Një Hektor, një Paris… dhe 100 Fëmijët e Priamit!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2018

Franz von Matsch (1861-1942) – Akili fitimtar duke e tërhequr trupin e pajetë të Hektorit para portës së Trojës, 1892

(…s’e mohon kush, edhe për Historinë përherë sfidë të arrihet 100% saktësi. Për fat të mirë me “Historinë” gjithnjë e më e lehtë. Bie fjala, supozoj se për Luigjin XIV do ta kishim në listë të detajuar me pak mund. Do ta kishim pemën gjenealogjike pothuaj komplete…)

***
Nga Homeri na është e “njohur” që Akili, në një duel burrëror, i zemëruar e si zemërluan që na ishte, e pati vrarë Hektorin, Princin e Trojës. Detaj kyç “iliadesk” – mirëpo jo vetëm Hektorin, ç’është e “vërteta” Akili i pati vrarë së paku nja 7-8 djem të Priamit. Në “Iliaden”, rreth Luftës… përmenden thjesht një numër i bijve të mbretit Priam, shkurtimisht si luftëtarë e si personazhe në mesin e mbrojtësve të Trojës. Gjithsesi, përveç Hektorit, gjatë e rreth “temës” së Luftës, Akili e pati vrarë dhe vëllain e tij, Troilusin, i pati vrarë edhe vëllëzrit e tjerë Mestorin, Hiponusin, Driopsin, Likaonin, Hipodamin…

E megjithatë ç’janë 7-8 princër të vrarë nga një Akil zemërluan, kur pothuaj të gjithë fëmijët e Priamit qenë vrarë gjatë dhe pas mbarimit të Luftës. Qenë vrarë aq shumë, Troja pothuaj qe shfarosur, vetë Priami para se të vritej s’mund ta besonte se njeriu ishte në gjendje të vriste ashtu. Armiku sillej aq mizorisht me pleq, gra e fëmijë të pafajshëm.

I ngrati Priam, si prind qe shtrënguar t’ia “puthte duart” vetë vrasësit të të birit. Do gjunjëzohej me lutjen ta merrte kufomën e Hektorit për një varrim të denjë. Më pastaj, teksa e priste vdekjen e vet, teksa e shihte Trojën gllabëruar nga flakët e duke u kthyer në rrënoja, s’mund ta kuptonte barbarizmin dhe “joetikën” luftarake të armikut.

Dhe pra, kur thuhet “qenë vrarë pothuaj gjithë fëmijët e Priamit”, ndoshta pa bujën epikale homeriane një Hektor i vetëm (sado i madh dhe figurë kyç) hëpërhë sikur do “tretej” diku në parëndësi. Qëkur supozohet se Priami mitologjik i kishte jo më pak por rreth 100 fëmijë.

Si djem legjitimë të Priamit e të Hekubasë, shkollarët thonë se na janë të njohur 10 prej tyre, Hektori, Parisi, Difobusi, Helenusi, Polidorusi, Troilusi, Politi, Antifusi, Pamoni dhe Hiponusi. Për afro 60 të tjerët mitologjia s’di “aq”, e edhe asgjë. Ngase dhe sepse duke qenë “fëmijë jashtëmartesor”, jolegjitimë. Disa konkubina të Priamit njiheshin, por mjaft nga fëmijët mund t’kenë ardhur në jetë nga aferat e tij me ndonjë të dashur… të njohur nga askush.

Afërmendsh, në cilësinë e Kryeheroit, mitologjia na e mundëson të “dimë” më shumë për Hektorin, luftëtarin më të madh trojan, djalin e parë të Priamit dhe të Hekubasë. Po ashtu, vëllai i Hektorit, Parisi shfaqet në një numër legjendash. Mbase nga më të “bujshmet” prej tyre ishte rrëmbimi i Helenës së Spartës. Femra më e bukur e Greqisë së lashtë, sipas grekëve “më e bukura” e botës, Helena ishte diç si “miss world” e antikes.

Rrëmbimi i saj nga Parisi do t’ishte njëri nga shkaqet për nisjen e menjëhershme të Luftës. Një detaj tjetër “simpatik” që i përshkruhet Parisit është plagosja fatale e Akilit. Gjatë luftës më vonë ai e pati plagosur Akilin në thembër, shigjetat e tij do ta “gjenin” pastaj dhe zemrën. Parisi ishte harkëtar i zoti, dhe e pati bërë të vetën (ashtu siç ishte e parathënë ose e parashikuar).

Aq i bënte Akilit, e dinte se do vdiste por ama trimat ashtu janë, s’qe trembur as nga paralajmërimi i një perëndeshe. Në fakt Thetisa s’ishte vetëm perëndeshë, ishte dhe vetë nëna e tij. Për më tepër, jo vetëm ajo, madje dhe vetë kuajt e Akilit, Ksantosi e Balosi e patën paralajmëruar, kushedi sa herë. Meqë, njësoj si perëndesha Thetisa, edhe kuajt e tij mund ta “parashihnin të ardhmën”. S’ishin kuaj “ordinerë”, ishin kuajt e pavdekshëm të Akilit, ardhur në jetë nga Zefiri.

