Sforcimi i “Dashurisë” (Rrëmbimet, Dhunimet Mitologjike)

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2023

[ ngjitur: Charles W. Mitchell (1854-1903) – Boreasi dhe Oreitia, 1893 / Evelyn De Morgan (1855-1919) – “Boreasi dhe Oreitia“, 1896 ]

Thonë dashuria s’blihet me para, as me flori, me asgjë – dashuria s’mund të imponohet, është supozuar dashuria të jetë “gratis”, do duhej t’ishte falas. Mirëpo në mitologji, nëse t’na ishe perëndi, apo eventualisht gjysmë-zot, hero, heroinë, mbretëreshë a mbret “ordiner”, për sa kohë e kishe njëfarë emri famoz, nëse t’kishe ndikim, fuqi hyjnore a mbretërore, sikur të “takonte” e drejta, sikur ia vlente përpjekja që ta “sforcoje” dhe dashurinë.

Me fjalë të tjera, sikur të takonte e drejta ta rrëmbeje ndokend, ta detyroje të bëhej gruaja, e dashura, i dashuri… detyrim që ta ndante jetën me ty. Apo qoftë dhe vetëm një dhunim-kënaqësi, një aventurë kënaqësie, një natë shtrat-ologjike të dhunshme (Zeusi shpesh ashtu ia bente).

Teseu thuase e pati kthyer në “profesion” rrëmbimin, sa e sa femrat i pati detyruar t’ia “falnin” dashurinë. Ose psh. Kefali qe rrëmbyer nga perëndesha “lunatike”, Selena. Se mos vetëm ajo apo ai, sa e sa të tjerë. Sa djelmoshat, sa e sa bukuroshër do rrëmbeheshin nga Eosi (perëndesha e agimit), sa djalosharët e hijshëm do dhunoheshin nga ajo, mitologjia thjesht s’e ka “idenë” (thuase qenë fshirë statistikat, ndoshta që nga vërshimi i madh).

Kur bëhej fjalë për dashurinë, Eosi ishte perëndeshë e rrezikshme, njihej anembanë për rrëmbimet e të rinjve të pashëm, perëndeshë e pangopshme me dashuri. Dhe, thuase ironia e vetë “ironisë”, pangopësia e saj për dashuri kishte t’bënte pikërisht me perëndeshën e Dashurisë.

Pangopësia e saj pati qenë diç si dënim, ishte “pasojë ndëshkuese” nga vetë Afërdita. Shih pra, vetë perëndesha e dashurisë i ndëshkon perëndeshat me dashuri, me pangopësi! Kjo e fundit, Afërdita desh pati plasur nga inati sepse Eosi ia pati “vjedhur” ëmbëlsinë e Aresit (perëndia i luftës). Eosi ia pati bërë pakëz me hile, e pati shijuar dashurinë Aresit, e ky ishte i dashuri i Afërditës. Nga ana tjetër, athua vallë si shpjegohet jobesnikëria e Aresit, imagjino… i dashur i vetë perëndeshës së Dashurisë, dhe e tradhton dashurinë, e tradhton vetë “Dashurinë”!

Pra s’ishin vetëm meshkujt që i rrëmbenin femrat, as nuk ishin vetëm meshkujt që i rrëmbenin meshkujt, s’e kishte vetëm Zeusi këtë ves. As jo vetëm meshkujt dinin të rrëmbenin – njësoj si meshkujt edhe femrat i rrëmbenin meshkujt.

***
Pakashumë njësoj siç Zeusi qe dashuruar në princeshën fenikase Europa (emrin e të cilës sot e mban kontinent-esha jonë e bukur, Europa), dhe e pati mashtruar, e pati manipuluar, e pati rrëmbyer, edhe Boreasi (perëndia i erës së veriut) qe detyruar ta rrëmbente princeshën Oreitia, sepse qe dashuruar fort, s’mund të rrinte pa të.

Fillimisht pati tentuar joshjen e saj me metodat e vërteta “valentineske”, por ajo s’ia “varte”. Perëndi ky… por ja që nuk i shitej, zor ta mashtronte – shkurt, i gjithë mundi valentinesk i pati vajtur kot.
Më në fund kur Boreasi e kuptoi që e kotë, vullneti i saj nuk lëkundej, vendosi ta rrëmbente me forcë. Ashtu-kështu dhuna e fuqia i kishin “hije” Erës së Veriut, ashtu-kështu zotave sikur u kishin hije mashtrimet e rrëmbimet.

