Rosa Centifolia – “100-petalet holandeze”, dhe Chanel No 5!

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018

(…parfumet e reja krijohen ngjashëm siç pikturohet një pikturë, siç kompozohet një simfoni – parfumerët i përdorin materialet e tyre njësoj siç i përdorin piktorët ngjyrat, muzikantët notat e veta – M. Edwards)


Grafika: Trëndafili me “100 petale”, Rosa Centifolia, dhe “Fragrance Wheel”, nga Michael Edwards

Sot “kryeqyteti botëror i parfumeve” ndodhet në Francë, Evropa sikur i prin artbërjes sa u përket aromatikave, në mbarë botën janë të famshme markat evropiane të “fragrancave”. Mirëpo ekspertiza dhe teknikat thelbësore qenë “importuar”. Gjithsesi me zhvillimet e shkencave të Kimisë dhe të tjera, sot në industrinë e parfumerisë ingredientet sintetike ose artificiale janë kapitull në vete, përbërësit sintetikë janë po aq të rëndësishëm në parfumerinë moderne, dhe formulat laboratorike janë të pandashme… sinergjike me “formulat” natyrale.

Kur në vitin 1922 arkeologët e hapën varrezën e Tutankamonit, një nga gjërat e “habitshme” ishte një miksturë vaji e cila ende ishte aromatike! Për arkeologët ishte e qartë, arti i parfumerisë në Egjiptin e lashtë ishte aq i sofistikuar. Parfumet dhe vajrat aromatike janë përdorur e zhvilluar nga egjiptasit që 5000 vjet më parë. Ky zhvillim i aromatikave në luginën e Nilit do t’i frymëzonte dhe kulturat tjera të lashta. Në Greqi atletët e lyenin trupin me vajrash aromatike, nëpër bankete romakët rifreskoheshin aty-këtu me ujë të aromatizuar me lule.
Mirëpo teknikën e nxjerrjes së vajrave nga lulet përmes distilimit dhe përdorimin e “ingredienteve” ekzotike e zhvilluan persianët. Kjo ekspertizë u soll në Evropën Perëndimore në kohën e Kryqëzatave.

Ekspertët pohojnë se nuk ka prova shkencore që sugjerojnë se parfumet janë “afrodiziakë” (ose nxitës të seksulushizmit : ) ndonëse e qartë se parfumet janë të lidhura me seksualitetin tonë. Derisa sistemi limbik është kryesisht i “përkushtuar” ndaj aromatikave, ndikon dhe në reagimet hormonale e metabolike, dhe është qendra emocionale për dëshirën seksuale, për zemërimin, frikën, gëzimin. Kjo është arsyeja pse parfumet janë një eksperiencë aq emocionale. Varësisht prej ndjenjës individuale, por njeriu ia del t’i dallojë mes 5000 deri 10.000 nuancash aromatike – pohon Michael Edwards. Në pyetjen “si krijohet një parfum i ri”, përgjigjen ai e paska nisur duke shtruar pyetje: Si pikturohet një pikturë, si kompozohet një simfoni? E sigurt është se parfumerët i përdorin materialet e tyre ngjashëm siç i përdorin piktorët ngjyrat, muzikantët notat e veta – qenka shprehur.

***
“Rosa Centifolia” është një varietet i vjetër trëndafilash shumë aromatik, trëndafil hibrid i zhvilluar nga kultivuesit holandezë në periudhën mes shekujve XVII – XIX. Ky trëndafil i “holandezëve” kultivohet për aromën e veçantë – të pastër dhe të ëmbël, lulet vilen për prodhimin e vajit të trëndafilit, i cili kryesisht përdoret në parfumeri.
Për kultivimin është e njohur Franca, dhe atë një qytet specifik, i cili qytet e ka reputacionin si “kryeqyteti botëror i parfumeve”. Falë mikroklimës së përshtatshme, për kultivimin e “Rosa Centifolia” është i njohur qyteti Grasse (jo larg Monaco).

Shumë prej prodhuesve të mëdhenj të parfumeve, si Hermes, Chanel, Dior etj. furnizohen me lëndën e parë trëndafileske e jasemineske në Grasse. Thuhet se vjelja vjetore e “Rosa Centifolia” në Grasse është thellësisht tradicionale. Unë vetë s’kam qenë në Grasse por njeriu mund ta merr me mend “delirin” ajror të atjeshëm, ngopur me molekulat aromatike 🙂 Për tre javë, duke filluar nga fundi i Prillit ose Majit, fushat e trëndafilave mbushen me gra e vajza që i vjelin lulet një e nga një, me duart buta i shprishin petalet dhe i vendosin butësisht nëpër shportat a strajcat e veçanta.

Nga autori M. Edwards mësova se Coco Chanel na paskësh qenë i pari t’i inkurajonte prodhuesit e parfumeve të orientoheshin rreth parfumerisë sintetike. Dhe kështu na paskësh lindur “Chanel No 5”, parfumi i parë aldehidik përzier me lulet natyrale, një “buqetë” dominuese nga notat e buta dhe të pastra të aldehideve sintetike, përzier me jaseminët më të kushtueshëm dhe me trëndafilin “Rosa Centifolia” nga Grasse.