Interneti, si parcelat e Muzeqesë, si grunajat e Dukagjinit!

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2013 (Qasje me nga ndonjë kokërr “ironike” aty-këtu, pa të keq : )

(…amishët ishin dikur dhe akoma janë ngapak “skeptikë”, s’para i pëlqejnë teknologjitë – amishët janë amishë! – nëse i lexojmë poezitë e Bodëlerit në Internet, poezitë e tij nuk do t’konvertohen në “cyberpoezi”, ato s’do t’jenë as më pak dhe as më shumë nga çfarë ato ishin – do jenë rishtas poezi. Poezitë e Bodëlerit edhe në “screen” na e dhurojnë të njëjtën shije, e përcjellin të njëjtën ndjesi… pra në rastin e poezive bodëleriane s’jemi duke i “ngatërruar” disa gjëra, jemi duke i përjetuar gjërat ashtu siç janë, dhe siç duhet…)

Në një shkrim të autorit Xhemal Ahmeti, me titull “Revolta e shkronjave” (2 Nëntor 2013, shpërndarë nga ai sot) hasa rishtas fjalën “cyberpoetika”, e cila fjalë ishte përdorur aty diku si mestitull. Po bëhen ndoshta 2-3 apo 3-4 herë që autori Ahmeti e përdor atë fjalë (për herë të parë e pati përdorur – nëse s’gabohem, atëherë si titull – në një shkrim eseistik, para ndoshta 10 viteve), dhe secilën herë sikur kam përshtypjen që ajo fjalë përdoret gabimisht. Po e lë me kaq, po them vetëm “gabimisht”, sepse s’ma merr mendja që autori e ka përdorur si fjalë për të “përbuzur” a “diskriminuar” autorët që krijimet e tyre i publikojnë vetëm në Internet (ose më mirë e thënë + në Internet – pasi besoj 99.9 % të autorëve ashtu ia kanë bërë gjithmonë, dhe ia bëjnë akoma).

Askush s’e mohon tutje platformën alternative të publikimit, së paku “internetikja” kurrë nuk mohohet kur është fjala për “promovimet” e krijimtarisë. Jam marrë me portalin e parë (të botës mbarëshqiptare – në atë portal kanë kontribuar aq shumë poetë dhe autorë të ndryshëm, e edhe vetë autori në fjalë, Xh. Ahmeti) ku publikoheshin gjëra për artin, kulturën dhe letërsinë shqiptare, jam marrë me “seguraweb” (ashtu quhej) për 4-5 vite me radhë, nga 2001 deri 2005.

Natyrisht, amishët ishin dikur dhe akoma janë ngapak “skeptikë”, s’para i pëlqejnë teknologjitë – amishët janë amishë! Mirëpo sot, pothuaj s’ka autor të kësaj bote që nuk thotë diku në Internet (qoftë madje dhe vetëm në Twitter, a në Facebook):
ja këto janë publikimet e mia, titujt e librave dhe vjershat mund t’i gjeni “këtu”, ndërsa disa poezi të mia janë publikuar në këtë revistë… e cila revistë e ka faqen “këtu”, disa tjera shkrime janë “këtu”, disa “këtu”… dhe “këtu”, disa që janë përkthyer mund të lexohen “këtu”, disa ese dhe gjëra të mençura janë “këtu”, kritikat “këtu”, studimet “këtu” etj. etj.).

Në rregull, pse jo… s’ka asgjë të keqe në praktikat moderne, përkundrazi, përdorimi i “dy lugëve” nga autorët është po aq normal sa dhe vetë tundimi për të “shkruar” – thjesht ia vlen të ceket ky “ves i skepticizmit tonë”, dhe ja e cekëm, tani le t’i rikthehemi fjalës “cyberpoetikë”!

