Jean Raoux – Orfeu dhe Euridika, ~1709


Jean Raoux (1677-1734) – Orfeu dhe Euridika, ~1709

(sguraziu – ars poetica, 2014)
Orfeu dhe Euridika vetëm sa e kishin kurorëzuar dashurinë e tyre të paskajshme, ishin martuar dhe ata i kishin të gjitha kushtet për të qenë një çift i lumtur, kur papritmas një aksident tragjik e goditi jo vetëm lumturinë e tyre, por dhe i mori jetën Euridikes. Ajo qe kafshuar në këmbë nga një gjarpër dhe vdiq.

Humbja e dashurise për një shpirt si ai i Orfeut ishte e papërballueshme. Pa gruan e tij Orfeu s’mund ta përballonte jetën, e donte tepër shumë. Dhe miti na thotë se ai u nis errësirës së Nënbotës, ku preheshin të vdekurit (në Hades), dhe me këngën e tij u lut për kthimin e Euridikes.
Orfeu këndoi aq bukur dhe aq mallëngjyeshëm sa që Tantali i cili po dëgjonte, u prek shumë dhe e ndali rrotën e Iksionit. Jo vetëm ai, por dhe Sizifi thjesht u ul mbi gurin e vet, as ai jo të pushonte por pra i prekur thellësisht nga elegjiakja e këngës. Këngëtimi i Orfeut ishte aq i dhimbshëm sa madje dhe vetë sundimtari i Nënbotës, vëllai i Zeusit dhe i Poseidonit, Hadesi, u prek dhe u lëkund në shpirt.

Kështu që Orfeut iu lejua ta merrte gruan e tij në botën e diellosur të jetës, me kusht që ai s’do ta shikonte të dashurën e vet derisa të arrinin atje. Ai dhe Euridika ecën gjatë nëpër errësirë, të pushtuar nga ankthi dhe padurimi. Kur pak dritë më në fund u shfaq në largësi, dhe në distancë bota e tyre ishte tashmë e dukshme, Orfeu s’mundi të përmbahej më, i dobësuar nga dhimbja dhe njëkohësisht i pushtuar nga ankthi për ta parë dashurinë e vet të ngjallur sa më parë, atij sikur iu topit gjykimi lidhur me kushtin e Hadesit… dhe ia hodhi sytë Euridikes.
Shpirti i saj u kthye rishtas në botën e të vdekurve.