Euro-krenaria, muzikaliteti, dhe kostoja e festivalit “Eurovision”

S. Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2023

1 – Kostoja e pjesëmarrjes në Eurovision – Krenaria dhe Financat

Siç është bërë e ditur tashmë, Shqipëria do merr pjesë në festivalin “Eurovision 2024”. Sa i kushton Shqipërisë pjesëmarrja në Eurovision nuk dihet saktësisht – sepse të dhënat e sakta nuk bëhen publike. Jo vetëm Shqipëria i “maskon” të dhënat, por aq transparentë s’janë askush nga shtetet e Evropës. Mbase (jo)transparenca ka t’bëjë me shkencat e ndërlikuara të “llogaritjes”. Meqë përkundër kompjuterave të fuqishëm që i ka e sotmja, shpesh financat dhe auditimet vështirësohen e bëhen “rocket science”. Ec e dije, s’duhet spekuluar, në këtë drejtim s’e kemi idenë sepse dhe s’na duhej aq : )

Mirëpo dihet se shpenzimet për pjesëmarrjen janë të larta, dhe prore duke u rritur për arsye të tenisoneve në “teatrin politik” evropian të kohëve të fundit. Bie fjala Rumania nuk do merr pjesë në Eurovision 2024. Dhe siç dihet Rumania nuk është shtet i “vogël” (as si Luksemburgu, por psh. as si Mali i Zi), Rumania i ka rreth 19 milionë banorë, kështu që tarifa e pjesëmarrjes së Rumanisë në Eurovision s’do duhej të ishte “problematike”.

Dihet gjithashtu se Rumania qe përjashtuar nga Eurovision 2016 për shkak të borxhit të papaguar ndaj EBU (Unionit të Transmetuesve të Evropës – dmth. borxh ndaj organizatorit-mbikqyrësit gjeneral të Eurovision). Shenjë e “keqe” kjo, s’ka si t’jetë shenjë e mirë.
Po ashtu, siç dihet për shkak të rritjes së kostove të pjesëmarrjes në Eurovision, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria qenë tërhequr nga pjesëmarrja në festivalin Eurovision 2023, duke thënë se nuk kishin mundësi t’i paguanin tarifat e larta të regjistrimit.

Sipas britanikëve, RTV-ja e Maqedonisë Veriore, përmes një deklarate të tyre, sa i përket mospjesëmarrjes në Eurovision 2023 qenë justifikuar si vijon: “vendimi i tillë është në interesin më të mirë të qytetarëve, duke patur parasysh shpenzimet e shtuara për shkak të krizës energjitike… si dhe rritjen e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrje”.

Ndërsa justifikimi i transmetuesit publik malazez (RTCG) ishte si vijon: “përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe – ne u përballëm dhe me mungesën e interesit nga sponsorët, andaj (në vend të pjesëmarrjes në Eurovision) vendosëm t’i drejtojmë burimet ekzistuese për financimin e projekteve kombëtare të planifikuara”.

Për fat të mirë Shqipëria nuk ka probleme në këtë drejtim. Financat e Shqipërisë sa i përket Eurovision-it janë stabile dhe stoike. Për të qenë e mundur mbajtja dhe mbarëvajtja e festivalit Eurovison, shtetet konkurruese si “biletë” për pjesëmarrje e paguajnë një shumë të caktuar. Kjo pagesë është diç si një lloj tarife e regjistrimit, duhet të paguhet secilin vit. Jo të gjitha shtetet paguajnë njësoj, sidoqoftë si buxhet i përbashkët në kasën buxhetore të “EBU” mblidhen rreth 5-6 milionë €.

Përveç kësaj tarife regjistruese në kontestin e Eurovision, secili vend pjesëmarrës duhet t’i mbulojë shpenzimet për performancën dhe pjesëmarrjen sa më të denjë në festival. Shpenzimet e pjesëmarrjes përfshijnë gjithçka, madje dhe pagesat për makiazhin e bukurosheve, sikur dhe shpenzimet e zbukurimit skenik, psh. sa e sa dritat duhet fikur-ndezur, sa e sa avujt duhet mbështjellur… varësisht nga dizajni dhe nga idetë që ideatorëve u mbushet mendja t’i përdorin.

Sa shpenzon secili vend për pjesëmarrjen në Eurovision, siç e cekëm infot 100% të plota nuk bëhen publike. Por bie fjala (sipas “Eurovision Fun”) Spanja i pati shpenzuar 680.000 € për pjesëmarrjen në v. 2022. Rreth 302.000 € qenë paguar për tarifën e pjesëmarrjes, ndërsa 380.000 € ishin shpenzimet për pagesat rreth performancës skenike dhe të akomodimit të stafit. Ose psh. në v. 2016 Holanda i pati shpenzuar gjysmë milioni (~500.000 €) për ta dërguar “këngën” e vet konkurruese në Stokholm, e cila këngë do përfundonte e 11-ta.

