Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937!

s. guraziu – ars poetica, t 2018 (koment)

Ndonjëherë historia thuase di t’jetë “ironike” (ose tekefundit interpretimi ynë i historisë : ) Fare në prag të L 2-të B, në v.1937 Parisi e organizoi Ekspozitën Botërore dedikuar Artit dhe Teknologjisë (World-Expo), e cila i mblodhi së bashku 44 vende të botës. Patën qenë të ftuar të merrnin pjesë edhe nazi-gjermanët, edhe sovjetët. Historia thotë se Hitlerit fillimisht nuk i “pëlqente” ideja e shkuarjes në Expo-në e Parisit, por ekspertët e vet e patën bindur se ishte një rast ideal për t’ia shpalosur botës krenarinë dhe të arriturat. “Fuhreri” qe bindur…

Si për ironi, pavijonet e Nazi-Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik qenë vendosur përballë njëri-tjetrit, në dy anët e fontanave të Trocadero. Sipas gjermanëve, jo sovjetët por askush s’mund t’ua kalonte. Pavioni ultra-modern i Gjermanisë, me shqiponjën dhe me “svastika-në” duhej të simbolizonte gjithçka si krenari e kryelartësi, dizajni impozant për parisienët dhe për miliona vizitorë të botës synonte ta “komunikonte” një Gjermani të re e të fuqishme, duhej t’ia bënte gjithkujt të qartë krenarinë kombëtare gjermane.

Rishtas, si për ironi, vetëm 2-3 vite tutje dhe L 2-të B do t’fillonte, ndër të tjera varg e varg… nazistët do ta pushtonin dhe vetë Parisin mikpritës, parisienët e ngratë s’do të çliroheshin deri në v. 1944. Ndoshta kurrë në historinë e vet Parisi nuk është “turpëruar” më shumë sesa me pushtimin nga nazistët. Meqë Londra pati “shpëtuar” nga turpi (i pushtimit), pati hequr mjaft nga bombat e nga presioni nazi-ushtarak mirëpo çizmet naziste Londra s’do i njihte. Anglezët pastaj gjatë dekadave të pasluftës gjithmonë me batutash e me serialesh humoristike televizive lidhur me gjoja “rezistencën” franceze (ose atë parisiene). Natyrisht, pse jo, iu ka hije francezëve e anglezve të ndërrojnë batutash mes vete! Gjithsesi Franca aq e madhe, Parisi po ashtu, gjithë ai metropol gjigant, zemra e perandorive pararendëse… zemra e revolucioneve, djep i kulturës evropiane e botërore, dhe t’na “gjunjëzohej” tek ashtu nga nazistët!

Sulmi japonez në Perl Harbour të Havajeve e ka “anën e vet” të peshës ironike, Amerika e madhe dukej si një “gala-arushë e fjetur”, elementet amerikane të “pro luftës” ashtu-kështu do t’kishin mjaft justifikim për t’u “angazhuar” me presionin ndaj aparatit politik. Sot, vetë historianët amerikanë thonë se qe trasuar me kohë “sulmi” i japonezëve, ushtarakët dhe kreu i lartë politik ishin të informuar, por thjesht qenë shtirur sikur s’dinin gjë, historianët pohojnë se nuk pati qenë “befasi”.

Nga ana tjetër… le që nëndetset gjermane e patën fundosur një anije udhëtarësh të amerikanëve (mbytjen e mijëra udhëtarëve të pafajshëm nazistët e justifikonin dhe e barazonin me dyshimin se anijet amerikane të udhëtarëve u sillnin armatime e ndihma britanikëve), historia s’e fsheh që Hitleri me gjithë gjeneralët e vet thuase qenë “çmendur”, e kishin “kapërcyer” pragun, i patën shpenzuar të gjitha kokrrat e arsyes. Ai dhe gjeneralët e vet mirë e dinin që fuqia ushtarake e Gjermanisë s’ishte as afër asaj të Amerikës, shumë segmente të industrisë gjermane madje dhe i përdornin paratë e bankierëve “amerikanë” dhe shih, “Fuhreri” si një kacagjel do na i shpallte luftë Amerikës! Epo, çmenduria s’kishte si dilte ndryshe në shesh… vetëm si “ironi”!
Sidoqoftë “futja” e amerikanëve në kazanin e luftës atëbotë do ta “shpëtonte” edhe Londrën, do ta çlironte dhe Parisin, dhe gjithë Evropën!

[ Fotot: Scan-archives – Dr. Chris Mullen ]


Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937 [ Pavijonet e Britanisë se Madhe dhe të Kanadasë ]


Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937 [ Pavijoni i Holandes ]

Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937 [ Pavijonet e Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik ]


Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937 [ Fontanat e Trocadero ]


Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937 [ Pavijonet e Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik ]


Ekspozita Ndërkombëtare, Paris 1937 [ Muzeu i Artit Modern ]