Kosova dhe makineria e pagandës së luftës (koment)

| – – –
[ citat ] …Kosova, një vend i vogël, pa shkolla normale, me një tufë udhëheqësish thellësisht injorantë e të armiqësuar mes vete, me një universitet në gjendje të mjerë, me tekste shkollore për faqe të zezë, me një varfëri të gjithanshme e me njerëz që duan të ikin në perëndim, në vend se të flasë e të angazhohet për tema që e lidhin me vlera të përbotshme dhe i sigurojnë progres, qeveria e ndez makinerinë e propagandës dhe flet për luftë, retorikë të cilën e shpreh me goxha egërsi. Dhe, siç ka thënë George Orwell “e gjithë propaganda e luftës, e gjithë ulërima, gënjeshtra dhe urrejtja, gjithmonë vjen nga njerëz që nuk luftojnë”. [ f/cit. ]
| – – – Ndue Ukaj, postuar në “Albspirit”, 27 Nëntor 2024 – – –

…shkrimi më i bukur (sa u përket politikave, rrafshit kulturor-politik) që kam lexuar ndonjëherë nga Ndue Ukaj (vetë e lexova në “Albspirit”, ndoshta publikuar dhe ndokund tjetër), ai shkruan majft shpesh, edhe unë vetë mjaft shpesh, dhe ok… por desha të them aty-këtu ndonjëherë padyshim dhe ia qëllojmë : ) sidoqoftë, unë s’di dhe aq për Kosovën, sepse sa më larg politikave, gjatë tërë vitit s’i shkruaj ndoshta as 4-5 shkrime fare shkurt për Kosovën, mirëpo Ndue ka burime më të besueshme, derisa unë vetëm në “vija të trasha” mund të skicoj ndonjë diç, ai i njeh më mirë politikat e atjeshme, njeh më shumë detaje, ca ditë më parë fliste për Albinin (z. Kurtin) si shembull jo dhe aq për lakmi i politikanit, Ndue e kritikon aparatin politik të Kosovës mjaft shpesh dhe pa ia vajtur rrotull, ua shkrep fare troç e direkt, sepse dhe i njeh politikanët e atjeshëm (pati qenë njëfarë “vegëze” dhe vetë, pati shërbyer një herë, a dy herë… nuk e di saktë), e di që komunikon me ta, e di që i përcjell sistematikisht – sot u pajtova me shkrimin e tij pothuaj 99.98 % : )
(s. guraziu – ars poetica, n 24)

– – – ngjitur më poshtë shkrimi i tij – – – –

Mjerë ata që u besojnë parullave e furisë së propagandës shtetërore
Ndue Ukaj (Albspirit, 27 Nëntor 2024)

Ndërkohë që në Kosovë furia e propagandës shtetërore flet për luftë, fabrika për monicion, e oborrtarë palaço, pa e distiluar fare budullallëkun, e shfaqin ashtu hapur në publik, një vend i largët si Norvegjia themelon Çmimin Jon Fosse për përkthyes letrarë, njëlloj nobeli për përkthime letrare, në emër të këtij shkrimtari që vitin e kaluar ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi.
Një nga arsyetimet domethënëse të këtij shteti ishte se “për një gjuhë të vogël si norvegjishtja, puna e përkthyesve të përkushtuar është vendimtare…”.
Pra, norvegjezët, ashtu si suedezët, danezët e finlandezët e mendojnë veten si popuj të vegjël, prandaj i ruajnë si sytë e ballit aleancat, kurrë nuk mburren e kurrë nuk çojnë krye dhe punët kryesore i orientojnë kah vlerat njerëzore, që lidhen me art, shkencë, arsim, zbulime, fusha këto që sjellin progres e përparim.
Kjo ngjet ngaqë ata besojnë se te vlerat e kulturës, pra, thënë ndryshe, ata i zgjerojnë hartat kulturore dhe jo ato të fuqisë së propagandës e të egërsisë.
Pikërisht kjo është arsyeja, pse në hierarkinë e vlerave botërore, kur bëhet fjalë për mirëqenie, zhvillim e progres, këto shtete janë krye të listës.
Pra, ky është lajmi i bukur që i jep peshë botërore gjuhës e kulturës norvegjeze.
Kështu rritet një popull e kështu i zgjëron hartat e ndikimit, me vlera dhe jo me arrogancë.
Çfarë ndodh me ne? Çfarë lajmë prodhojmë ne? Si e mendojmë vetveten në hartën botërore?
Si bëhemi kaq të marrë dhe e shpërfillim faktin se këtu është aleanca më e fuqishme botërore e sigurisë dhe flasim me arrogancë për luftë?
Kosova, një vend i vogël, pa shkolla normale, me një tufë udhëheqësish thellësisht injorantë e të armiqësuar mes vete, me një universitet në gjendje të mjerë, me tekste shkollore për faqe të zezë, me një varfëri të gjithanshme e me njerëz që duan të ikin në perëndim, në vend se të flasë e të angazhohet për tema që e lidhin me vlera të përbotshme dhe i sigurojnë progres, qeveria e ndez makinerinë e propagandës dhe flet për luftë, retorikë të cilën e shpreh me goxha egërsi.
Dhe, siç ka thënë George Orwell “e gjithë propaganda e luftës, e gjithë ulërima, gënjeshtra dhe urrejtja, gjithmonë vjen nga njerëz që nuk luftojnë”.
Ky shkrimtar, dihet, ka shkruar një vepër profetike, duke thënë të vërteta të makthshme rreth fuqisë së pushtetit dhe propagandës shtetërore, që bluan jetët njerëzore, e aplikuar në formën më brutale, përgjatë sundimit të perandorisë së kuqe, ku miliona njerëz u dënuan, u vran e ndjekën pa asnjë faj.
Pra, sa herë ka propagandë shtetërore, ajo bëhet për t’i kufizuar liritë njerëzore.
Këta “barinjtë politikë” që flasin në emër të “berrave”, pra popullit, e kanë vetëm një qëllim: duan berrat t’i bëjnë ushqim për epshe politike.
Kaq e thjeshtë është kjo punë.
Mjerë ata që u besojnë parullave e furisë së propagandës shtetërore.