Mirëpo, siç dihet për arsye të luftës ose të agresionit ndaj Ukrainës, Rusia qe përjashtuar nga Eurovision-i. Si rrjedhojë tarifa për pjesëmarrje në Eurovision është rritur. Normale që Rusia paguante bie fjala më shumë se Mali i Zi, apo më shumë se Shqipëria. Kontributi i konsiderueshëm buxhetor për kasën e “EBU” (dhe që tani mungon, i Rusisë), e ka krijuar një “vrimë” a boshëllëk në kasën e organizimit të Eurovision, duke çuar në rritjen e tarifave për shtetet pjesëmarrëse.

E megjithatë, nuk është vetëm përjashtimi i Rusisë problemi, “përjashtimi i Rusisë” sikur është i lidhur me të gjithë faktorët e tjerë. Për shkak të luftës në Ukrainë, ndër të tjera është shkaktuar dhe rritja e çmimeve të energjisë. Nga shtrenjëtimi energjitik vjen dhe rritja e kostos së jetesës, rritja e kostos së shërbimeve, rritja e akomodimit në hotelet, rritja e kostos rreth transportit. Shkurt, shtrenjëtimi i energjisë sikur automatikisht është faktor i rritjes së kostos së gjithçkaje.

Sipas rregullores, 5 vendet e ashtuquajtura “Big-5” (5-shja e Madhe – Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar) parakualifikohen automatikisht për Finalen. Sepse për pjesëmarrjen në Eurovision “5-shja e Madhe” paguajnë më shumë. Finalja e Eurovison 2024 do i ketë 26 vende garuese. Krahas 5-shës së parakualifikuar dhe + nikoqirit, pritësit të festivalit (kësaj radhe Suedia), vendet e tjera caktohen nga dy gjysmëfinalet (secila gjysmëfinale do t’i caktojë nga 10 vende garuese, dmth. 10 + 10 + 1 (Suedia) + 5 (5-shja e Madhe) = 26). Shorti kontestues do të shpallet në Janar 2024.

Pra meqë “5-shja e Madhe” paguajnë më shumë, kjo është arsyeja pse vendet e 5-shes sa i përket kualifikimit për finalen e Eurovision s’kanë pse “mërziten” – 5 të privilegjuarit kalojnë automatikisht në finale secilin vit. Ky “privilegj” i plasimit pa kontest në finale, gjoja si “kompromis” për koston, e qartë se automatikisht është faktor kompromentues për festivalin. Si biz-kompromis në natyrën e vet, akoma pa ia nisur garës, akoma pa i dëgjuar këngët, sikur e “korrupton” validitetin e vlerësimit artistik (apo të votave).

Ndërsa as shpenzimet e vendit mikpritës të festivalit të radhës nuk janë të njëjta për të gjitha vendet. Pasi kostoja e organizmit të Eurovision varet nga disa faktorë të ndryshëm. Si psh. nëse vendi pritës e ka infrastrukturën e duhur, apo tek duhet të investojë për t’i ndërtuar objektet që nevojiten.

Tarifat vjetore për pjesëmarrjen (të mbledhura nga “EBU”) i jepen vendit pritës për ta ndihmuar financimin e festivalit. Mirëpo “EBU” i mbledh rreth 5-6 milionë €, pjesa tjetër e buxhetit të festivalit duhet të mbulohet nga vetë nikoqiri i radhës. Kështu që s’ka kufizime, varet nga faktorët e ndryshëm dhe nga “krenaria”. Sa janë të gatshëm të shpenzojnë nikoqirët e festivalit askush s’e di, përveç atyre vet.

Thuhet se shpenzimet e Britanisë së Madhe për Eurovision 2023 ishin rreth 11.3 milionë €. Por kjo shifër pati qenë diç si “lehtësim”, britanikët sikur patën qenë me fat, meqë na qenkësh parallogaritur se kostoja totale mund t’shkonte deri 18 milionë €. Një vit më parë, Eurovison 2022 në Torino, sipas Eurovoix i pati kushtuar Italisë gjithsej 16.3 milionë €.

Rekordi i shpenzimit më të madh për nikoqirllëkun e Eurovision aktualisht i takon Azerbajxhanit. Meqë infrastruktura ose objektet ekzistuese nuk ishin adekuate, për Eurovision 2012 Azerbajxhani u desh ta ndërtonte një arenë fringo të re. Thuhet se Azerbajxhani i pati shpenzuar 60 milionë €, pra shumë astronomike kjo, e cila shumë nëse të “balansohej” tani me inflacionin aktual vlerësohet se do ishte rreth 89 milionë €.

