Mark Twain – Historia nuk përsëritet, ajo rimohet!

(s. guraziu – ars poetica, 27 mars 2025)

Para 2-3 ditësh, si mirënjohje për punën e tij të palodhshme rreth kauzave mjedisore, bamirësisë, shëndetit mendor etj., gjatë ceremonisë prestigjioze në kështjellën Windsor, Stephen Fry u nderua me titullin kalorës nga Mbreti Charles. Titulli “Knight” (Fisnik, Kalorës) është njëri nga nderimet më të larta në Mbretërinë e Bashkuar.

Lidhur me mirënjohjen në fjalë (të Stephen Fry), vetëm 1 ditë pas ceremonisë në Windsor, do ta ftonin në Holandë, i nderuari Fry do ishte i ftuar nga prezentatori Arjen Lubach. Më gjerësisht, pak më poshtë – Stephen Fry flet për tri C-jat e rrezikut, të ardhmërisë (ndaj nesh, ndaj shoqërisë, ndaj kulturës, ndaj shkencës së pafajshme etj.). Sfera kulturologjike, mediat sociale janë ndotur sa mos pyet, kultura në përgjithësi duke u helmatisur, ngjashëm si lumenjtë që i patëm ndotur e helmuar dikur gjatë “bumit” industrial.

Fry e përmend mentalitetin fashistoid të Evropës, të Amerikës, dhe faktin që shkrimtari Mark Twain pati thënë “Historia nuk përsëritet, ajo rimohet” – duke e paralelizuar të tashmen tonë me vitet ’30 të shek. të kaluar, kur shoqëritë thuase kapluar nga ngërçi e amullia s’bënin asgjë t’i kundërviheshin zezonës fashiste-naziste që po e ngryste horizontin.

***
Ndërsa para disa ditësh, unë vetë pata shkruar në një koment se si Youtube është bërë si një oqean i ndotur mozomokeq, si një Pangea toksike, një oqean i stërmadh toksik plot me video-teori konspirative, me “lajme” të rreme (fake news), me video pseudoshkencore, me çmos. E pata “kritikuar” administratën e Youtube që, duke i ndjekur “dollarët” dhe fitimiet ashtu në humnerën e grykësisë së verbër, i frymëzojnë dhe i përkrahin të ashtuquajturat “clickbait-teknika”.

Mashtrimet me “clickbait” në Youtube i referohen përdorimit të video-ballinave mashtruese, të titujve manipulativë, të përshkrimeve mashtruese për t’i joshur vizitorët që të klikojnë në videot. Ka me miliona, në mos miliarda video toksike në YouTube. Videot e tilla janë “gjeneratori” i mbijetesës së YouTube. Jo nga gjithkush por disa teknika të tilla të joshje-klikimeve shihen gjoja si strategji të padëmshme marketingu, megjithatë të gjitha ato “joshje-teknika” janë manipuluese dhe joetike – kjo sipas mendimit tim.

Pasi videot prapa joshjeve “clickbait” mund t’kenë gjithashtu përmbajtje mashtruese, videot e tilla jo vetëm që “ndotin mendjen” e njerëzve, jo vetëm e ngulfasin arsyen, dhe e dëmtojnë demokracinë, por gjithashtu e ndotin dhe planetin (i referohesha këtu ndotjes marramendëse të YouTube, përdorimit monstruoz të energjisë elektrike).

Dy vite më parë, në shkrimin “Zhvillimet teknologjike – Energjia dhe IT-industria”, 2023, i pata përmendur statistikat e trishta – “…përdorimi vjetor i energjisë elektrike nga Youtube mund ta furnizojë një familje amerikane për rreth 2 miliardë vjet, ose mund t’i furnizojë 127 milionë familje amerikane (pothuaj gjithë Amerikën) për rreth 8 vjet, Youtube i përdor rreth 243.6 TWh… Video-kanalet e vetëm 4 këngëtarëve, Justin Bieber, Katy Perry, Ed Sheeran, Taylor Swift, në v. 2019 i kishin 68 miliardë shikime, konsumi i energjisë elektrike nga kanalet e tyre ishte 9180 GWh – me këtë energji mund të furnizoheshin 850.000 shtëpi amerikane për një vit të tërë…”.

