Politika… diç si vazhdimësi ciklike “noctem-diem”!

(s. guraziu – ars poetica, n 23 – koment)

[ ngjitur: rekord-isti i politikës, apo rekorderi Mark Rutte, me “jetëgjatësinë” kryeministrale tani e mban rekordin në historinë politike të Holandës ]

Aristoteli, apo dikush tjetër (kam harruar cili ishte, dikush nga ata klasikët) pati thënë pakashumë:
“mund t’kesh dëshirë të rrish sa më larg politikës, por politika gjithmonë e gjenë rrugën dhe të afrohet”. Me gjuhën e së sotmes kjo rishtas do “përshtatej” pakashumë si vijon: mund t’mos jesh i interesuar në politikën, s’ka gjë, mos u brengos, politika është e interesuar në ty : )

Thashë përshtatje me “të sotmen” sepse në kohën e Aristotelit ishte ndryshe, koha e tij s’ishte e “korruptuar”… siç është e tashmja – koha jonë mos pyet. S’e mohon kush se dhe atëherë kishte thashetheme politike, kishte përqeshje, përtallje, sharje, shkitje, lajthitje, ironi, komente sarkazmike, sentimente, zhgënjime, vërejtje antipatike, kishte bla, bla, bla në “agorat” (njësoj siç sot debatet në TV), kishte mospajtime, e edhe zënka nëpër sheshet, why not… por s’kishte çmenduri mediatike siç e kemi sot.

Thjesht ishin me fat, krahasuar me ne sot, ata ishin “rehat”. Në kohën tonë infotainmenti dhe infodemia mediatike janë sëmundje-brengat moderne, sikur pikërisht këto janë krijuesit e peizazhit stereotipik politik. Janë të ashtuquajturat “media sociale” (të llojit Facebook) platforma që jo vetëm mund t’i manipulojnë njerëzit dhe opinionet e tyre (siç e pamë me skandalet a la “analitica” të britanikëve para disa viteve), por madje haptas përdoren si “vegla” enkas për arritjen e qëllimeve politike. Njësoj siç përdorej dhe TV deri dje…

Ashtu-kështu të gjitha TV-stacionet e botës, të gjitha gazetat, gjithë mediatikët tani i kemi grumbull në Internet. Në Facebook, në Twitter e këso… pikëtakohen të gjitha “interesat” politike të botës. Secili punëtor mediatik i kësaj bote, secili gazetar, secili redaktor, secili TV-kameraman i planetit ka llogari në Fb apo në diç të ngjashme. Atëherë vallë kush mund të “shtyhet” me Facebook (thjesht si shembull, është vetëm 1-ra nga platformat), Fb i ka rrënjët tepër thellë, jo vetëm në Internet por ndoshta deri atje thellë në “nëntokën e Darknet”.

***
Në Holandë, dje i patëm zgjedhjet – rezultatet e zgjedhjeve “mozomokeq”. Është e çuditshme, nga njëra anë sikur nuk u çudita aspak me rezultatin, sikur e dija, sikur e “ndieja”… nga ana tjetër dhe u çudita. Në mënyrën time sikur po thosha vallë kah je nisur moj Lulandi, ti bukuroshja e Evropës së bukur! E ke me gjithë mend, megjithatë dhe ti “Brutus…” do m’tradhtosh dhe mua, apolitikun!

Ndoshta sepse e dua Holandën tepër shumë sa për t’mos u brengosur asfare. Për arsye të rrethanave, po bëhen 3-4 dekada (i bie pothuaj tërë jetën) kam ndenjur larg politikës. Apolitizmi im (sipas meje) nuk ishte ndonjë “ikje eskapist-ike” a ku di unë çfarë. Ishte diç si gjykim i drejtë jetësor, zgjedhje e ngopur me arsyen, ishte dhe ende është vendim totalisht i justifikuar : )

Sepse përderisa një “gur i rrokullisur… larg vendit të vet”, akoma isha unë ai që e “jetoja” jetën time. Do duhej të vendosja unë për jetën time modeste – unë vetë me “kokën” time, qoftë bosh a qoftë plot, jo ndokush tjetër dhe as e jashtmja me tekat e veta. Ashtu-kështu katrahurat e politikave ballkanike desh ma patën “nxirë” jetën, pa asnjë pikë faji. Tani aq më bën (si persiatje pra, dikur) le t’mendojnë njerëzia se ndihem “jo inteligjent” me mosinteresin në politikat.

Mos u bëj një “dele” mediatike, as “rude” as çubardhake, mos i lejo të ta nxirosin jetën me stresin – nëse i lejon, jo vetëm të qethin por dhe të rjepin. Anise i kuptoj dhe “viktimat”, më dhimbsen kokë-bombulat e tendosura të politikës. E marr me mend tundimin, mediat e së sotmës janë burim i jashtëzakonshëm i stresit politik.
Mbrëmë thjesht sikur u pikëllova për zhgënjimin e klasës intelektuale të Holandës, do ishte e pavërtetë nëse të shkruaja tani se gjoja “nuk ndjeva keqardhje” për rezultatet e së djeshmes.

Vetë s’jam nga ata që mund të “klasifikohen” si viktimë e mediave (ma merr mendja). Sepse, siç thashë ka 3-4 dekada as që i përcjell (pëveç vijave të “trasha”). Gjithandej nëpër botë, zgjedhjet dhe kampanjat politike janë “dizajn”, janë definuar dhe përcaktuar ngjyrat, flamujtë, partitë, ideologjitë… por kaq, të tjerat ngelin abstraksione. Politikanët i tundin flamujtë, e tërheqin vëmendjen me klishetë, me retorikat, me gjeneralizimet. Sepse e dinë që nëse thonë ndonjë gjë “konkrete dhe serioze”, mund t’i humbasin votat : )

Dhe gjithashtu dihet, kampanjat dhe zgjedhjet s’janë “politikë”, i gjithë sistemi komplet, boshti, vërtitja, ingranazhi si “aparatus” dhe e gjithë agora mediatike, janë vetëm “fasada” e asaj mega-ngrehinës politike. Politikat janë diç si vazhdimësi, si kontinuitet ciklik “noctem-diem”, nata është diç si perde teatrale. Gjatë natës politika është e “padukshme”… afërmendsh, derisa kur rrezet e para të agsholit ia nisin me ngrohjen, me buzëqeshjet mëngjesore.