Dualizmi i keqkuptuar, ose “Dyfytyrësia” Kuantike!

S. Guraziu, 2014 (Humoreskë)

(…vallë a nuk e kemi nganjëherë përshtypjen për disa njerëz sikur aksidentalisht të jenë “kthyer” mbrapsht?! Ngjashëm si një pallto e bukur dhe e shtrenjtë të kthehej nga astari “uniform” prej pesë centë… Konformiteti i kaotikes së brendshme është kushti për rregullsinë e së jashtmes. Është thjesht ligj universal, i funksionalizuar me hujet e kaotikes kuantike. Në asnjë pjesë të fizikës universale s’ka ndonjë përjashtim as kundërshti…)

Tony Araujo – Karikaturë e Albert Einstein, 2014

***
Për dyfytyrësinë dhe për disa gjëra të kësaj bote sikur do t’ngeleshim pa zgjidhje, pa sqarime. Do t’lidheshim nyje… si ai paradoksi i rregullës së mirënjohur filozofike, i “rregullës së shpërfilljes”, e cila thotë – “t’i bindesh një rregulle a ligji është e mundur vetëm duke e injoruar atë totalisht”. Dhe ne e dimë që ka paradokse të tillë – një hap tutje pastaj do ishte i pamundur, do ngeleshim mbyllur brenda zeros logjike.

Andaj ndoshta vërtet na duhet një modalitet tjetër i të menduarit për kuptimin e dyfytyrësisë. Përshembull, ndoshta do ishte mirë ta shpërfillnim totalisht “shëmtinë” e njeriut. Thjesht ta marrim se s’ka njerëz të shëmtuar. Mbase ka njerëz jo dhe aq të hijshëm, por larg qoftë shëmtia e “njeriut”. S’do ishte kurrë e drejtë të fyhet një “njeri” deri në atë shkallë, duke ia mveshur shëmtinë, do ishte padrejtësi. S’mund t’jenë të dyja, nuk përputhen – në njërën anë i themi “njeri”, e në tjetrën e degradojmë me gjërash të pasakta. Edhe “njeri”, edhe “i shëmtur” nuk shkon, s’pi ujë kjo qasje, sepse logjika do binte ndesh me vetveten.

Nëse s’kemi dëshirë të rrimë mbyllur brenda “zeros”, atëherë mbase duhet thjeshtësuar gjërat. Ia vlen të thjeshtësohet i gjithë koncepti ideatik i humoreskës, me shpresën që sqarimi do jetë sado-kudo më i kuptueshëm sesa abstraksioni më lart, prej një fjalie a periudhe të vetme.

***
Vallë a nuk e kemi nganjëherë përshtypjen për disa njerëz sikur aksidentalisht të jenë “kthyer” mbrapsht?!
Ngjashëm si një pallto e bukur dhe e shtrenjtë të kthehej nga astari “uniform” prej pesë centë. Nuk e kam fjalën për aso “windjacks” të industrisë moderne me dy fytyra të bukura, që mund të rrotullohen sipas modes. E kam fjalën për palltot ordinere, për njerëz të zakonshëm, jo për supernjerëz.

Sot, me avancimet e vetë shkencës dhe të teorive rreth e rrotull saj, me gjasë “dyfytyrësia” kuantike më në fund na i shpjegon të gjitha. Ajnshtajni i ngratë dikur s’kishte si ta dinte, por si duket gjithçka e realitetit kuantik na doli t’mos jetë gjë tjetër por pikërisht ngjashëm si brendësia-jashtësia e kukullave Barbie. Shkenca dhe teoria kuantike ka pothuaj një shekull që na e thotë pikërisht këtë.

Ajnshtajni, përveç tjera idesh e marramendjesh, na i sqaroi dikur dhe disa gjëra fondamentale të materies. Në bazë të saktësisë së mençurive të tij, ia dolëm t’i ujdisim madje dhe bombat atomike. Ok, në rregull, e kuptuam që materia është vetë energjia, ose njëra nga dy faqet e medaljonit të njëjtë. Kështu na e thotë dhe sot e kësaj dite ai ekuacioni i mençur ajnshtajnian.

