Baudelaire i Metropolis-Parisit, “Babai” i Modernizmit!

Édouard Manet (1832-1883) - Portret i Charles Baudelaire (bazuar në foton e Nadar), 1868 - Metropolitan Museum of Art, dhe djathtas, portret i Dr. Jeanne Willette, historiane dhe kritik arti

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018

Me modernizëm nëkuptoj përkohshmërinë, kalueshmërinë, rastësinë (shansin) që përbëjnë gjysmën e artit, gjysma tjetër duke qenë e përjetshme dhe e pandryshueshme“.
Ch. Baudelaire (1821-1867) – “Le peintre de la vie Moderne” (Piktori i Jetës Moderne), 1863

Poetit, siç e njohim më shumë, por në këtë rast kritikut Baudelaire i takojnë meritat e plota, prandaj dhe kreditohet si autori i modernizmit, si babai i modernitetit, si farkëtari i termit “modernizëm” (modernitet). Këso meritash të rralla i pati “fituar” duke dashur ta përshkruante ose dhe “përcaktonte” përvojën e shkurtër e kalimtare të jetës në një kryeqendër urbane siç ishte Parisi, si dhe po ashtu përgjegjësinë e shprehjes artistike rreth kapjes së asaj përvoje.
Parisin e kohës së Baudelaire, W. Benjamin e pati quajtur “Kryeqyteti i shekullit XIX”. Shoqëria franceze, urbanizmi parisien, ndodhej nën kthetrat e industrializimit, nën presionin e një tranzicioni të bujshëm.

Autorja amerikane Dr. J. Willette, në kapitullin “Baudelaire and Modernity”, 2010, pakashumë është shprehur “Çdo epokë ka nevojë për vëzhguesin dhe për interpretuesin e vet. Për ta ngritur kulturën mbi përshkrimin e thjeshtë, ky vëzhgues-interpretues duhet të jetë diç si “kryqëzim” (hibridizim) i çuditshëm midis një poeti dhe një gazetari” – dhe sipas Willette, Baudelaire ishte i “përzgjedhuri” ideal i historisë, sipas saj historia ia kishte “rezervuar” këtë mision pikërisht atij.

Jo vetëm Willette, madje ndoshta kështu mendonte dhe vetë Sartri, paçka se ai (siç e ka cekur dhe autorja në fjalë), e pati “kritikuar” poetin Baudelaire për shkak të “hesapeve kontradiktore”.
Afërmendsh, një poet i cili dëmton shëndetin e vet, që e përdor drogën dhe vartësohet nga narkotikët, që ndoshta dhe filopornist, konformist i prostitucionit (që s’ia bën “gëk” pas vizitat tek prostitutat), një sifilisxhi, gjithmonë në ikje si “borxhli i keq”, duke jetuar i zhytur në borxhe etj etj. ndërsa në tjetrën anë duke marrë pjesë në jetën intelektuale-artistike të Parisit, të atij metropolit të urban-industrializuar… e qartë se kishte shumë kontradikta në jetën dhe në punën e Baudelaire, s’kishte faj as Sartri as askush. Meqë ra fjala, edhe si historiane e artit edhe si kritikologe, J. Willette e ka quajtur kritikun Baudelaire “kritiku sifilisxhiu…” 🙂

Në “Piktori i Jetës Moderne“, 1863, Baudelaire shkruan:
“Kishte një formë moderne për secilin piktor të së kaluarës; shumica e portreteve të bukura që na kanë mbetur nga kohët e lashta, janë të veshura me rroba të kohës së tyre. Ato janë vepra të përkryera harmonike sepse veshja, stili i flokëve, madje dhe gjesti, shprehja e buzëqeshja (secila epokë e ka karrocën, shprehjen dhe buzëqeshjen e vet) formojnë një tërësi plot vitalitet. Ju s’keni të drejtë ta përbuzni këtë element të përkohshëm kalimtar, metamorfozat e të cilit janë aq të shpeshta, e as të heqni dorë nga ai. Nëse e bëni, në mënyrë të pashmangshme bini në zbraztësinë e një bukurie abstrakte dhe të papërcaktuar, si ajo e një gruaje të vetmuar në prag të Vjeshtës… / në mënyrë që cilado formë e modernizmit të jetë e denjë për t’u bërë antikitet, bukuria misterioze të cilën jeta njerëzore joqëllimisht e fut në të (në modernizëm), duhet të jetë ekstrakt i vetë modernizmit” – [ nga “Le peintre de la vie Moderne” (Piktori i Jetës Moderne), 1863 (vers. anglisht, University of Pensylvania) – përgatiti S. Guraziu ]

Édouard Manet (1832-1883) - Portret i Charles Baudelaire (bazuar në foton e Nadar), 1868 - Metropolitan Museum of Art, dhe djathtas, portret i Dr. Jeanne Willette, historiane dhe kritik arti

Édouard Manet (1832-1883) – Portret i Charles Baudelaire (bazuar në foton e Nadar), 1868 – Metropolitan Museum of Art, dhe djathtas, portret i Dr. Jeanne Willette, historiane dhe kritik arti