(s. guraziu – ars poetica, mars 2025)
Të gënjesh është sjellje universale njerëzore, është akt i ndërlikuar për ta arritur mashtrimin – shkruante autori Chris Drew, tek blogu i vet (diç si blog-faqe “phrasedictionary”). Ta gënjesh ndokend – pa e hetuar ai, ose ajo, se ke gënjyer – është aftësi e madhe.
Ashtu siç piktorët e aftë i përdorin nuancat e ngjyrave, lojën e dritë-hijeve të ndryshme, për ta krijuar një kryevepër magjepsëse, edhe gënjeshtarët e përdorin një gamë shumëngjyrëshe metaforash për ta shtrembëruar të vërtetën, për ta fshehur ose maskuar mashtrimin e tyre.
Autori fliste për plot metaforash lidhur me gënjeshtrën (si shembuj, dmth. në anglisht – kuptohet, secila gjuhë i ka “veglurinat” e veta) bie fjala, i kishte përmendur; “pikturo një pikturë ndryshe”, “lako të vërtetën”, “tëholloje, fijezoje të vërtetën”, “thuaj një gënjeshtër të bardhë”, “përrallizo”, “thur një fije (të vërtetë)”, “gatuaj libra”, “shtriq lesh mbi sytë e dikujt, mjegullo”, “bëhu ujk qaralaç”, “trego një përrallë të gjatë”, “zgjato të vërtetën”, “pretendo”, “keq-prezanto”, “bëje sheqerkë, mbështille me sheqer”, “(thuaj) gjysmë të vërtetën”, “(thuaj) të vërtetën e lëmuar, të rrëshqitshme”, “korrupto të vërtetën”, “shtrembëro të vërtetën”, “karamelizo, ëmbëlso të vërtetën”, “hijezo të vërtetën”, “anashkalo të vërtetën”, “shmang të vërtetën”… etj.
M’u ngjall buzëqeshja me “white lie” (gënjeshtër e bardhë : ) me “cry wolf” (ujk qaralaç) e edhe me ndonjë shembull tjetër. Shih pra, ka dhe “gënjeshtra të bardha” – por si, dhe pse na qenkan të “bardha” (në këtë rast i bie sikur vetë metafora rishtas na metaforizohet)?
Dmth. edhe mashtrimi merr forma dhe nuanca të ndryshme. Meqë, njësoj siç artistët i zgjedhin me kujdes penelatat e tyre, brushat, ngjyrat, stilet, temat etj., edhe gënjeshtarët i përpunojnë narrativat e tyre me fjalë, përdorin lloj-lloj stilesh marramendëse, i hijeshojnë dhe na trullosin thuase na qenkeshin magjistarë.
Me fjalët, me inteligjencën, me imagjinatën; duke pikturuar tabllo të ndryshme të paqena, tabllo të gënjeshtërta, duke e shtrembëruar të vërtetën, e edhe duke na i tërhequr “shtëllungat e leshit” para syve, ose duke na i mbuluar sytë me lesh (“pull the wool over someone’s eyes” dmth. “duke na i mjegulluar sytë” – siç ia themi ne në shqip). Ta thuash një “gënjeshtër të bardhë” (në të shumten e rasteve mjegullat janë të bardha, apo jo) nënkupton se personi duhet t’jetë i zgjuar, i mprehtë nga mendja dhe mjaft i shkathët me bagazhin e fjalëve. Vetë të folurit ashtu (me stil të nivelizuar), me fjalë të zgjedhura, me fjalë të matura, gjoja me “sensin e lartësi-inteligjencës”, personin gënjeshtar sikur e sjell në “delirin” e kënaqësisë. Gënjeshtari ashtu sikur e “konfirmon” sa për vete lartësinë e inteligjencës së vet.