Madje mund të flisnin, njësoj si Akili vetë. Mbase s’do kenë qenë dhe aq llafazanër, por padyshim duhet t’kenë patur fort “muhabet” me Akilin : ) Vetë Hera ua pati dhënë kuajve të tij aftësinë për të folur.
Në pikturën e von Matsch, siç janë paraqitur kuajt, e shohim që “nuk përputhen” me mitologjinë. Them se mjaft e “çuditshme”, është aq paqartë pse piktorët e botës në përgjithësi s’brengosen dhe aq për detajet rreth kuajve të Akilit! Hm… ec e merre vesh : ) Psh. Ksantosi do duhej t’ishte “i bardhë”, ndërsa Balosi “pikalosh” (ose me njolla).

Gjithsesi, le t’i harrojmë kuajt e Akilit, ashtu-kështu mitologjia s’ka “kufizime”. Nëse supozohet se Priami i kishte afro 100 fëmijë, atëherë sikur është i supozuar dhe “konkluzioni” se një listë e plotë për fëmijët e tij, për princa e princesha “mitologjike” mbase ngelet pamundësi. Përndryshe s’do ishte fjala për “mite e legjenda”, përndryshe mitologjia do t’ngelej pa hijeshinë e vet.

Nga “listat” e tre burimeve kryesore (“Iliada”, vëllimet e “Pseudo- Apollodorus” dhe “Fabulat” e Gajus Higinus) shkollarët thonë se mund të përpilohet një listë e “përgjithshme” prej 18 vajzash dhe 68 djemsh (anise disa emra të fëmijëve të Priamit përmenden dhe nga Virgjili, e edhe nga ndonjë autor tjetër).

Nga këto 18-20 vajzash të Priamit, katër prej tyre përmenden të jenë vajza legjitime (me gruan Hekuba) – Iliona, Kasandra, Laodika, dhe Poliksena. Të gjitha ishin, ose duhet të kenë qenë fort të bukura, gjithsesi psh. “favoritja” e Homerit për nga bukuria ishte Laodika. E dimë që Poliksena qe rrëmbyer nga Akili (sikur që mund ta “dimë” që kryetrimi dhe dhunuesi bukurosh s’do ta rrëmbente ndonjë shëmtaraçe). Më vonë (kur Akili tashmë i vdekur) Poliksena qe sakrifikuar mbi varrin e tij, për të ndikuar në “vullnetin e mirë” të zotave, që anijet të kishin erën e duhur gjatë kthimit.

Iliona ishte vajza e parë e tyre, dmth. më e moshuara. Kasandra pati lindur si binjake (motra binjake e Helenusit), qe bërë priftëreshë e Apollonit dhe prej tij i qe dhuruar aftësia e profecisë (anise qe mallkuar që kurrë t’mos i besonte kush “profecitë” e saj).

Pra mitologjia na i rrëfen disa gjëra e detaje për vajzat legjitime të mbretit Priam, gjithsesi deri tani s’ka referenca mitologjike të kënaqshme për 12 vajzat tjera (jolegjitime).
E njëjta mund t’thuhet dhe për djemtë – dimë për heronjtë (për princat legjitimë e për mbrojtësit e famshëm të Trojës), sepse dhe ka më tepër detaje. Mirëpo mitologët pothuaj sikur ndiejnë keqardhje që rreth 60 prej vëllezërve tjerë të lashtësisë ngelin në “errësirën e mitologjisë”.

Priami i kishte disa gra (kryezonja, ose kryesorja prej tyre duke qenë Hekuba) dhe i kishte disa konkubina (gra të “dyta”, pa kurorë). Ato i patën lindur varg e varg fëmijët e tij, ndoshta as pa e marrë vesh Troja. Si foshnje e si të mitur mund t’kenë qenë ende të “panjohur” për Trojën. Mirëpo më pastaj sipas nevojës mjaft prej tyre përmenden gjithandej, nëpër mite e legjenda të ndryshme greke.

E vështirë në rastin e Priamit, se mos vetëm me Priamin, me Mitologjinë ishte dhe ngelet e vështirë.
Ama me “Historinë”, për fat të mirë gjithnjë e më e lehtë, sepse ndryshe kur ekzistojnë arkivat e dokumentet, apo jo. Bie fjala, supozoj se për Luigjin XIV do ta kishim në listë të detajuar me pak mund. Do ta kishim pemën gjenealogjike pothuaj komplete. Le t’jenë me qindra figurash, me gjyshër, kusherirash, nipash e mbesash, të gjithë pasardhësit.

Anise, s’e mohon kush, edhe për Historinë përherë sfidë të arrihet 100% saktësi. Sidoqoftë, qofshin dhe me dhjetra pasardhës jolegjitimë të “Luigjave të Historisë”, cilindo trung të “degëzuar” të fshehtësisë, fare lehtë do duhej ta kapërthenim në një listë : )

– – –

Franz von Matsch (1861-1942) – Akili fitimtar duke e tërhequr trupin e pajetë të Hektorit para portës së Trojës, 1892
(afresk panoramik në sallën kryesore të pallatit “Akilion”, pallat në Korfuz, Greqi… dikur i Elisabetes së Bavarisë, Perandoreshes së Austrisë, pasi djali i vetëm i saj qe vrarë dhe ajo udhëtonte duke provuar të gjente ngushëllim)