***
Pra siç e cekëm në hyrje, vetëm 1 ditë pas ceremonisë në Windsor, të nderuarin Stephen Fry do ta ftonin në Holandë, i nderuari Fry do ishte i ftuar nga prezentatori Arjen Lubach (për emisionin “Lubach” – tashmë pronë eter-ike e RTL të Holandës). Do ishte emisioni i parë nën kulmin e RTL-së, e dija shkakun e ftesës nga Lubach, por nuk dija se për çfarë do flisnin, natyrisht. Ishte intervistë me 2 pjesë të shkurta (njëra pjesë vetëm për YouTube, meqë koha e programaturës së RTL mbase do ketë qenë e ngjeshur), pjesa thelbësore e 2 copëzave të intervistës (që më interesonte) s’do ishte ndoshta më gjatë se 10 min. Po jua sjell përgjigjet e Stephen Fry (aty-këtu të shkurtuara), rreth 2-3 çështjeve mjaft intersante që u përmendën gjatë intervistës.

| – – –
Ka mënyra të ndryshme për t’folur për mitet. Joseph Campbell mitet i quante “ëndrra publike”. Mitet janë ëndrra publike, është pasqyrim se si ndihemi (si masë, si publik). Psh., në ditët tona të gjithë flasin për Inteligjencën Artificiale, rreth idesë se IA do evoluojë në diçka që ne s’mund ta kontrollojmë. Kemi krijuar entitete, i kemi krijuar një lloj ‘krijesash’ që mendojnë. Në rregull, a qartë se ato ende s’munden mirëfilli ta bëjnë këtë, por kushedi, ndoshta një ditë dhe do munden të mendojnë. Dhe kjo është ajo nga çfarë ne kemi frikë.

Mendoj se grekët e lashtë ishin diç si pararendja jonë sa u përket të “tilla” frikërave. Ata thoshin se perënditë na krijuan neve, se zotat i krijuan njerëzit (këtu Stephen Fry flet për Zeusin si kryezot i Olimpit, për drojën e tij, për ‘gabimin’ e Prometeut, për zjarrin që Prometeu ia fal njeriut… jo vetëm ‘zjarrin’ si epërsi për t’i krijuar dhe përdorur teknologjitë, por dhe zjarrin e brendshëm, për ambicjet dhe shtytjen, pastaj si Zeusi e dënon Prometeun etj).

Tani kemi arritur në të njëjtën pikë të historisë. I krijuam krijesat makinale, gjysma e njerëzimit thotë: Mos ua jepni vetëdijen. Ne s’duhet të kalojmë nga IA në IPA (Inteligjencë e Përgjithshme Artificiale). Nëse e bëjmë këtë, ato krijesa makinale një ditë mund të duan t’na heqin qafe. Atëherë ne jemi kthyer në diç si ato perënditë e dikurshme.

Ndoshta kjo ka ndodhur dhe më parë (ndoshta i njëjti cikël duke u vërtitur): dikush mbase do i ketë krijuar perënditë (e grekëve të lashtë), të cilët hyjnorë i hoqën qafe krijuesit e tyre, dhe më pas na krijuan neve njerëzve, pastaj ne i hoqëm qafe perënditë (pikërisht siç përputhet dhe mitologjia) dhe i krijuam krijesat makinale, të cilat rishtas do na heqin qafe neve njerëzve… e kështu me radhë.

(këtu prezentatori Arjen Lubach parodizon me figurën e Elon Musk, duke thënë se është apo shtiret si Prometeu modern, do doja t’i ushqej zogjtë me mëlçinë e tij (u shpreh, si humor, dmth. gjoja siç Zeusi e pati dënuar Prometeun, duke u ushqyer çdo ditë shqiponja me mëlçinë e tij – pas të qeshurave, Lubach duke e quajtur “vizionar” të ftuarin Fry, e paraqet një video të shkurtër, diç si retro-video e vjetër, ku shihet Sephen Fry). Kjo është një video e juaja, e para dyzet viteve. Dyzet vjet më parë, e pabesueshme. Ishte ndonjë skicë-komedi kjo apo diç si reklamë?