Gënjeshtra e “bardhë” është gënjeshtër që përdoret për ta ruajtur gjoja mirësjelljen dhe për ta shmangur shkaktimin e lëndimit (psiko-ego-logjik, meqë kuptohet, sedra e njeriut lëndohet lehtë, dihet kjo punë). Vënia në punë e metaforizimit në stilin “gënjeshtër e bardhë” thuase mëton justifikimin se gënjeshtra gjoja nuk përdoret me qëllim të keq, përdoret sepse duhet, është e “gënjeshtër e nevojshme”. Andaj s’ka si shmanget më “sjellshëm” se kaq, dhe kështu dmth. fjalët e përdorura e paraqesin një version të rremë por gjoja qëllim-mirë, një “pikturë” mashtruese të ngjarjeve (sepse e nevojshme). Dmth. edhe qëllimi i moslëndimit momental me fjalë nuk është plotësisht i sinqertë, mirëpo gënjeshtari pretendon sëpaku ashtu “ruhet mirërjellja” (e atij vetë, si gënjeshtar : )
Dhe dmth. e qartë, nëse i zgjuar nga mendja, nëse posedon një bagazh inteligjent të fjalëve, sepse ke lexuar gjatë jetës panumër romane, dhe ke akumuluar fjalë, i ke mbushur silosët me fjalë, tashmë e ke dhe përvojën jetësore, merresh ndoshta dhe me letërsi, ndoshta ke studiuar dhe gazetari (ec e dije) etj. etj. tani e ke gjuhën e zhdërvjellët në televizion, i drejton “opinionet” si prezent-ator, i drejton spektaklet, ke aftësi për gjithçka të show-bizave, për gjithçka të TV-firmave, për gjithçka të gazetave, për gjithçka që ka t’bëjë me masat, që u serviret masave, fare lehtë mund t’shkruash dhe libra (nëse eventualisht të frymëzohesh)… pa le të ujdiset ndonjë “gënjeshtër e bardhë”.
E sidomos, e sidomos (sikur po thosha më vete : ) imagjino nëse e ke zbuluar faktin që zotësia jote më e madhe e jetës është politika. E ke mësuar këtë fakt… dhe tashmë s’di të ndalur duke i “metaforizuar” të vërtetat politike. Qoftë të vërtetat e partisë sate, qoftë politikat bashkiake (komunale), rajonale, provinciale, vendore, federale, konfederale, evropiane, e ndoshta madje dhe “politikat internacionale”.
Anise, kuptohet, të gjithë politikanët pakashumë e kanë njëfarëlloj “karriere të ngritjes”, e kanë njëfarë udhe, nisen nga diku dhe ngjiten andej… përpjetës – përndryshe rrallë e hiçkush, vetëm 1 Trump, s’ka tjetër përjashtim. Vetëm ai si raketat e Elon Musk, nga hiçi i politikës, nga zero-ja e bazamentit fijuuuu e drejt e në Olimp, sakaq President Federal, atje në majë.
Thuhet se për Trump, fajet që ai është tashmë Trumpident, i ka askush tjetër por ish-Presidenti Obama. Dhe mendoj se është e saktë kjo “teori”, sepse e di historinë. Thuase për gjithçka (si shkas) pati shërbyer çertifikata e lindjes, Obama mezi e pati gjetur çertifikatën që i duhej, dhe pastaj i qe revanshuar Trumpit, e pati “turpëruar” publikisht duke e bërë Shtëpinë e Bardhë “rozë”. Dhe atëbotë Trump qe betuar, nëse Amerika mund ta ketë një Çoko-President, atëherë do bënte gjithçka për t’u bërë dhe ai vetë Trumpident. Dhe ashtu pati bërë, ashtu pati ndodhur.
Por pra Trump është shembull i “izoluar”, shembull i rrallë, aq i rrallë, s’ia vlen as të përmendet madje si shembull. Ç’është e vërteta ishte dhe Schwarzenegger dikur, por dhe ai njësoj, moti ishte dhe kjo punë : ) Ndryshe nga “terminatorët” e Hollivudit, Schwarzenegger i politikave do i kishte 2 herë, dhe pastaj kurrë s’tha më “I’ll be back”, e la me aq : )
Rea Shundi: A ka gënjeshtra të bardha dhe të zeza? – Një rezyme e njeriut të qytetëruar
Po çfarë është pra një gënjeshtër e bardhë – veçse një gënjeshtër e pranuar universalisht (të paktën nga shumica, për hir të leverdisë) si më e dobishme se sa e dëmshme.

Rea Shundi, Vëzhguese dhe mendimtare kritike, analizuese, punuese në grup dhe e udhëhequr nga aftësive e veta; Certifikata: Diplomacia Globale – Universiteti i Londrës, Nëntor 2017
Mos do të thotë kjo dhe se ka raste kur e vërteta është e dëmshme? Shumë do të binin dakord që po. Kurse unë jam e mendimit se e ajo thjesht nuk mund të pranohet nga të gjithë. Në fund të fundit, e vërteta është e zhveshur dhe e drejtpërdrejtë. Dhe nganjëherë, traumatike.
Gënjeshtrat, ashtu si dhe veprimet, mund të kategorizohen për nga qëllimi i tyre parësor. Dikush që thotë një gënjeshtër të bardhë, do ta mbrojë dikë nga paaftësia e këtij të fundit për ta përballuar siç duhet të vërtetën. Kurse një gënjeshtër e mirëfilltë, një mashtrim, nuk ka të bëjë me ndjenjat aspak, por me përfitimin.
