S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018 (Koment)
Natyrisht, vetveten e shohim sipas “prizmit” tonë, sipas mendjes sonë, veten e gjykojmë sipas standardeve të vetëgjykimit dhe si krijesa shoqërore e “paraqesim” veten për të tjerët. Facebook psh. e shfrytëzon pikërisht këtë “aspekt” të psikologjisë së njeriut (njeriu sikur definohet nga ego-t, nga alter-ego-t, e sidomos “beta-individët” : ) Dihet se “beta-t” jetojnë më shumë për botën sesa ekskluzivisht për vete, jetojnë për t’u “dukur”, ego-ja e tyre ka nevojë për doza sistematike të ekspozimit, të tillë s’mund të rrinë pa i “treguar botës” se kanë blerë rroba firmato, se tani kanë këtë makinë apo këtë luksozitet në shtëpi, se kanë ndenjur në këtë kafene, se kanë vajtur për pushime në Katmandu a në Ibiza, se kanë qenë në piknik… e të ngjashme.
Pa të tillë individë rrjetet sociale si Facebook e të ngjashme s’do t’ishin kurrë çfarë ato janë, s’do kishin shans për sukses. Pra Facebook na ndihmon t’ia prezantojmë botës imazhin dhe identitetin tonë, dhe duke qenë një socio-platformë “regjistruese” (psh. i ruan fotot, bëmat, shkrimet, komentet, aktet, ndëraktivitetin me rrethin e miqësisë, eventet, ëndrrat… gjithçka), mund të shërbejë dhe si një lloj “kohëlinje” e cila do e shpaloste si i japim formë apo e formësojmë, si e përshtasim veten tonë për t’i përmbushur, për t’i prekur, për t’i arritur standardet dhe parapritjet e rrezes shoqërore.
Kështusoj, duke e përcjellur vetveten, duke e “parë” veten, mund t’i shohim pasaktësitë që dalin përmes “syve” të të tjerëve, dhe me kohën adaptohemi ndaj ego-s, ndaj vetes “formale”, bëhemi më të shkathët në prezantimin e manipuluar të vetvetes (për rrjetin social, por dhe për neve vetë), sepse na bën të ndjehemi më “të sigurt” (qoftë dhe si falsitet), sepse e ndihmon stabilitetin e vetëbesimit tonë.
***
“S’jam ai që unë vetë mendoj se jam. S’jam ai që ti mendon se unë jam. Jam ai që unë mendoj se ti mendon se unë jam” – Charles Horton Cooley (1864-1929)
…sikur pakëz e “koklavitur” për ta kuptuar drejt dhe lehtë, por thënie aq briliante, pothuaj sikur e “pabesueshme” se si Ch. H. Cooley që në shek. XIX e dinte të vërtetën, për të cilën temë tani 2 shekuj pas tij dhe s’jam i sigurt nëse di mjaftushëm, sëpaku të dija sa për vete : )
Si vijon, është diç si rrumbullakësim i diçkaje që ishte punim-tezë për “Master of Fine Arts” (MFA), Utah State University, 2013, nga Richard Landvatter – autori ia fillonte duke e përdorur thënien më lart të Charles Cooley, shkrimi i tij kishte t’bënte me vetë-menaxhimin e manifestimit (të neve vetë) për ta formësuar “identitetin” tonë në mediat sociale (si psh Fb, Twitter etj). Mënyra se si do të duket “prezantimi” ynë në Internet mund t’jetë mjaft e frikshme, – ishte shprehur Landvatter – duke shkaktuar atë që njihet si “ankthi i paraqitjes”. Ky ankth na nxit të kujdesemi për “influencimin e paraqitjes”, gjë që mund të rezultojë në shtrembërim, në profil fals, të gënjeshtërt të asaj çfarë realisht jemi.

Photo (cropped): UM Library – University of Michigan – Charles H. Cooley family
