti a ushtrie do duhej t’ishte nga dashnorë (trima homoseksualë, burra që e duan njëri-tjetrin – shën. im), ata do t’ishin qeverisësit më të mirë të qyetetit (shtetit) të tyre; duke u përmbajtur nga çdo akt i pandershëm, duke iu përkushtuar njëri-tjetrit me nder dhe për nder; dhe derisa në luftë krah njëri-tjetrit, edhe nëse t’ishin një grusht i vogël burrash, do ngadhnjenin, do ta mundnin botën. Dashnori nuk do zgjidhte të shihej më tepër i denjë nga njerëzia, sesa nga vetë i dashuri i tij – për çfarë do e bënte këtë, duke e braktisur postin a qoftë duke e braktisur dashnorin? Më parë do t’ishte i gatshëm të vdiste njëmijë herë, sesa ta përjetonte këtë (turp, tradhti). Apo kush do ta braktiste të dashurin e vet, ose ta zhgënjente në orën e rrezikut?“.

***
Lexuesit eventual të shkrimit tonë padyshim i kujtohet filmi i Hollivudit me titullin “300” (si numër, vetëm kaq ishte titulli). Filmi në fjalë i takonte zhanrit epik-historik, ishte diç si ri-rrëfim i trilluar i Betejës së Termopileve (pjesë e Luftrave së dikurshme Greko-Persiane). Tema e filmit sillej, apo sillet rreth mbretit Leonida i cili i udhëheq 300 spartanë në betejë kundër Kserksit (mbret i Persisë, mbreti Kshajorsha). Mirëpo filmi jo patjetër përputhet me historinë, bazohet në një seri fletoresh vizatimore të v. 1998 (të komigrafisë amerikane – siç e quaj unë). Ishte diç si trillim, hiper-epikalizim i fantazisë, i menduar dmth. si argëtim kinematografik.

Për t’u përshtatur sadopak me stilin e fletoreve vizatimore, filmi qe ndikuar dukshëm me kroma-ngjyrat, me efekte të ndryshme e me lloj-lloj stisjesh teknike. Ashtu-kështu filmi duhej t’ishte aso dramatik, me plot aksion, me duele, djersë, gjak, dhunë, flijime epike. Pa le që 300 luftëtarët e Leonidasë ishin aso me zemrash luaneske, trima të spikatur, secili më trim se tjetri, zgjedhur nga ai vetë.

Le t’themi se kryetrimi Leonida i pati prirë një “mini-bataljoni” (një bataljon mund t’i ketë nga 300 deri 1000 ushtarë). Bataljoni i tij dmth. e kishte “minimumin” e ushtarëve, mirëpo përbëhej nga vetë “ajka” e trimërisë dhe zotëzisë luftarake. Nga 1000 kandidatë, Leonida sikur i pati veçuar 300 më të veçantit, 700 të tjerëve u mungonte ndonjë diç (për t’u zgjedhur dhe ata). Leonida dhe 300 të zgjedhurit e tij, në fakt do i kundërviheshin ushtrisë prej më shumë se 300.000 ushtarësh persianë. Dhe vetëm “përmasat” e kësaj ideje, 300 vs. 300.000, dhe vetëm kaq do duhej t’na linte gojëhapur, do duhej t’na mahniste.

Realisht, dmth. në kuadrin e historisë reale, duke e kuptuar kërcënimin e ushtrisë pushtuese që vinte andej nga Azia, atëbotë qeveria e Spartës do e niste mbretin Leonida me trimat e tij në Termopilet. Leonida dhe truproja 300-she (mini-bataljoni i tij) do mund të përshkruhej si manevrim “paratakues”, që sadopak t’i ndalej hovi pushtuesit derisa mobilizimi i plotë i grekëve të bëhej realitet.
Por shkuarja në Termopilet nuk pati qenë vetëm vendim i mbretit Leonida, meqë dhe polise tjera greke (qytet-shtete) do bashkoheshin me 300 burrat spartanë, dhe së bashku do ishin rreth 5000-6000 ushtarë grekë.