***
Për botën anglishtfolëse “krijimtaria digjitale” është një formë e re krijimesh. Bie fjala “poezia digjitale” i takon këtij zhanri (nganjëherë e quajtur e-poezi, poezi elektronike ose cyber-poetry). Them për “botën anglishtfolëse” qëllimisht, sepse tekefundit të gjithë termat lidhur me “elektronikat” dhe me “digits” vijnë nga kjo gjuhë. Por dhe sepse akoma gjërat nuk janë përcaktuar aq sa duhet qartë, ose jo ashtu siç duhet. Nuk ka aq shumë autorë që të jenë marrë me këtë “problematikë”, disa që kanë shkruar, gjërat e definuara dhe propozimet e tyre si “opinione” nëse ishin impresive… ta zëmë për vitet ’90, sot nuk janë adekuate ose janë të mangëta, dhe duhet përplotësuar.

Krijimtaria “letrare digjitale… apo elektronike” është një fushë relativisht e re e letërsisë, dihet pra, shumica e krijimeve në këtë “zhanër” janë shkruar nga vitet ’90 e këtej. Kufijtë e kësaj krijimtarie janë larg për të qenë të përkufizuar definitivisht, pjesërisht për shkak se ajo mbetet si një formë artistike në zhvillim e sipër, akoma nuk e ka marrë trajtën përfundimtare. Por dhe sepse ajo përputhet me letërsinë tradicionale, ose është nën “mbulojën” konstante të shumë formave të tjera tradicionale të letërsisë dhe të artit. Ose, dhe ndoshta ajo kurrë s’do jetë ndonjë formë në vete, formë e veçantë, e “kulluar”.

Psh. disa forma që mund t’i përshkruhen “letërsisë digjitale, elektronike” mund të jenë: hiper-teksti fiksional, krijimet artistike që e kanë “kohën si bazë” (ashtuquajtur në botën anglishtfolëse: “time-based art”), pastaj net-arti, instalimet e ndryshme, poezia e performancës dhe audio-poezia. Po ashtu këtu mund të futen dhe zhanret që jo domosdoshmërisht konsiderohen art, të tilla si p.sh. realiteti virtual, lojërat kompjuterike etj.

Dmth. bazuar në këto pak fjalë që i cekëm më lart, jo me shaka por mirëfilli mund të flitet për “letërsi digjitale, elektronike”. Në faqen si vijon ka një formë të veçantë krijimesh letrare, ku shenjat binare dhe ndëraksioni mes elementeve të ndryshëm janë pjesë përbërëse të krijimeve. Koleksioni quhet “Electronic Literature Collection” [ http://collection.eliterature.org/1/aux/authors.html ]

Nga ana tjetër, ne s’do harrojmë që e kemi dhe ndasinë kur është fjala për vetë artin tradicional, të cilën “ndasi” duhet ta marrim për zemër. Duhet patjetër, sepse kemi dy gjëra fare të ndryshme në natyrën e tyre, e që të cilat quhen Medium dhe Krijim. Ne s’mund t’i shmangemi kësaj “ndasie”, por më e hijshme do ishte nëse “vullnetarisht” ta kemi parasysh, nëse dëshirojmë që t’mos ngatërrohemi dhe të ngelemi tutje në vetvete të pllakosur nga keqkuptime të tjera.

Mendoj se zakonisht nuk i “ngatërrojmë” gjërat, në të shumtën e rasteve nuk i ngatërrojmë. Sepse e dimë, poezia mund të ruhet madje dhe në mbamendje, pa e hedhur as në letër dhe as në ndonjë medium tjetër. Në këtë rast si “medium” është vetë një “accesoire” biologjike, na shërben vetë mbamendja si medium. Të njëjtën poezi ne mund ta “artikulojmë” sa herë t’na duhet duke e “lexuar” në mbamendje, siç do ta bënim dhe me leximin në letër. Tjetër është që ne s’kemi mbamendje aq të përkryer…

Për hir të (mos)ngatërrimeve, “back to basics”!

