Jacques-Louis David – Apolloni, Diana dhe Najoba, 1772

Jacques-Louis David (1748-1825) – Apolloni dhe Diana (ose Artemisa) duke sulmuar fëmijët e Najobasë, 1772

[ S. Guraziu – Arti, Historia, Mitologjia – Ndërlidhje dhe (Pa)Saktësi!, 2016 – fragm.]

| – – –
Duke dashur ta sprovonte omni-dijen e perëndive, stërgjyshi i Agamemnonit, Tantali i ftoi të gjithë zotat për darkë. Mirëpo s’ishte darkë e zakonshme, ai e vrau dhe ua serviri Pelopsin si ushqim, vetë djalin e vet.
Vështirë t’ua hedhësh zotave të gjithëdijshëm. Askush prej tyre nuk hëngrën, përveç perëndeshës së Bujqësisë, të hutuarës Demetra (e ngrata qe pllakosur nga dhimbja për vajzën e vet, për Persefonën e rrëmbyer nga Hadesi – ajo e pati provuar një kafshatë).

Për këtë “provokim” me darkën Zotat qenë zemëruar jashtëzakonisht, pothuaj “unanimisht” e ndëshkuan Tantalin duke e burgosur në Tartaros (diku akoma më “thellë” se Hadesi). “Vuajtja tantaliane” nënkuptonte: izolimin ekstrem; prore i lidhur, i uritur, i etur, i prangosur në ujë, i zhytur deri në fyt e megjithatë uji i paarritshëm, s’mund të shuhet etja, sipri kokës frutat kalavarur por as ato s’arrihen dot. Tantali dhe sot e kësaj dite është duke e vuajtur “dënimin”, dhe jo vetëm ai, që nga Tantali “trungu” gjenealogjik qe ndeshur tutje vazhdimisht me ndëshkimin e perëndive.

Tantali e kishte një vajzë të vetme, quhej Najoba, edhe ajo do ta pësonte. Najoba me arrogancën e vet e pati fyer Letonë (perëndesha e Errësirës – nëna e Apollonit… dhe e motrës së tij binjake, Artemises) me faktin se Letoja i kishte vetëm dy fëmijë, ndërsa ajo vetë katërmbëdhjetë.
Për këtë ofendim, Artemisa së bashku me të vëllain Apollonin u hakmorën duke i vrarë të katërmbëdhjetë fëmijët e saj. Artemisa i vrau të shtatë vajzat, Apolloni të gjithë djemtë e të ngratës Najoba.

| – – –
Kadmusi për grekët ishte “heroi” i parë, trim mbi trimat. Qe përmendur nga Herodi për sjelljen e alfabetit fenikas (phoinikeia grammata), dhe grekët e patën përshtatur për ta formuar alfabetin e tyre. Ishte Kadmusi ai që e pati themeluar qytetin grek të Tebës, dhe qyteti qe emëruar fillimisht Kadmeia për nder të tij.

Kadmusi (ose Kadmosi) ishte një princ fenikas, djalë i mbretit Agenor dhe mbretëreshës Telefasa të Tiros. Ishte vëllai i Europes (emrin e së cilës e mban kontineti ynë), si dhe vëllai i Feniksit dhe i Siliksit. Kadmusi u dërgua nga prindërit e tij për ta kërkuar motrën e vet Europen dhe për ta kthyer rishtas në Tiro, pasi ajo qe rrëmbyer nga Zeusi (Princesha Europa, si e re qe rrëmbyer nga Zeusi dhe qe sjellur në Kretë, mitologjia “sqaron” se Zeus-valentiniani e pati mashtruar duke marrë formën e një demi të bardhë).

Qyteti u bë i njohur si Teba vetëm gjatë sundimit të Amfionit dhe Zetusit (emrin “Teba” e mori sipas gruas së këtij të fundit). Amfioni dhe Zetusi ishin fëmijë të “aventurave zeusiane” me bukuroshen Antiopa, çunat patën lindur në fshehtësi nga bota dhe qenë rritur nga barinjtë diku në male.

Në kohën e rinisë së Amfionit dhe Zetusit mbret dhe sundues i Tebës ishte Likusi. Mitologjia e “vërteton” se nëna e tyre Antiopa atëbotë ndodhej në Tebë, dhe se mbreti Likus së bashku me gruan e tij Dirkanë e patën trajtuar fort keq, madje dhe e patën burgosur. Gjithsesi, Antiopa duhet të jetë arratisur disi, dhe i pati kërkuar dy djemtë e vet, Amfionin dhe Zetusin. Pas ribashkimit të dhimbshëm me nënën e tyre, trimat Amfioni dhe Zetusi e pushtuan Tebën, e vranë mbretin Likus dhe gruan e tij Dirka. Mbretëresha Dirka qe ekzekutuar nga ta, duke ia lidhur flokët për brirët e një demi të egërsuar.
Pra duke qenë djem të Zeusit, natyrisht që Amfioni e Zetusi ishin dhe trima, u hakmorën për nënën e tyre, e morën pushtetin dhe sunduan si mbretër “duo” të Tebës.

Gruaja e Amfionit ishte Najoba (dmth. e bija e Tantalit, i cili gjithmonë na “dhimbset” pakëz, ngjashëm si Prometeu e të tjerë, sepse qe dënuar përjetësisht në humnerën e Tartarit, në burgun e titanëve… burg i tmerrshëm që nga koha e Kronosit – sipas Platonit, Tartari ishte vendi ku shpirtrat gjykoheshin pas vdekjes dhe ku shpirtrat e ligë e merrnin dënimin hyjnor).

Amfioni dhe Najoba i kishin shtatë djem dhe shtatë vajza. Për fat të keq Najoba na ishte një grua mendjemadhe, dhe mitologjia thotë që e pati zemëruar në kulm perëndeshën Artemisa, e cila me ndihmën e të vëllait, Apollonit, i vrau gjithë fëmijët e saj.
Tragjedi jashtëzakonisht e rëndë, sepse Amfioni dhe vëllai Zetusi e patën zgjeruar qytetin e Kadmusit, të ashtuquajtur Kadmeja (e patën emëruar Teba) dhe i patën ndërtuar shtatë portat e Tebës. Ndërsa të shtatë portat qenë emëruar sipas emrave të shtatë vajzave të Amfionit (Klorisa, Tera, Astinoma, Astikratia, Kiasa, Gigia, Kleodoksa). Nga dhimbja e papërballueshme, pas vdekjes së fëmijëve të dashur, Amfioni qe vetëvrarë.

Për dallim nga Amfioni dhe Najoba, Zetusi dhe Teba e patën vetëm një fëmijë, një djalë të vetëm, i cili po ashtu qe vrarë… dhe Zetusi thjesht pati dhënë shpirt zemërthyer.
| – – –