Oreitia ishte një princeshë athinase, një ditë prej ditësh, derisa po lozte me shoqet diku pranë lumit, ky thjesht e pati mbështjellur në një re (thuase mbështjellje… në një qilim shtëllungaç) dhe e pati marrë me vete.
Mbase kjo metodë e rrëmbimit do ketë qenë më “efikase” sesa rrëmbimi i Europës nga Zeusi. Ky i fundit pati zgjedhur të shtirej si një dem i bardhë, padyshim nevojitej durim i madh, këmbëngultësi e jashtëzakonshme, derisa Europa të mashtrohej, derisa t’i “mbushej” mendja, derisa t’i besonte një demi.

Vetë Platoni (si shaka me mitin) e pati përmendur mundësinë e një shpjegimi racional për historinë e saj. Sipas Platonit, pas një stuhie, pas një ere të fortë nga veriu, Oreitia mund t’ketë rrëshqitur, hëpërhë mund ta ketë humbur jetën duke rënë në shkëmbinjtë buzë lumit. Dhe kështu tragjedia e saj pastaj do jetë kthyer në mit, gjoja na qenkesh “rrëmbyer nga Boreasi”.

Sipas Herodotit, Oreitia do bëhej perëndeshë e erërave të ftohta malore. Madje gjatë luftrave greko-persiane, meqë Oreitia tashmë perëndeshë, grekët do i luteshin asaj dhe Boreasit për ndihmë, që me motin e lig, me erërat e forta t’i shkatërronin anijet e Persisë. Ashtu dhe pati ndodhur, një numër i madh i anijeve të armikut qenë shkatërruar thjesht me “ndihmën” e motit të keq.

Pra Oreitia qe rrëmbyer, s’ishte as e para si princeshë fatkeqe dhe as e fundit. Pse duhet pajtuar ne tani me opinionet e Platonit (s’është nevoja t’ia prishim “hijeshinë” mitit). Dhe nëse zotat, heronjtë, mbretërit… të rrëmbejnë, nëse ndodhë, nëse s’ke kah ia mban, herët o më vonë duhej të pajtoheshe me fatin. Siç thamë, herë rrëmbenin ata, herë ato – herë rrëmbenin perënditë, herë perëndeshat, herë rrëmbenin heronjtë e herë heroinat.
Jo gjithmonë por ndonjëherë ndodhte që të rrëmbyerit binin në dashuri me rrëmbyesit. Sidoqoftë, rrëmbimet e dhunimet kurrë s’kanë qenë të justifikueshme dhe vështirë se do jenë ndonjëherë. Zakonisht kushdo që rrëmbehej sikur tërhiqej drejt një drame jetësore, drejt një tragjedie të padëshiruar.

Madje të rrëmbyerve shpesh u ndodhnin gjëra të ndryshme “aksidentale”, herë mund t’ishin aksidente të gjuetisë, herë pësonin “metamorfoza” (ndryshime metamorfogonike nga më të çuditshmet, viktimat shndërroheshin madje dhe në insekte). Herë do pasonin traumat e vetëvrasjet, herë simptomat post-traumatike do e bënin jetën të vështirë, herë do bëheshin shkaktarë për fillimin e luftërave katastrofale (psh. Helenës së Spartës pikërisht kjo i pati ndodhur) etj etj.

Por ndodhte dhe pajtoheshin me fatin, s’ishte diç e pamundur. Psh. me fatin e imponuar nga Zeusi qe “pajtuar” dhe Europa. Me fatin e imponuar nga Hadesi qe pajtuar pakashumë e rrëmbyera perëndeshë Persefona. Kjo e ngrata qe dhunuar nga vete xhaxhai i vet, nga Hadesi, qe deturuar të bëhej gruaja e tij. E madje ca mito-versione thonë se Persefona qe dhunuar dhe nga Zeusi, nga babai i vet.

Qe “pajtuar” me fatin dhe Oreitia, do i sillte në jetë katër fëmijë me rrëmbyesin e vet, me Boreasin. Çifti do i kishte dy vajza (quheshin Kiona dhe Kleopatra) dhe dy djem (binjakë, Kalesi dhe Zetesi). Djemtë e Boreasit nga mitologjia do njiheshin si “Boreadët”, edhe këta do kishin flatra (njësoj si babai i tyre) dhe kur të rriteshin, do bashkoheshin me Argonautët.