“Rekordi” i 2-të për shtrenjtësinë e pritjes së Eurovision i takon Danimarkës në v. 2014, danezët i patën shpenzuar 44.8 milionë €. Ndërsa “rekordi” i 3-të i takon Ukrainës në v. 2017, pasi këta i patën shpenzuar 37 milionë €.

2 – Rezultatet Eurovizionale – Krenaria dhe Paragjykimi

Pas fitores së Suedisë në Eurovision 2023 (me këngën “Tattoo”, nga Loreen), sipas rregullores edicioni i radhës i Eurovision do t’mbahet në Malmo, Suedi. Festivali Eurovision 2024 do përbëhet nga dy gjysmëfinale, më 7 dhe 9 Maj 2024, si dhe nga finalja më 11 Maj 2024. Siç është bërë e ditur tashmë, Shqipëria do t’konkurrojë në festivalin “Eurovision 2024”.

Përzgjedhja e këngës për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2024 do ndodhë në Festivalin e Këngës #62, i cili do mbahet nga 19 deri 22 Dhjetor 2023, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë. Pra duke filluar sonte (19 Dhjetor), Festivali i Këngës #62 do i ketë 4 mbrëmje festive, mbrëmjet 1, 2, 3 dhe mbrëmjen 4, që shërben si Finalja e Festivalit.

Deri tani Shqipëria ka marrë pjesë 19 herë në Eurovision, s’ka fituar kurrë… asnjëherë, rezultati më i mirë ishte vendi i 5-të në v. 2012. Siç e pamë, për v. 2023 me këngën “Duje” u fituan 76 pikë, dhe Shqipërisë do i takonte vendi 22. Mirëpo 19 vite “tentative” të Shqipërisë, s’kanë si “krahasohen” bie fjala me 49 vitet e Portugalisë që u desh të kalonin për ta arritur fitoren e parë të tyre në v. 2017.

Imagjino, për gjysmë shekulli portugezët i mbajtën endrrat e fitores gjallë, nuk u dekurajuan, nuk u lëkundën dhe as nuk u trembën.
Ose psh. Holanda i ka 40 vite duke parë ëndrra për fitoren. Ia dolën 5 fitore, si ia dolën aq saktë dhe s’e dimë… sepse na mungon njohja e historisë. Mirëpo ia dolën kur ia dolën, në kohën e parahistorisë eurovizionale.

Tani thuase koha u ka stopuar në vend, thuase u ka ngecur ora e historisë, ngelën 40 vite duke e lutur perëndeshën e festivalit (padyshim do jetë “Euro-Victoria”, ose ngjashëm). Çudia vetë si nuk ia dedikuan perëndeshës së Eurovision një monument madhështor, një aso monumenti grandioz si vetë Statuja e Lirisë!

Sikur çuditem pakëz, sepse e di që holandezët kurrë nuk ia lënë fitoren rastësisë. S’ka ndodhur ndonjëherë. Bie fjala në garat e futbollit, qoftë UEFA apo garat e Eredivisionit, o impenjohen me gjithë talentin, angazhohen me 100% të kapacitetit, dhe nëse fitojnë, fitoren absolutisht e meritojnë – o fare nuk fitojnë.

Andaj duke i patur parasysh 49 vitet e shpresës së Portugalisë, 39 vitet e Qiprosë, 40 vitet e Lulandisë etj., teza jonë insiston që rezultatet eurovizionale duhet rrahur fillimisht nga ana pozitiviste. Sepse kur është në pyetje euro-krenaria dhe muzikaliteti i Evropës, në radhë të parë rëndësi ka vetë pjesëmarrja, e tek pastaj eventualisht dhe fitorja apo rezultatet.

E sidomos kur dihet se jo vetëm fitoret janë “sukses”. Në njëfarë mënyre sukses është dhe mosngelja “në fund” të fundit (në listën e votave të festivalit). Sa i përket “fundit” më së keqi i kanë punët psh. Finlanda, Norvegjia, Gjermania, Austria, Belgjika, Zvicra etj. Të gjitha këto vende ishin nga 10 herë, ose sëpaku nga 8 herë në “fund” të fundit.

Si kontrast (dallimisht i madh, jashtëzakonisht i madh) Shqipëria kurrë s’ka ngelur e “fundit”. Dhe po ashtu kurrë s’ka ndodhur të ngelet pa pikë, ruana zot… kurrë për asnjë kurrënjëherë, s’ka ndodhur t’i ketë 0 pikë. Vetvetiu këso statistikash sikur flasin për atë anën pozitiviste të suksesit eurovizional.