Për ta mundësuar përdorimin e saj, poezia “ruhet” në letër në formën e shenjave (si ruajtje “pasive”), dmth. letra pastaj bëhet libër – bukur shumë. Nëse ta krahasonim me ruajtjen elektronikisht (në një aparat, cilido qoftë) ka shumë dallime, por një diç është e jashtëzakonshme si veçanësi: tani ekziston mundësia për “ruajtje aktive” të shenjave. Meqë është kështu, meqë kemi mrekullinë: “aktive”, atëherë mund dhe ta lidhim atë aparat, që ai të komunikojë me të tjerët “sivëllezër” të vet, dmth. që të ketë ndërkomunikim makinal.
Ne s’i shohim kurrë, por ka panumër ndërtesash me kushedi sa m2 sipërfaqe, mbushur me panumër aparate që pandalë vërtisin “disqe”. Gjithçka ruhet në “clusters” të miliarda disqeve… lidhur mes vete, si rrjetë. Dhe kështu besoj pati lindur Interneti, ky rrjeti që e njohim sot.

Por dhe “rrjeti” ka mangësi, Interneti nuk mund të funksionojë pa “memorie” dhe ndëraksion. Tingëllon qesharake, ndoshta tingëllon dhe “ironike”, por njëjtë është dhe në dimensionin real, e njëjta vlen dhe për vetë njeriun. Pa mbamendjen as “ndërkomunikimi” njerëzor nuk do ishte çfarë ai është. Ne s’do ia dilnim kurrë të komunikojmë mirëfilli sikur t’mos i mbanim mend ato “që sapo thamë”…, imagjino sikur të harronim secilën sekondë se “çfarë duam… të thoshim” 🙂
Mirëpo nëse i shtypim diku ato që kemi ndërmend… t’i themi, ato do t’ruhen – sipas meje pakashumë kështu dhe i patëm shpikur shenjat, shkrimet, rrasët, pllakat, letrat… librat etj., aspak më ndryshe!

Për ata që nuk e duan Internetin, e lehtë ishte dhe mbetet, ata do t’rrinë vetë larg tij. Amishët kurrë s’e përdorin, Interneti është shpikje “amerikane” por aq iu bënë amishëve.
Për ata që “gravitojnë mes virtualizmit dhe letrës”, që kanë vesin edhe=edhe por që megjithatë i ngatërrojnë “hesapet”, kam një propozim për t’i lehtësuar gjërat. Në rastin e poezive, në rastin e shkrimeve, Interneti ndoshta nuk duhet parë ndryshe por thjesht si një letër e sheshtë dhe e paskajshme. Dhe kuptohet, meqë diç virtuale nuk mund të paloset, është ndarë në parcela të panumërta, si parcelat e Myzeqesë, si grunajat e Dukagjinit… Mes këtyre parcelave ka panumër shtigje të ndryshme, secila parcelë ka një adresë, vuloset diç si adresë.
Ne madje dhe me letrën reale mund t’ia bëjmë njëjtë, imagjino Paqësorin… Atlantikun si letër të bardhë dhe të ndarë në miliarda parcela – ndonjëra prej tyre është e jona me “tapi” dhe kemi të drejtë të shkruajmë, të fshijmë… Ja, mbase më e lehtë do ishte kështu, asgjë s’do të ngatërronim.

Nëse pandehim t’i ruajmë poezitë në “letër virtuale” përgjithmonë, bah… aty do zhdukeshin sapo të mbesim pa dritat e elektrikat. Nuk do t’ruhen me garanci, nuk ka “garanci” 100% as në letër… por aq na bënë, tekefundit “letrën virtuale” e përdorim përkohësisht. Ose i përdorim të dyja, pse jo, kush na e ndalon!? Gjithsesi për garanci të ruajtjes sa më të gjatë të vjershave është mirë t’i shkruajmë nëpër faqe shpellash e zgafellash. Nëse ato shenjat e njeriut parahistorik u ruajtën kaq bukur deri sot, imagjino sa gjatë do ruhen vjershat tona, imagjino… tani kemi dhe lapsash me majë diamanti për të gdhendur. Obobo, çfarë patën hequr paraardhësit e poetikave, poetët e së kaluarës patën vajtur dëm, s’patën as gjilpëra prej ashti… pa le më drita, elektrika apo dalta me majë diamanti, hiç se hiç!