[ ngjitur: mjekërmëdhenjtë Zeusi, Poseidoni, Hadesi, gjoja vëllazëria e mërrolur e Olimpit – imazhe të AI, përzgjedhje “imagjinare” e imagjinatës së AI nga unë vetë : ) ]

Nëse të thoshim se Zeusi ishte dhunuesi më i pandreqshëm, rrëmbyes-dhunuesi më i madh i Olimpit, s’do ishte aspak e pasaktë. Nga krye-zoti qenë dhunuar panumër figura të mitologjisë. Thjesht s’dinte të ndalur, rrëmbente, dhunonte, manipulonte, i përdorte të gjitha maskat e mundshme, s’pati lënë truk hyjnor pa përdorur. Ishte aq i zoti për rrëmbime e për dhunime, kahdo që rrotullohej e dhunonte ndokend, s’i kursente as femrat as meshkujt.

Bie fjala e pati rrëmbyer bukuroshin Ganimed, jo bash për pikë të qejfit por sepse bukuria djaloshare e tij e pati tunduar dhe vetë Zeusin, bukuria e Ganimedit e pati trullosur dhe vetë Krye-zotin. Hm, vetë zot, vetë krye-zot, e prapë sikur s’dinte ta qeveriste as vetë marrëzinë e vet. Kuptohet, ia bënte sipas qejfit, s’i jepte kujt “llogari” as për padrejtësinë, as për drejtësinë, për asgjë… e as për pederastinë.

Në rregull, askujt tjetër – por ndoshta perëndeshës Hera mbase i trembej pakëz, gruas së vet. Asaj aty-këtu mbase duhej ndonjë raport, sepse nëse asgjë tjetër Hera dinte t’bëhej fort xheloze. Por vallë si t’mos bëhej xheloze, kur aferat dhe marrëzitë e tij thjesht s’kishin fund.

Hera madje ishte vetë motra e tij – Zeusi e pati dhunuar vetë motrën e vet, më pastaj Hera do bëhej dhe gruaja e tij. Jo vetëm motrën Hera, e pati dhunuar dhe motrën tjetër Demetra (i pati dhunuar të dyja – nga 3 motrat do i dhunonte 2 nga to, do i dhunonte të trija… por thjesht s’pati qenë e shkruar – motrat e Zeusit ishin Demetra, Hestia, dhe Hera, ndërsa vëllezërit ishin Hadesi dhe Poseidoni).

Zeusi qe martuar me motrën Hera – nuk qe martuar dhe me motrën Demetra, sepse ashtu sikur do “dhunohej” dhe vetë arsyeja. Ashtu sikur dhe vetë mitologjia do ngulfatej nga “nonsensi”. Dmth. Demetra ishte motra tjetër e dhunuar nga ai vetë. Si rezultat i këtij dhunimi, si rezultat i incestit hyjnor do vinte në jetë Persefona.

Pra dhe një herë, Demetra qe dhunuar nga vëllai Zeusi, përveç tij edhe Poseidoni e ndiqte për ta dhunuar motrën e vet. E ngrata Demetra pati shpëtuar (për ca kohë) vetëm duke u maskuar, duke i ndryshuar format. Por kot, sepse Poseidoni e pati kuptuar, do e zinte dhe do ta dhunonte.

Derisa Persefonës nëna i dhunohet nga dy vëllezër-xhaxhallarët, nga Zeusi dhe Poseidoni, Persefona vetë do dhunohej nga babai Zeusi + nga xhaxhai tjetër, Hadesi. Ky i fundit do e rrëmbente dhe do e merrte me vete në Hades (Persefona do bëhej gruaja e Hadesit – ‘Hadesi’, perandoria e nëntokës ishte emërtim eponimik, sipas emrit të Hadesit).

Dhunimi i të ngratës Persefona ndoshta më së miri e kapërthen “intrigën” e kompleksitetit politik hyjnor. Intrigë hyjnore e ndërthurur me elemente të spontanitetit, me vullnet-dëshirat e perëndive dhe me dredhitë konceptuale të tyre. Gjithsesi kjo do ishte temë tjetër, dhe sikur s’e “duron” këtë gjuhë-stilin e shkrimit tonë, sikur do nevojitej sadopak njëfarëlloj serioziteti scribo-akademik : )

Fare shkurt mbase ia vlen të përmendet se rrëmbimi i saj ishte marrëveshje politike e Zeusit me vëllain Hadesin, pabesisht dhe tinëz, pa e ditur as Persefona (si vajzë e tij) as nëna Demetra (motra të dyve, e Zeusit dhe e Hadesit). Dhimbja e nënës ishte e madhe, Demetra do bridhte gjithandej në kërkim të së bijës.

Mirëpo Persefona qe zhdukur, thjesht e pati “kullufitur” toka, as shenjë as gjurmë. Më në fund Demetra mëson për fatin e vajzës nga perëndesha Hekata. Pasi e kupton se ç’pati bërë Zeusi, Demetra heq dorë nga pallati në Olimp, provon të rrijë sa më larg tij.