Për të filluar gjetjen e një përgjigjeje sa më pranë të vërtetës, unë besoj që është e sigurt të pranojmë që nuk ka asnjë njeri që nuk ka gënjyer dhe nuk gënjen. Me një fjalë, e gënjeshtërt është ajo që nuk është e vërtetë. Dhe këtu qëndron kleçka e parë: sa të aftë jemi ne për të dalluar të vërtetën, dhe a jemi të gatshëm ta pranojmë?
Pozicionin e më pas vlerën tonë në shoqëri, arrijmë t’i kuptojmë nëpërmjet vetëdijes. Duket se vetëdija është ndërtuar tek ne dhe zhvillohet nga këto nevoja. Vazhdimisht dhe pa kuptuar marrim sinjale nga të gjithë se si duhet të sillemi, si mund të flasim dhe madje çfarë duhet të ndjejmë. Rezultati përfundimtar është ai që mund ta quajmë “një qytetar i civilizuar”. Ky megjithatë nuk është aspak një kompliment, paçka se shpesh konsiderohet si i tillë. Qytetari i civilizuar, në thelb, ka arritur të perfeksionojë artin e mashtrimit të bardhë.
Në gjendje të lirë, nëse neve nuk do të na duhej të përballeshim me sfidat e mbijetesës dhe jetës, s’do të duhej mbase as të kishim një vetëdije dhe as nuk do të duhej, më pas, të gënjenim.
Kompetenca e madhe midis kaq shumë njerëzve, aq më tepër në një botë demokratike, krijon sistemin më të fortë hierarkik dhe forcat më brutale të përzgjedhjes. Nuk është e lehtë të jesh “i barabartë” me të gjithë përpara ligjit, pasi asgjë nuk të bën të veçantë. Dhe për të qenë i veçantë përpara ligjit, vetëm mund të bëhesh.
Me punë mund të arrihet një përmirësim i madh, por kurrsesi ideja jonë e perfeksionit.
Njeriu nuk mund ta dijë kurrë me siguri se sa të vërteta janë ato që di për veten e tij. Ai mundet vetëm të shënjëstrojë disa prej tyre, dhe të sigurohet për punën që do të bëjë për t’i arritur ato.
Po çfarë është pra një gënjeshtër e bardhë – veçse një gënjeshtër e pranuar universalisht (të paktën nga shumica, për hir të leverdisë) si më e dobishme se sa e dëmshme
Mos do të thotë kjo dhe se ka raste kur e vërteta është e dëmshme? Shumë do të binin dakord që po. Kurse unë jam e mendimit se e ajo thjesht nuk mund të pranohet nga të gjithë. Në fund të fundit, e vërteta është e zhveshur dhe e drejtpërdrejtë. Dhe nganjëherë, traumatike.
Gënjeshtrat, ashtu si dhe veprimet, mund të kategorizohen për nga qëllimi i tyre parësor. Dikush që thotë një gënjeshtër të bardhë, do ta mbrojë dikë nga paaftësia e këtij të fundit për ta përballuar siç duhet të vërtetën. Kurse një gënjeshtër e mirëfilltë, një mashtrim, nuk ka të bëjë me ndjenjat aspak, por me përfitimin.
Me një fjalë, mund të kryej më një gjest fisnik, duke gënjyer, po në të njëjtën mënyrë se si dikush shndërrohet “hero” duke vrarë.
Vetëm duke peshuar pasojat e veprimeve, mund të inkurajohemi për t’i kryer ato më pas. Në fund jemi po gënjeshtarë, e po vrasës, por me titull e mbase dobi. Qytetari i civilizuar di të lexojë përmes tyre. Atij i është dashur të mësojë të flasë e veprojë nëpërmjet këtyre kodeve, dhe këtu qëndron suksesi i tij. Ai manipulon të vërtetën dhe nuk e njeh ndjenjën e fajit, pasi ajo i zë rrugën për të përparuar.
Për të tjerët, njerëzit e ndershëm, që nuk kanë vrarë e nuk kanë dashur kurrë të gënjejnë, ai paraqitet si shembulli për t’u aspiruar. Ata fajësojnë inkopetencat e tyre të lindura për pamundësinë e arritjes atje. Pjesërisht është e vërtetë. Sepse jo të gjithë kanë aftësinë për t’u bërë “i keq, për hir të së mirës”. Nuk ka dy të vërteta, ajo është një. Çdolloj version tjetër i saj, që vjen i vagullt, me shumë kuptime dhe që nuk dihet si mund të interpretohet ka pikërisht veçoritë e gënjeshtrës.