Me fjalë të tjera, mençuria ajnshtajniane konsiston në faktin që energjia është e barabartë me materien (e baras mc2). Pra, sipas logjikes, energjia për ta manifestuar veten (për të qenë kjo materia që është) i duhet pandalë ta “grushtojë” vetveten. Nonsens… tingëllon aq e pakuptimtë, por dimensioni sub-atomik mbahet gjallë pikërisht me këso paradokesh. Ne veç e përmendëm “zeron logjike”. Për ta përfillur një ligj të veçantë i cili na përshfaqet si një paradoks cullak shpesh është e mundur vetëm nëpërmes shpërfilljes totale të tij.

Falë avancimeve të shkencës sub-atomike dhe të kërkimeve njëshekullore tashmë e dimë se dimensioni kuantik është skajshmërisht i çuditshëm dhe kaotik. Në sipërfaqe është çfarë shohim e përceptojmë, por atje në thellësi është kaotikisht ndryshe. Nëse ikim nga atje, nga thellësitë e çuditshme kuantike, hooop… tani për syrin tonë e jashtmja asocionon të “përkryerën” fasadeske të vetë rregullit. Por vallë si është pra vetë rregulli brenda vetvetes? Shkenca na e ka dëshmuar që ky rregull përbrenda është larg për të qenë “rregull”, është një luftë e pandalshme mes hujeve të kaosit “djallëzor” dhe joracional. S’do kishte rregull as bukuri të jashtme sikur kaotikja të ishte një “gjumashe”, e pllakosur përjetshëm me lloj-lloj vesesh të dembelisë.

Brenda Barbie-kukullave mbretëron boshësia, mirëpo është “boshësi” vetëm për syrin tonë, jo dhe për syrin kuantik. Derisa në luftën e amshuar panumër mini-grimcash grushtohen, në vendet e caktuara pikat kaotike strukturale duhet të rrinë “urt”, konform me rregullat e definuara për formën. Ngjashëm siç rrinë gozhdët apo vidat strukturale të kullës Eiffel. Pa “vidat”, gjithë ai grumbull i shtyllave prej hekuri do ishin një grumbull kaotik, por jo formë. Pa “vidat” s’do ta kishim kurrë një formë aq të përkryer tek lartësohet qindrametra në qiell. Pa “vidat” s’mund të ketë kompaktësi formale.

Konformiteti i kaotikes së brendshme mbase është kushti për rregullsinë e së jashtmes. Dhe nëse t’i rrotullonim Barbie-kukullat, ashtu thjesht si çorapet… padyshim s’do ishin aq të bukura. Jo sa e jashtmja, s’do ishin aq të bukura, pakëz dallim do kishte. Imagjino ta kthenim mbrapsht një Marilyn Monroe, jo vetëm ajo por as çorapet e leshta, ardhur në dritë me kujdes e dashuri, me krrabëzat e me gishtat e zhdërvjellët të gjysheve, s’mund të jenë të hijshme nga brenda aq sa janë nga jashtë. Do kishte njëfarë dallimi të vockël, sepse siç e thamë, për shkak të kaotikes, për shkak të disa rregullave strukturale të brendisë së modelit.

Në asnjë pjesë të fizikës universale s’ka ndonjë përjashtim as kundërshti. Bie fjala edhe në “Design” e dimë që Forma e ndjek Funksionin, nuk është vice versa. E njëjta ndoshta është dhe me palltot “aksidentale”… nëse të ktheheshin mbarë do ishin po aq të bukura sa jashtësia. Për ta arritur rregullin dhe bukurinë e përkryer të së jashtmes duhet “fshehur” përbrenda mjaft gjërash të shëmtuara. Është thjesht ligj universal, i funksionalizuar me hujet e kaotikes kuantike. Ndoshta kulla e Eiffel përbrenda na duket e “ngatërruar” me gjithë ata hekura e nyjesh, por nga jashtë si formë, si paqe e arritur me luftën e brendshme të pandalshme, ia shton bukurinë gjithë Parisit.

Pra kini sadopak mirëkuptim për njerëzit e “mbrapshtë”, do ishte absurd të përbuzen palltot “aksidentale”, thjesht kujtohuni për Barbie-kukullat e kthyera mbrapsht… !

Ilustrimi: Tony Araujo – Karikaturë e Albert Einstein, 2014