E vetmja nga motrat që do i “shpëtonte” dhunimit vëllazëror në Olimp, e vetmja që do ngelej madje perëndeshë e virgjër, ishte Hestia. As vetë perëndesha e dashurisë Afërdita “s’kishte fuqi, ndikim” mbi virgjëreshën Hestia (thuhet në “Himnin Homerik të Afërditës”). Bukuria e perëndeshës Hestia ishte evidente, qenë dashuruar edhe Poseidoni edhe Apolloni, por kot.

Sidomos Poseidoni, pati bërë çmos Poseidoni që ta mashtronte motrën e vet. Të njëjtën pati provuar dhe Apolloni (djali i vëllait, djali i Zeusit) por Hestia ua tregoi “bërrylin” të dyve. Jo vetëm “kundërshtim” i guximshëm, jo vetëm “stop” dhunimit e incestit, por do betohej para Zeusit se do ngelej e virgjër përgjithmonë, se nuk do t’martohej kurrë.

Se përse duhej betim para Zeusit, s’e kemi idenë dhe aq, s’e dimë mirëfilli saktësinë. E qartë se Zeusi ishte Krye-zot, mirëpo thuase na qenkësh i “pafajshëm”, thuase na ishte i “shenjtë”, thuase ky s’do ta dhunonte vetë. Siç e pamë nga shembujt më lart, ky do e dhunonte madje para Poseidonit e para Apollonit. Apo ndoshta ishte diç si ultimatum serioz, kërcënim ultimativ që ky ta linte rehat, tutje dhe përgjithmonë.

Pra në njëfarë mënyre, nëse të krahasohej me pafatësinë e motrave Hera dhe Demetra, duhet thënë “bravooo, i lumtë perëndeshës Hestia”, e pati ruajtur virgjërinë, i qe shmangur denjësisht marrëzisë së vëllazërisë olimpike, incesteve hyjnore, dhunimeve : )

[ ngjitur: aktorja Diane Kruger si “Helena e Trojës”, në filmin e Hollivudit “Troja“, 2004 ]

Nga përrallat epike-iliadeske të xha Homerit e dimë se Parisi do e merrte Helenën e Spartës me vete në Trojë. Dhe ky akt do e shkaktonte luftën, sepse ishte prekur nderi i Greqisë. Akti i Parisit dmth. ishte rrëmbim, nuk ishte “dhunim”, Helena me dëshirë qe rrëmbyer, vetë pati ikur. Ajo me dëshirë ia pati falur Parisit me buzë e me gjithçka, sepse qe dashuruar dhe vetë.

Sepse vetë perëndesha Afërdita e pati “detyruar” të dashurohej, ishte premtim-dhuratë, perëndesha ia pati dhënë fjalën Parisit që Helena do dashurohej në të. Pasi ky pati “gjykuar” në favor të Afërditës, Parisi pati “gjykuar” se Afërdita ishte më e bukura. Sipas Afërditës “gjykimi” i tij ishte gjykim i drejtë, sipas Parisit perëndesha e Dashurisë na ishte Miss-Universe, më e bukura nga gjithë perëndeshat.

Dhe kështu, Helena do ikte dhe do trazohej e gjithë Greqia, e pashmangshme tragjedia. Do hidhëroheshin e do mobilizoheshin gjithë trimat, do niseshin për në Trojë e do hakmerreshin për poshtërimin, lufta do vazhdonte me vite e vite, pa mëshire do vrisnin trojanë, do i likvidonin me pleq, gra e fëmijë, do i shfarosnin. Do ta digjnin e shkatërronin dhe vetë Trojën, do i shembnin dhe vetë muranat e shembura.

Mirëpo rrëmbimi i Helenës nga Parisi nuk ishte rrëmbimi i parë i saj. Helena qe rrëmbyer dhe më parë (nëse + e dhunuar, këtë detaj s’e dimë, urojmë “jo”, meqë do na dhimbsej, atëbotë ende ishte e mitur). Po ashtu, dhe vetë nëna e Helenës qe rrëmbyer dikur – pra tani dhe Helena… rrëmbim pas rrëmbimi.

Nëna e Helenës ishte Leda, qe rrëmbyer + dhunuar nga Zeusi. Ky do e merrte pamje-formën e mjellmës dhe do bëhej dhunuesi i Ledasë, dmth. do bëhej babai i Helenës. Disa mito-versione thonë jo Leda, por Nemesis na ishte nëna e Helenës, e dhunuar nga Zeusi. Mitologjia (sidomos ajo greke) shpesh thuase vuan nga një lloj “bipolariteti” i çuditshëm, duhet kujdes me furkat, s’duhet tjerrur tepër holl – me akëcilin version, e qartë se fjala është për rrëmbime e dhunime.

