James Joyce do qeshte, do shkokëlohej së qeshuri!

s. guraziu – ars poetica, k 2014 (koment)

Për veprën letrare te James Joyce ka rreth 300 libra të “kritikës”. Nipi i tij e pati vënë në dyshim nëse diç esenciale t’i jetë shtuar trashëgimisë artistike të J. Joyce, qofshin dhe plot 261 libra të kritikës letrare që ruhen në Bibliotekën e Kongresit. “Po t’ishte gjyshi tani këtu, do t’kishte vdekur (rishtas) së qeshuri…” – qe shprehur : )

Pse do qeshte James Joyce me “kritikët”? Sepse të shkruhen 300 libra “ekstra” për:
1 dramë, 3 romane, 1 përmbledhje me tregime të shkurta, 2 vëllime poetike… dhe pak gjëra të tjera jo aq relevante, publikuar “postmortum”, pas vdekjes së tij, është vërtet për të qeshur – dhe James Joyce do qeshte, do shkokëlohej së qeshuri, por si për ironi nuk gjeta as dhe një foto… vallë di kush ndonjë foto ku Joyce të ketë dalë duke qeshur!

Sipas një skanimi të gazetës (dhe postuar në Fb), në shtojcën për kulturë të “Kosova sot” qenka publikuar një artikull me titullin “Churchill-i, burrështetasi që mori Nobel për Letërsi” (me një mbititull “Kritikë e librit “The Literary Churchill”, të autorit Jonathan Rose – dhe thuhej aty se “shkruan: Martin Rubin”).

Desha të komentoj për Churchill-in letraristik, sepse m’u duk sikur titulli tingëllonte pafajshëm… “bombastik”.
Fillimisht duhet thënë se ka 2 Churchill-a, 1 Churchill “amerikan” (romancieri amerikan Winston Churchill, sipas Enc Britannica ndër më të shiturit e fillim-shekullit XX) – dhe 1 Churchill “britanik”.

Churchill-i “britanik” ka shkruar vetëm 1 roman (të vetëm) “Savrola”, Churchill-i “britanik” është i njohur… jo si shkrimtar letrar, por për zotësinë me penën gjatë rrëfimit të historive të tij. Scribo-mjeshtëria… dhe në anën tjetër Letërsia e mirfilltë sipas meje kanë fort dallim.
Nobeli i është dhënë: “për mjeshtërinë e tij të përshkrimit historik dhe biografik, si dhe për oratori të shkëlqyer në mbrojtjen e vlerave të larta njerëzore”!

Edhe nje detaj: romanet e Churchill-it “amerikan” shpesh i janë atribuar gabimisht Churchill-it “britanik”, janë vënë nëpër lista bibliografike gabimisht, sidomos nga shitësit e librave.
Andaj libri “The Literary Churchill” është vetëm 1 libër më tepër i “kritikës” formaliste, 1 libër më “tepër” (pothuaj vetëm sa për ta rritur numrin e librave në librari)!