Ose psh. 19 vite prezencë të Shqipërisë në Eurovision s’mund të “krahasohen” me 30 vite mungesë të Luksemburgut. Pas 30 viteve të “gjumësisë” Luksemburgu është zgjuar dhe ka vendosur t’i rikthehet festivalit. Imagjino, 30 vite askund dhe tani do jenë dhe këta në Eurovision 2024. Rumania, ajo krenaroshja e madhe si anëtare e EU, s’do merr pjesë sepse s’ka mundësi. Ndërsa Shqipëria s’është ende anëtare e EU, aq i bënë… Rumania thjesht s’ka si shtyhet me Shqipërinë. Ose psh. Luksemburgu si gjumash mjaft e ka “rrudhur dorën” e koprracërisë, mjaft ka kursyer me mospjesëmarrje, tani koha e zgjimit dhe duhet t’i qaset Eurokrenarisë.

Me gjasë, duke parë se dhe Suedia fitoi 7 herë (njësoj si Irlanda), Luksemburgut i doli gjumi dhe për inat ka vendosur “zënien” e këtyre dy vendeve prijatare. Meqë sa i përket numrit të fitoreve afër ishin dhe këta. Duket i “vockël” Luksemburgu por gjatë historisë ka fituar 5 herë.
Nëse krahasohet koeficient-talenti i vendeve “gjigante” të Evropës, thjesht nuk vlen krahasimi. Bie fjala Gjermania si rekordiste me 66 pjesëmarrje në Eurovision, i ka vetëm 2 fitore. Gjithë ata këngëtarë, më së shumti pjesëmarrje në Eurovision… për 66 vjet me radhë dhe vetëm 2 fitore. Me miliona e miliona talente të Gjermanisë dhe kot, ndërsa ai mini-Luksemburgu 5 fitore.

Anise, ç’është e drejta, askush nga 5 këngëtarët-fitues të Luksemburgut nuk ishin “bash” nga Luksemburgu. Në rregull, konsiderohet “fitore” por në fakt ishin 4 francezë dhe 1 grek – patën fituar gjoja në “emër” të Luksemburgut. I bie që, nëse fituesi t’na ishte kinez, apo eskimez me banim në Luksemburg, edhe kjo “fitore” do i takonte Luksemburgut : )

3 – Festivali i Këngës #62 – Përzgjedhja shqiptare për “Eurovision 2024”

Përzgjedhja e këngës për ta përfaqësuar Shqipërinë në “Eurovision 2024” ndodhë me Festivalin e Këngës #62, i cili do të mbahet nga 19 deri 22 Dhjetor 2023, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë. Festivali i Këngës #62 përbëhet nga mbrëmjet 1, 2, 3 dhe mbrëmja 4 – Finalja. Drejtuesit-nikoqirët e festivalit do jenë Adriana Matoshi, Kledi Kadiu, Xhuliano Dule, Krisa Çaushi.

[ Mbrëmja 1 – 19 Dhjetor 2023 – Gjatë mbrëmjes 1 të Festivalit prezantohen 16 këngë]

1 Stivi Ushe – Askush si ty
2 Besa Kokëdhima – Zemrën n’dorë
3 Mal Retkoceri – Çmendur
4 Eldis Arrnjeti – Një kujtim
5 Shpat Deda – S’mund t’fitoj pa ty
6 Jehona Ponari – Evol
7 PeterPan Quartet – Edhe nje here
8 Festina Mejzini – Melos
9 Kastro Zizo – 2073
10 Luan Durmishi – Përsëritja
11 Melodajn Mancaku – Nuk jemi ne
12 Olsi Ballta – Unë
13 Andi Tanko – Herë pas here
14 – Sergio Hajdini – Uragan
15 Santino De Bartolo – Dua të rri me ty
16 Olimpia Smajlaj – Asaj

[ Mbrëmja 2 – 20 Dhjetor 2023 – Gjatë mbrëmjes 2 të Festivalit prezantohen 15 këngë ]

1 Big Basta & Vesa Luma – Mbinatyrale
2 Elsa Lila – Mars
3 Jasmina Hako – Ti
4 Michela Paluca – Për veten
5 Anduel Kovaci – Nan’
6 Irma Lepori – Me prit
7 Eden Baja – Ajër
8 Erina and The Elementals – Jetën n’Skaj
9 Kleansa Susaj – Pikturë
10 Arsi Bako – Zgjohu
11 Tiri Gjoci – Në ëndërr
12 Besa Krasniqi – Esenciale
13 Bledi Kaso – Çdo gjë mbaroi
14 Troy Band – Horizonti i ëndrrave
15 Martina Serreqi – Vetëm ty

[ Mbrëmja 3 – 21 Dhjetor 2023 ] – Mbrëmja Nostalgjike

[ Mbrëmja 4 – 22 Dhjetor 2023 ] – Finalja e Festivalit

– – –
Referencat:
– eurovisionworld
– mirror.uk
– EBU
– eurovision-tv