Art Digjital – Hadi Karimi, 3d-portrete (artist nga Irani)

(s. guraziu – ars poetica, t 2024 – pak fjalë )

…3d-portrete marramendëse, thuase portrete të “gjalla” të poetes Sylvia Plath, të poetes së mirënjohur “fatkeqe” që do i merrte jetën vetes pothuaj në rini, në të 30-at, s’kishte shumë kohë… teksa ishte bërë nënë, dhe kështu duke i lënë pas 2 fëmijë fare të vegjël, si një nënë duhet t’kesh vërtet vuajtje të mëdha, të ballafaqohesh me psiko-probleme jashtëzakonisht serioze, tejet serioze… për një akt të tillë, përndryshe s’është e lehtë, sepse vetiu është kundra-natyrës, në çdo qelizë dhe gjen të amësores sikur është e stampuar që përkujdesi për të vegjlit tashmë është parësor, për një nënë frymëmarrja e fëmijes është më e “madhe se jeta”…

…si dhe 3d-portrete të piktores Frida Kahlo, artiste feministe, po ashtu mjaft “fatkeqe”, edhe Frida prore me ato psiko-sfidat e veta dhe me peripecitë e jetës, as për artisten Frida jeta s’pati qenë dhe aq “fair”, nganjëherë thjesht na ndjekin fatkeqësitë, problemet me shëndetin dhe çmos, shembujt e të tilla gjërave janë të panumërt, ashtu-kështu jeta është njëfarëlloj “lufte” jo vetëm e mbijetesës së jashtme por dhe thellë, shpirtërisht, edhe në kuptimin psikologjik…

…sa u përket brushave digjitale dhe modelimit artisti nga Teherani, Hadi Karimi është njëri ndër 3d-modeluesit më të mëdhenj që njeh e tashmja digjitale, 3d-brushat e tij janë vërtet shembuj të mahnitshëm të detajeve dhe të saktësisë konceptuale-modeluese, them “brusha”, i quaj brusha dhe kështu sikur thjeshtësohet gjithçka për neve (pakashumë dhe piktorët tradicionalë sikur i shohim me nga “1 brushë” në dorë, apo jo, e dimë se dhe atyre u nevojiten bojëra, tasa, lapsa, lecka, lloj-lloj brushash etj. mirëpo për neve vëzhguesit nga e “jashtmja e artit” sikur me një brushë kryesore i arrijnë të gjitha mrekullirat : ) njësoj dhe për artin digjital vlen e njëjta, thashë “brusha digjitale” anise veglat e tij për t’i arritur kualitetet e tilla artistike janë një grumbull veglash softuerike, si psh. Maya, Cinema4, After Effects, Photoshop, ZBrush, Xgen, Substance 3D Painter, Arnold etj. vegla prapa të cilave qëndrojnë inxhinieria më e avancuar softuerike dhe teknologjia më e sofistikuar e së tashmes, janë si të thuash skajshmërisht “fjala e fundit” teknologjike…