Nëse të fuqizohej një lloj “koncensusi historik” mes kronikave të lashta dhe versioneve siç thonë shkollarët modernë, do kishim se betejë-rezistenca greke në Termopilet ishte thjesht disfatë. Vetëm me betejat e mëvonshme (si ne stere, dhe aso detare) do arrihej që pushtimi persian të shtyhej.
Filmi “thotë” se tek pas rezistencës epike në Termopilet do vinte bashkimi i grekëve. Filmi aludon sikur jehona heroike, nami i 300 trimave do i senzibilizonte grekët dhe e gjithë Greqia do bëhej “një”. Por në fakt spartanët veç e kishin aleancën me poliset tjera kundër Persisë, nuk pati shkuar në Termopilet vetëm Leonida me bataljonin e “luanëve” (siç na e paraqet filmi, ose fletoret komigrafike pararendëse).

Memet e stilit “këtu i thonë Spartë” sikur do ishin të pashmangshme, frymëzuar nga filmi memet do ishin diç si “buuuum” internetik. Pezmi dhe stërkalat e mbretit Leonida tek e hedh në humnerë të dërguarin arrogant të Kserksit, zor t’i kenë “shpëtuar” kujt. Njësoj siç dhe në komigrafinë, edhe në film është skenë e veçantë, e stisur me qëllim, e stisur si dizajn për ta poshtëruar armikun sa më shumë. Fantazia s’ka kufizime, nëpër trillimet e argëtimit (qofshin filma, komigrafika, romane a çfarëdo) të tilla skena s’janë as të ndaluara as të “pakuptimta”. Në kontekstin e fantazisë gjithçka e ka “logjikën adekuate”, secila skenë-stisje do e ketë kuptimin e vet dhe i lidh ca nga pikat e tërësisë, përndryshe ndoshta as fantazia nuk funksionon.

Mirëpo të tilla trillime-fabrikime fiksionale sikur e shtrembërojnë, shpesh sikur e “fyejnë” historinë e vërtetë. Bie fjala, disa skena të filmit “300” i portretizojnë ushtarët e Persisë si krijesa demoniake, si demonë të imagjinatës… na shfaqen lloj-lloj trillimesh (si pjesë e ushtrisë persiane). Madje dhe vetë Kserksi, “Mbreti Zot” portretizohet si një “demon i feminizuar” (apo nëse feminizimi, demonizimi t’na jenë fjalë të mëdha, atëherë me tipare të qarta pederastie). Filmi i pati “frustruar” sidomos autoritetet iraniane, Akademia e Arteve të Iranit e pati quajtur “sulm mbi identitetin historik të Iranit”. Madje iranianët do i qaseshin me ankesë zyrtare dhe vetë UNESCO-s.

Derisa Hollivudi i demonizon persianët (si mos më keq… mozomokeq, vetë mbretin e tyre e paraqet si “pederast i demonizuar”), apo dhe në rregull, pse jo – siç e thamë fantazia fantazi. Nga ana tjetër, nëpër produktet e dizajnuara për rininë dhe fëmijët, sikur Hollivudi me këmbëngulje i shmang faktet e historisë realistike, ndonjëherë dhe detaje të “mëdha”. Sikur Hollivudit më tepër i pëlqen të merret me fantazira e me shtrembërime masive, sesa me detaje të thjeshta të vërtetësisë historike. Sikur Hollivudi me këmbëngulje është duke e ndjekur një lloj “agjende” të çuditshme.

Nëse 300 spartanët e Leonidasë na kishin “vese homoseksuale”, Hollivudit aq i bën, heshtje totale, as gëk as mëk, as që brengoset. Mirëpo demonizimi i persianëve, “homoseksualizimi” i mbretit të tyre me gjasë na është biznes mjaft argëtues : )
Edhe pse të gjithë shkollarët e botës e dinë faktin se Teba e Greqisë së lashtë, menjëherë pas Spartës, do e kishte “bataljonin” prej 150 çifteve homoseksuale (njësitin e parë homoseksual të historisë reale). Platoni, Ksenofoni dhe plot kokash të lashtësisë na thonë “pooo, ushtarët grekë ishin homoseksualë”, e megjithatë filmografia iraniane kurrë s’e “demonizoi” as Greqinë, as Spartën, dhe as Tebën.