Para se Parisi ta rrëmbente dhe t’ikte në Trojë, Helena qe rrëmbyer nga Teseu dhe Piritosi. E prapë, jo vetëm Helenën, Teseu rrëmbimet thuase i pati bërë “biznes”. Psh. e pati rrëmbyer dhe Antiopën, vetë motrën e mbretëreshës së amazonave, të asaj mbretëreshës së famshme Hipolita. Ndërsa dihet, amazonat ishin të rrezikshme, të martoheshe me ndonjë burrë për amazonat në fakt ishte mëkat i madh, diç e papranueshme. Kështu që Antiopa si “tradhtare” qe vrarë nga vetë amazonat (paçka se nuk ishte tradhti, s’është se qe rrëmbyer me vullnetin e asaj vetë – për fat të keq sikur as fatkeqësia nuk i falej, aq strikte ishin amazonat).

Sidoqoftë, le t’i kthehemi Teseut dhe Helenës, meqë ia filluam me Helenën, sikur pakëz më bukur ilustrohet tema jonë. Teseu dhe Piritosi, këta dy trima qenë bërë bashkë, diç si duo-shokë, si “dyshe dinamike” për rrëmbimin e bukurosheve. Dmth. i bie se i patën bashkuar forcat si kompani, qenë bërë “aleatë, bashkëpunëtorë” për rrëmbimet.

Në një moment, mbase duke i analizuar planet dhe strategjikat e rrëmbimeve, ia patën vënë grepin vetë idesë së Helenës. Saora qenë akorduar ta rrëmbenin princeshën e mitur të Spartës. Dmth. para se Helena të martohej me mbretin e ardhshëm të Spartës, para se Helena të bëhej mbretëreshë, para se Helena (si grua legjitime e mbretit të Spartës) të bëhej tradhtare, para se t’niste aferë dashurie me Parisin, para se të rrëmbehej nga ai Parisi i Trojës së xha Homerit.

Rrëmbimi i parë i Helenës ishte diç si rrëmbim “lokal”, qe rrëmbyer nga Sparta dhe dërguar në Athinë. Për fat të mirë, s’do vononte dhe Helena do shpëtohej nga vëllezërit e saj, nga Polideusi e Kastori. Madje, si hakmarrje dhe si mllef, vëllezërit do revanshoheshin me rrëmbimin e nënës së Teseut, dhe të motrës së Piritosit.

Teseu e pati rrëmbyer Helenën dhe do e linte në Athinë, duke menduar “punë e kryer”. E pati rrëmbyer nusen e vet dhe plani në kokën e tij ishte që sapo të kthehej nga aksioni i radhës, të dashuroheshin dhe të martoheshin. Pas rrëmbimit të saj me sukses, plani tutje për dy trimat na ishte ta rrëmbenin vetë Persefonën.
Plani origjinal pati qenë që Persefona të bëhej gruaja e Piritosit, ndërsa Helena gruaja e Teseut. Po, pikërisht ajo Persefona e Hadesit, të cilën e pati rrëmbyer vetë ai, Hadesi, sundimtari i botës së të vdekurve.

Mirëpo puna e rrëmbimit të Persefonës s’u pati vajtur dhe aq mbarë. S’ishte e lehtë të shtyheshe me Hadesin, tjetër ta rrëmbesh një princeshë, apo dhe një amazonë, mirëpo ec e shtyju me perënditë. Me gjasë, Hadesi duke i ditur planet e tyre (spiunët e Hadesit do kenë qenë super-spiunë, diç si James-Bonda të paparë) do i zinte dhe do i lidhte jo me tërkuzë as në pranga, por me diç si gjarpërinj të gjallë. Do i linte burrat diku në bodrumet e errëta të nëntokës, ashtu lidhur me serpent-llahtarinë.

Qëllimi i Hadesit s’pati qenë vetëm sa t’i frikësonte, s’pati menduar t’i lironte as pas ca muajsh as pas ca vitesh, e kishte me gjithë mend, do ngeleshin të burgosur përjetësisht. Sidoqoftë në skenë më vonë do inkuadrohej Heraklesi, ky do ta shpëtonte disi Teseun. Për fat të keq jo dhe Piritosin. Qe bërë e pamundur, pati hequr dorë, pati dështuar Heraklesi. I qe kundërvënë vetë Hadesi me gjithë inatin e vet, patën filluar tërmetet, lëkundjet, dridhjet e nëntokës… mos pyet.

| – – – v i j o n – – –