Qëkur i kemi qartësuar disa gjëra për veten, atëherë s’do t’i ngatërrojmë as “mediumin” e “krijimin”, atëherë ashtu-kështu nuk do ta ngatërrojmë asnjë formë të krijimit artistik. Nuk do t’i klasifikojmë gabimisht, kur duhet e kur nuk duhet… dashtas a padashtas, poezitë e botës t’i konvertojmë në “tradicionale” apo në “digjitale”, t’i etiketojmë si “cyber-poezi”.

Nëse i lexojmë poezitë e Bodëlerit në Internet, poezitë e tij nuk do t’konvertohen në “cyberpoezi”, ato s’do jenë as më pak dhe as më shumë nga çfarë ato ishin – do jenë rishtas poezi. Pra në rastin e poezive bodëleriane nuk jemi duke i “ngatërruar” disa gjëra, jemi duke i përjetuar gjërat ashtu siç janë dhe siç duhet. Poezitë e Bodëlerit edhe në “screen” na e dhurojnë të njëjtën shije, e përcjellin të njëjtën ndjesi. Apo mos t’i përmendim fare poetët e mëdhenj, sipas meje e njëjta vlen dhe për poezitë e mia, si poet i panjohur.
Pyetja ime është: pse të ngatërrohen pra termat pa nevojë, pse nuk e pyesim kurrë veten si artikullshkrues apo dhe vetëm si lexues; poezitë e Bodëlerit s’janë kurrë “cyberpoetikë”, vallë pse?!

Ne pra gjithmonë do t’flasim për “poezinë në ambientin virtual” (ndoshta ata të botës anglishtfolëse do thoshin: poetry in the virtual environment), do t’flasim për “poetikat në cyber-hapësirë” (poetics in cyberspaces), për “shkëmbime poetike në një cyber-kafene, në një forum” (poetry sharing in a cyber cafe etc.), do flasim për “publikime të poezive në një faqe personale” (publishing of things… in my personal website) etj. etj.
Në rastin e Bodëlerit nuk i ngatërrojmë gjërat, sepse fryma e poezisë tradicionale është diç e njëjtë, gjithmonë do jetë e njëjta, pavarësisht mediumit.

***
Mosngatërrimi i “mediumeve” dhe i “krijimeve” vlen gjithmonë, andaj s’duhet as t’i keqinterpretojmë gjërat nëpër shkrime. Përdorimi i termit “cyberpoetikë” vlen atëherë dhe vetëm atëherë nëse flasim për një zhanër të ri, kur krijimi letrar-artistik përdor ose inkuadron në vetvete elemente të mediumit elektronik, siç është rasti me “letërsinë digjitale”, me të cilën temë dhe e hapëm këtë vështrim. E thamë se janë një formë e veçantë krijimesh letrare, ku shenjat binare dhe ndëraksioni mes elementeve të ndryshëm janë pjesë përbërëse të krijimeve. Por prapë, nëse mëtojmë për dallime të mëdha ndoshta do ndesheshim me diç tjetër: cila ishte e para, teknologjia apo arti, “veza apo pula”?

Ndonëse e qartë, për këtë temë ia vlen të shkruhet eventualisht me një qasje tjetër, të rrahet kjo temë në formën eseistike, studimore… nga ekspertë dhe nga ata studiues që i njohin gjërat më thellë. Si referenca për lexim dhe thellime të mëtutjeshme për secilin lexues mbase mund të shërbejnë publikimet si vijon:

– Espen J Aarseth, “Cybertext: Perspectives on Ergodic Literature” – Baltimore & London: Johns Hopkins University Press, 1997
– Loss Pequeño Glazier, “Digital Poetics: the Making of E-Poetries” – Tuscaloosa & London: University of Alabama Press, 2001
– Norbert Bachleitner, “The Virtual Muse: Forms and Theory of Digital Poetry, in Theory into Poetry: New Approaches to the Lyric”- Amsterdam & New York: Rodopi, 2005
– N. Katherine Hayles, “Writing Machines” – Cambridge & London: MIT Press, 2002
– N. Katherine Hayles, “Electronic Literature” – Notre Dame, Indiana: University of Notre Dame Press, 2008

[ Piktura: Edward John Poynter (1836-1919) – Erata, Muza e Poezisë Lirike, 1870 ]