Beteja në Termopilet pati ndodhur në v. 480 pes., jo 300 trima por 5000-6000 luanër grekë (së bashku me krye-luanin Leonida) qenë flijuar burrërisht. Rreth 1 shekull më vonë, në v. 378 do formohej njësiti ushtarak i quajtur “Banda e Shenjtë e Tebës”, e cila njësi do i kishte 300 ushtarë. Njësoj si ata të mbretit Leonida, edhe ky mini-bataljon ishte trupë ushtarake e zgjedhur – dallimi kësaj radhe ishte se përbëhej nga 150 çifte (meshkuj të dashuruar në njëri-tjetrin). Ishin diç si çifte zyrtare, ushtarë elitarë që do i jepnin fund vetë fuqisë së Spartës.

Kjo njësi ushtarake, si mini-bataljon prej 300 ushtarësh ishte pra forcë elitare e ushtrisë së Tebës, e cila ushtri në fakt do i jepte fund dominimit dhe fuqisë spartane. Historia thotë se “Lufta Boetiane” do shpërthente në v. 378 pes. (ishte rezultat i një revolte në Tebë kundër Spartës). Fuqia e Spartës do zbehej, mbizotërimi i Tebës do fillonte rreth v. 371 pes., anise pas ca dekadave fuqia dhe zotësia e Tebës do “zhvendosej” në duart e Filipit II të Maqedonisë. Ky me fitoren e vet në Betejën e Keronesë, në v. 338 pes. sikur gjithçka do ta “siguronte” për vete.

***
Sipas ligjeve civile dhe ushtarake, homoseksualiteti në shumicën e vendeve gjatë historisë nuk është toleruar. Në kohën tonë moderne, me ndryshimet e politikave bashkëkohore, disa shtete kanë ligje që lejojnë haptas shërbimin ushtarak LGBTQ, megjithatë homofobia dhe diskriminimi në këtë drejtim vazhdojnë. Holanda do ishte vendi i parë që do e lejonte personelin ushtarak transgjinor, që në v. 1974. Mund të thuhet se në përgjithësi, ushtritë e Evropës Perëndimore kanë tolerancë më të madhe drejt përfshirjes së individëve LGBT në ushtri.

Personeli lezbiko-homoseksual, biseksual, transgjinor dhe “queer” (LGBTQ) lejohet të shërbejë në forcat e armatosura të disa vendeve. Bazuar në të dhënat e mbledhura nga Qendra e Hagës për Studime Strategjike, 19 vende aktualisht i lejojnë transgjinorët të shërbejnë në ushtritë e tyre. Australia (2014), Austria (2014), Belgjika (2014), Bolivia, Brazili, Kanadaja (2014), Republika Çeke (2014), Danimarka (2014), Estonia (2014), Finlanda (2014), Franca (2014), Gjermania (2014), Izraeli (2014), Holanda (2014), Zelanda e Re, Norvegjia (2014), Spanja (2014), Suedia (2014) dhe Mbretëria e Bashkuar (2014). Pra jo të gjitha forcat e armatosura të botës kanë politika që lejojnë në mënyrë eksplicite personelin LGBT.

Pakëz sikur qesh çuditur që Rusia e ka të ndaluar LGBT-shërbimin – nuk qesh çuditur se dhe Turqia njësoj, apo dhe Irani, Afganistani etj. (Ku di, sikur nuk e prisja – s’e dija për Rusinë). Duke qenë i interesuar rreth disa fakteve të NATO-s, u interesova të di si qëndron puna me shërbimin në forcat e armatosura të Shqipërisë e të Kosovës. Të dy shtetet shqiptare e lejuakan vetëm LGB-variantin (jo dhe dhe transgjinorët, as queer-istët). Të njëjtën praktikë e “ndiqkan” dhe forcat e Maqedonisë Veriore, Bosnjes dhe H., Greqisë, Italisë, Hungarisë, e edhe ndonjë tjetër.
| – – – v i j o n – – –

[ ngjitur: aktori Gerard Butler (me pelerinën e kuqe, në rolin e mbretit Leonida), gjatë filmimit të “300”, mbase duke u konsultuar me regjisorin... ]