(s. guraziu – ars poetica, sht 2024 – koment)
TIME 100 – Njerëzit më me ndikim në fushën e IA 2024 – Udhëheqësit, Novatorët, Mendimtarët, Formëdhënësit
Ca kohë më parë Time e publikoi listën Njerëzit më me ndikim në fushën e IA (Inteligjencës Artificiale), dhe bukur. Me 100 emra do ngulfatej komenti ynë mbase, por le ta përmendim sëpaku top-10-shen, padyshim, “maja” e florinjtë e piramidës do u takonte figurave të mirënjohura si Sundar Pichai (CEO, Google & Alphabet), Demis Hassabis (CEO & co-founder, Google DeepMind), Jensen Huang (CEO, Nvidia), Satya Nadella (CEO, Microsoft), Mustafa Suleyman (CEO, Microsoft AI), Lisa Su (CEO, AMD), Mark Zuckerberg (CEO, Meta), Sam Altman (CEO, OpenAI), Zhuang Rongwen (Cyberspace Administration of China), John Jumper (Director & AlphaFold leader, Google DeepMind)… etj. etj.
Me kokën time i radhita vetëm 10 koka të mëdha, s’pata nevojë për ndihmën e listës së Time, ata më kryesorët i njoh dhe vetë, të gjitha këto koka më janë të njohura fort mirë, anise ngelin dhe 90 tjera… të listës : )
Gjithsesi, desha ta cekë brengën rreth sigurisë me çështjet e IA, listën e Time do e shtoj grafikisht.
Bazuar në shkrimet e “Time”, në Nëntor 2023, bordi i kompanisë OpenAI desh e tronditi botën lidhur me zhvillimet e Inteligjencës Artificiale duke e shkarkuar kryeshefin ekzekutiv (CEO-n) Sam Altman për arsye të pikëpyetjeve rreth integritetit të tij. Ishte kjo ngjarja më dramatike e kohëve të fundit në botën e biznesit, ky moment i vitit të kaluar e tërhoqi vëmendjen e botës sa u përket individëve që e udhëheqin zhvillimin e IA (Inteligjencës Artificiale).
Anise pas kthimit të tij të mëvonshëm në kompani, Altman qe njohur si “CEO i Vitit 2023” nga Time (veprim ky mjaft kontradiktor nga Time, pasi dihet se Time dhe OpenAi kanë marrëveshje reciproke afariste, dmth. ka “kryqëzim interesash” mes tyre, OpenAI e ka licencën që t’i përdor arkivat e Time për nevojat e trajnimit të IA – shën. im, sg), që nga atëherë, disa liderë kryesorë të sigurisë (rreth zhvillimeve të IA) janë larguar nga kompania OpenAI, duke e rritur shqetësimin rreth zhvillimit të kompanisë dhe të IA-industrisë në përgjithësi.
Natyrisht se kompania OpenAI ka premtuar të ripërqendrohet në rritjen e kujdesit duke e instaluar një komitet të ri sigurie, i cili është zotuar se do ta vlerësojë dhe monitorojë qasjen e kompanisë. Mirëpo kuptohet se shqetësimet rreth sigurisë sa i përket IA janë duke i preokupuar mjaft nga individët e njohur në këtë drejtim të zhvillimit teknologjik.
Madje dhe aktresha e Hollivudit, Scarlett Johansson (e cila nuk është shkencëtare, as teknologe, por) e ka gjetur vendin e vet në Listën e 100 Personave të 2024 sa i përket IA. Sepse kompania OpenAI i është përzier në punët që s’do duhej, duke e cenuar integritetin e saj personal. Në v. 2015, në filmin e Hollivudit “Avengers – Age of Ultron”, në rolin e “Black Widow” aktresha simpatike Scarlett Johansson gjoja duhej të luftonte kundër një IA-sistemi që përpiqej ta zhdukte njerëzimin nga faqja e dheut. Dhe natyrisht, ta shpëtosh njerëzimin nga shfarosja s’është pak.
Sidoqoftë, filmi ishte pothuaj para një dekade. Këtë vit, në jetën e saj reale, aktreshës Johansson sikur iu imponua beteja kundër kompanisë OpenAI, dhe duke u bërë figura publike më e spikatur që shprehte shqetësime për taktikat e padenja rreth sigurisë që OpenAi si kompani i përdor.
Në Maj 2024, Johansson qe ankuar se dora vetë CEO i OpenAI, Sam Altman, e kishte kontaktuar personalisht duke i kërkuar asaj t’ia “huazonte zërin” chat-botit të ri të kompanisë, ChatGPT-4o.
Meqë ajo e refuzon ofertën, OpenAI e paska përdorur një zë që tingëllonte aq i ngjashëm me zërin e Johansson, aq sa as “miqtë më të afërt dhe mediat s’mund ta piketonin dallimin”, qe shprehur ajo vetë. OpenAI do përgjigjej se zëri i përdorur nuk qenkësh frymëzuar nga zëri i Johansson, gjoja e paskeshin regjistruar zërin e një aktoreje tjetër. Mirëpo ndërkohë kompania qenka impenjuar për mospërdorimin e zërit të “dyshimtë”. Nga mediat dhe nga bota e brengosur reagimi kundër kompanisë do ishte intensiv, duke e akuzuar kryeshefin Altman për sjellje joetike dhe për shkelje të të drejtave personale të individëve.