Stephen Fry i përgjigjet se ishte një lloj reklame. “Ata e dinin që unë isha i njohur ose mik i Marvin Minsky, themeluesit të Laboratorit AI në vitet 1950. Minsky ishte i pari që e shpiku termin Inteligjencë Artificiale…”.
(pastaj prezentatori Lubach i thotë: Tetë vjet më parë, kur askush ende s’kishte dëgjuar për OpenAI ose ChatGPT, ju thatë:
“Njerëzit nuk janë rezultat i dizajnit inteligjent, por ne do ta krijojmë një formë jete të tillë që është (dizajn inteligjent)”. Kjo më magjeps. Sepse dmth. nuk përkulemi tutje para perëndive që i përshkruat, tani ne vetë jemi bërë diç si perënditë.)

Bukur e thatë – u shpreh Stephen Fry – Ndonjëherë sikur në kokën time e shoh imazhin e gjithë familjes njerëzore të ulur në plazh, me shpinën kah deti. Ata ndërtojnë kështjella prej rëre, luajnë kriket në plazh ose merren me çfarëdo tjetër si lojra, futboll ndoshta. Ndërsa pas shpines sikur të gjitha rrymat e detit kthehen në një cunami. S’është vetëm IA, por dhe kompjuterët kuantikë, zgjatimet bionike të trupit – robotikat, ndërveprimi mes trurit dhe kompjuterit, kompjuteri e kontrollon trurin dhe anasjelltas, siç e kemi parë tashmë këtë. Pastaj materiale të reja, nanotubtha dhe gjërash të tilla nano-teknologjike, përpunimi gjenomik, qelizat staminale etj.
Të gjitha këto gjëra sikur duke u ngjeshur në një valë gjigante baticore, ndërsa ne ulur duke lozur me shpinën kah deti, dmth. jo mirëfilli të përgatitur. Dhe kush janë tre armiqtë e shkencës dhe teknologjisë së pafajshme? Sipas meje në anglisht fillojnë me 3 C-jat – Countries, Companies, Criminals.

E para C, “Countries”, shtetet, vendet që posedojnë dhe zhvillojnë armë autonome. Aq e frikshme kjo gjë. E keni parë se ç’mund të bëjnë ato drone, ato zgjoje dronike? Mund të vrasin, ta likvidojnë këdo me teknologjinë “facial recognition” (njohjen e fytyrës) dhe me një armë të montuar, fluturojnë dhe vzzzz fijuuuu shuhesh, s’ekziston më. Dhe nëse Putini i hedh njerëzit nga dritaret ose i helmon, atëherë edhe kjo. Dhe shtetet do t’i inkuadrojnë armët autonome në mënyra të frikshme.

C-ja e dytë është “Companies”, qëndron për kompanitë, për firmat. Kompanitë e përdorin shkencën thjesht për arritjen e fitimeve. Ato thjesht e helmojnë botën tonë, në kuptimin ngjashëm siç dhe gjatë revolucionit industrial që ndërtonim fabrika të entuziasmuar, ishte diç e mrekullueshme, ende s’e dinim që lumenjtë po helmohen. Dhe është e njëjta gjë me mediat sociale dhe me teknologjinë e së tashmes. Mirëpo lumi që ndotet e helmohet tani është e gjithë kultura jonë. Ka shumë ndyrësirë që noton në të. Atmosfera (kulturologjike) është e ndotur dhe toksike për t’marrë frymë të pastër, dhe gjendja po përkeqësohet.

C-ja e tretë është “Criminals”, sigurisht kriminelët. Këto 3 C-ja pra do ta përdorin IA (Inteligjencën Artificiale) më shumë se mjekët, ose më shumë se shkencat e mjekësisë. Ka shumë gjëra në këtë drejtim për t’u frikësuar.

(në këtë pikë, prezentatori Lubach ia shton pyetjen: Si ta mbrojmë pra veten nga të gjitha ato gjëra të tmerrshme?)

Këtu unë zë në thua, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit (s’ia them hiç : ) Nuk dua të tingëllojë tepër serioz, ti mbase dhe e këputë këtë pjesë interviste, por këto që i përmenda më lart përkojnë me ngritjen e fashizmit në Evropë dhe Amerikë. S’e kam fjalën patjetër për nazizmin, por për adhurimin e fuqisë, për adhurimin e pushtetit, për bullizmin, për përbuzjen ndaj shteteve të vogla, gjoja të dobëta, në sytë e tyre. Ai qëndrim fashistoid, që mendohej i vdekur, është rikthyer.