Që nga fëmijëria, më pas gjatë viteve të shkollës e deri në hedhjen në tregun e punës, njeriu kalon disa peripeci sprovimi. Ai testohet vazhdimisht, duke u manipuluar dhe gënjyer. Dhe këto gënjeshtra atij i paraqiten sigurisht si të vërteta absolute, i vijnë të këndshme dhe të pranueshme. Jo të gjithë i kalojnë testimet. Njerëzit ose bien pre e gënjeshtrave të bardha, ose vazhdojnë e mbledhin konfuzion e shqetësim përbrenda. Dhe njeriu natyrshëm nuk preferon të jetojë në tension e me shqisat e mprehura vazhdimisht në vend të qetësisë e rehatisë. Vetëm ata që mund të pranojnë se gjendja e natyrshme e njeriut është shqetësimi mund të fillojnë të progresojnë drejt të vërtetave të tjera.
Megjithatë, askush nuk mund të thotë se njeriu duhet të jetë i fortë në vend që të jetë i dobët. Këto nuk janë vlera, vetëm zgjedhje. Por unë prirem të them se çdokush është i lindur me një të dhënë për t’u bërë i fortë ose për t’u nënshtruar ndaj rehatisë.
Në fund të fundit, mund ta përdorim gënjeshtrën për t’i fshehurin kompetencat dhe dobësitë tona, në vend që të punojmë drejt përmirësimit të tyre. Mund të bëhemi të zotë t’i bindim njerëzit për të kundërtën, mund të bindim madje edhe veten.
Mbase, nuk është as e vështirë për t’u bërë. Por e vërteta nuk të fal kurrë rehati të përhershme. Ajo të jep siguri, por të hap rrugë të tëra sfidash. Çfarë ndodhet në fund të tyre, është vend i privilegjuar vetëm për ata që guxojnë të dinë.
[ material i perkthyer, publikuar ne revistën “Psikologjia”
http://revistapsikologji.com/nga-rea-shundi-a-ka-genjeshtra-te-bardha-dhe-te-zeza/ ]
[ shtojcë ]
[ sipas meje, psikologjia nuk është shkencë, në kuptimin e ekzaktesisë shkencore, no way… tani për tani (unë personalisht nuk e pranoj, nuk e njoh si shkencë), sikur që nuk është “shkencë” as letërsia, si shembull dmth., dhe plot tjera fushash të aktivitetit njerëzor, e saktë se janë rritur tepër si literaturë, janë mbushur bibliotekat e botës me mençurinë tonë, me miliarda ide, opinione, hamendësime… dhe na duhet t’i studiojmë si specializime veç e veç, nga institucionet arsimore (universitetet) janë krijuar ca “standarde” që i lehtësojnë sadopak gjërat për studentët, janë caktuar psh. 4-5 vite si interval studimor (për ta “arritur” një diplomë), por kjo është diç tjetër, bie fjala sistemimi dhe organizimi i “shtepisë”, sistemimi i rraçeve dhe plaçkave është gjithmonë diç tjetër, materia e stërmadhe sa një Everest a univers nuk e bën psikologjinë shkencë, na duhen 4-5 vite për diplomën sepse s’mund t’i kapërthejmë materialet, profesorët i filterojnë gjërat më të “besueshme”, idetë që përputhen sadopak me njëra-tjetrën dhe u thone studenteve “ja këto duhet t’i fusni në kokë” (dmth. si rrugë më e shkurtër e nxënies) por kjo s’duhet t’na e krijojë pandehmën se na qenkan “shkencë” – psikologjia është një grumbull i stërmadh pervojash dhe hamendsimesh lidhur me psikën e njeriut, literaturë e grumbulluar përgjatë qindra e qindra viteve (grumbull i madh literaturash është dhe astrologjia psh. sidomos 2-3 dekadat e fundit me buuumin internetik, na janë krijuar nja 5-6 oqeane astrologjike, përplot me ide, profeci e mençuri, por vështirë se mund të konsiderohen “shkencë” : ) – e qartë se vetë autorja Shundi sikur është duke na “genjyer” rreth gënjeshtrës, gënjeshtrim qetas me stilin e saj të bardhë, psikologjik – me vjen keq por gënjeshtra ngelet gënjeshter, tingëllojnë “akademikisht” artikujt e kesaj natyre por ta ujdisesh një gënjeshtër të bardhë dhe ta justifikosh gjoja me “shkencën psikologjike”, s’është asgjë më shumë sesa një gënjeshtër e moderuar “bardhoshe” : ) – s. guraziu – 16 mars 2025]