Gjilpërat më të vjetra prej guri (qenkan zbuluar në Tibet)

(s. guraziu – ars poetica, q 24)

…duke i lexuar lajmet e reja të shkencës, mësova se qenkan zbuluar ca gjilpëra prej guri të vjetra rreth 9000 vjet, përndryshe gjilpërat më të vjetra janë prej kockash – thonë arkeologët (i patën gjetur në shpellën Denisova të Rusisë, këto gjilpëra ashtërore datonin ~50.000 vjet), deri tani gjilpërat më të vjetra prej guri ishin vetëm 2700-vjeçare, këto qenë gjetur diku në provincën Henan të Kinës, tani zbulimi i ri e shtyn “vjetërsinë” e gjilpërave prej guri për më shumë se 6000 vjet, pra këto gjetur sëfundi në pllajën e Tibetit janë rreth 9000 vjet të vjetra – thonë arkeologët…

… dmth. gjetje interesante dhe e rëndësishme, sepse gjithçka që është thënë deri tani (në shumë drejtime) sa i përket zhvillimit të njeriut, sikur duhet “korrigjuar” pasi gjetjet dhe të dhënat e reja insistojnë “ndryshe” (nga ç’pandehnim deri tani) – pakashumë njësoj sikur dhe me gjetjen e rrotëve, fillimisht thuhej kaq mijëra vjet e vjetër “rrota e Babilonisë”, pastaj u gjet një rrotë askund tjetër por diku në Slloveni dhe vjetërsia sakaq u bë akoma më e madhe, pra s’ishte Babilonia por “Sllovenia” (anise atëherë s’kishte “Slloveni”, nuk quhej ashtu, kuptohet dhe kjo – thelbi është se vjetërsia rroto-logjike s’i takonte Babilonisë : )

…sidoqoftë, mua më duket mjaft interesante, se njeriu përdorte gjilpëra të gurta 9000 vite më parë sipas meje patjetër interesante, unë madje s’di si bëhet një gjilpërë prej guri as sot e kësaj dite, pavarësisht veglave precize që i kemi, kur e pashë foton… thuase ngela gojëhapur, m’u duk gjilpërë mjaft e avancuar, vrima super e saktë në mes të mesit, as thyrje as çarje, ec e shpoje një vrimë të tillë në gjilpërën prej guri, pirolla u qoftë “teknologëve” të para 9 mijëvjeçarëve – sikur po thosha mëvete, paskan qenë mjeshtra se jo shaka : )