Dhe pastaj i dëgjon njerëzit në bar duke thënë: janë kthyer fashistët. Atëherë mendoj, shih si e pranojmë dhe asgjë (asfare rezistencë), thjesht themi se janë kthyer fashistët. Ndërsa gjithmonë kemi thënë ose jemi çuditur për vitet 1930, vallë pse nuk e ndaluan fashizmin? Sepse dhe ata njësoj si ne sot, thjesht thoshin “janë kthyer fashistët” (por s’ndërmerrnin diç ta ndalonin). E sotmja dhe vitet ’30 të shek. të kaluar kanë plot ngjashmëri të forta, anise gjithmonë është dhe ndryshe, afërmendsh. Mark Twain, shkrimtari amerikan, pati thënë “Historia nuk përsëritet. Ajo rimohet”. Edhe e tashmja (krahasuar me kohën e fashizmit të shek. të kaluar) kështu duket.

| – – –

(shtesë, koment rreth “Sir”)
Me nderimin e lartë kalorsiak, kuptohet pastaj duhet përdorur “Sir” (para emrit, ngjashëm siç kur e përdorim Dr., apo Prof. etj), anise unë vetë mendoj se kjo “Sir” do duhej t’vlente strikt vetëm për britanikët – assesi t’na imponohet dhe neve të tjerëve.
Unë e respektoj por nuk e përdor kurrë, as në përkthime as në asgjë (e respektoj si simbolikë – si respekt për personin që nderohet, pa u ndjer i ‘obliguar’ ta përdor, qëkur nderimi i tillë ka t’bëjë me intersat dhe normat britanike, jo patjetër me ato universale).

S’di me çfarë ta krahasoj – por imagjino nëse do duhej dhe kinezët të kujdesen për parashtesat e tilla “kalorsiake”, thuase britanikët na i respektuakan titujt e “Partisë së Punës” së Kinës : ) meqë ra fjala dmth. po flas si respekt për rendin civil të kinezëve, pasi ashtu saktë dhe me detaje nuk i di as titujt e Kinës, gjatë një shekulli pothuaj (që nga Mao-ja e këndej) mund t’kenë shpikur dhe Kinezo-komunistët lloj-lloj titujsh, ashtu-kështu si frymorë janë 2-3 herë më shumë se gjithë Evropa bërë bashkë : )

Si opinion, si integritet personal, sa për vete dmth. (nuk u përzihem as kinezëve as britanezëve), kur është fjala për “Sir” them kështu si shaka, meqë dihet se historia ishte paskajshëm “ironike” rreth fitimit dhe humbjes së “fisnikërisë kalorsiake”. Mbretëria e Bashkuar dhe politikat eliteske të britanezëve dikur qenë lajthitur duke e “fisnikëruar” madje dhe liderin e fashishtëve italianë Benito Musolinin, po po… atë Duçen famëkeq të historisë.

Dhe shih, tani vetë Stephen Fry nderohet si “kalorsiak” dhe flet për “ardhjen e fashistëve”, ne sikur s’bëjmë asgjë, vështrojmë pasivisht dhe asgjë s’na shkrep mendja për aktivizim, për ta ndaluar mentalitetin fashistoid. Mediat sociale janë ndotur aq keq sa mos pyet, kultura në përgjithësi duke u helmatisur, ngjashëm sikur lumenjtë që i patëm ndotur e helmuar dikur me bumin industrial – thotë Fry. Ndërsa unë vetë para ca ditësh pata shkruar në një koment se si Youtube është bërë një oqean i ndotur mozomokeq, si një Pangea toksike, një oqean i stërmadh toksik plot me “lajme” të rreme, me video-teori konspirative, me video pseudoshkencore, me çmos.

Ose bie fjala me nderimin “kalorsiak” qe nderuar dhe ish-Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe, apo dhe “diktatori komunist” i Rumanisë, ai arroganti i pandreqshëm, Nicolae Ceaucescu. Të gjithëve (dhe këta janë vetëm si shembuj) më pastaj u qe hequr “kalorsia” fisnike, Musolini qe lënë cullak nga fisnikëria në v. 1940, Mugabe në v. 2008, Çaushesku në v. 1989, vit kur i ngrati diktator dhe pati ikur në botën tjetër, deri sa kur dhe vdiq (nga dora e vetë popullit të vet). Merre me mend “ironinë”, britanezët dhe as Mbretëresha (tashmë e ndjerë, ndjesë pastë) thjesht s’kishin info se Çaushesku mund t’ishte një “diktator eventual… dhe atë madje mos pyet, aso komunist” : )