Krijo Galatean tënde, por mos u “çmend” nga dashuria : )

S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2025

[ ngjitur: 2 piktura të Jean-Léon Gérôme (1824-1904) – “Pigmalioni dhe Galatea“, 1890, + versioni frontal ]

Sipas “Metamorfozave” të Ovidit, Pigmalioni, një skulptor i lashtësisë, e krijoi një statujë fildishi, një statujë femre jashtëzakonisht të bukur. Skulpturën e bukur ai e quan Galatea. Dhe duke qenë se krijesa e tij artistike ishte “fatalisht” e bukur, Pigmalioni dashurohet në krijimin e vet, në krijesën e fildishtë.

Kalojnë ditët dhe bukuria e skulpturës për artistin bëhet vërtet një “obsesion”, s’ia ndanë sytë me ditë e me javë, i afrohet, e prek, e qafon, e puth ashtu në buzët e ftohta, dashurohet në të sikur t’na ishte e gjallë. Miti thotë se skulptori i lutet perëndeshës Venera që ta sillte statujën e tij në jetë. Perëndesha i dëgjon lutjet, dhe ia plotëson dëshirën.

Le t’i qasemi sadopak më gjerësisht – përkushtimi i thellë i Pigmalionit ndaj artit sikur nuk i linte kohë ta admironte bukurinë e femrave reale, bukurinë e vërtetë të jetës. Thuase skulpturat e tij ishin e vetmja bukuri që ai njihte, gjatë procesit krijues ai shpesh sikur dhe përsiaste që t’mos martohej kurrë. Pse ta humbte kohën e çmuar… pas femrave e dashuriçkave, kur kishte punë më të mençura, duke qenë arti një nga mençurirat, mençuria kryesore e jetës.

Artist i përkushtuar aq shumë ndaj artit, aq sa sikur e “neglizhonte” vetë jetën, sikur e harronte të jetuarit e mirëfilltë. Hutohesh pas artit sa e lë pas dore vetë të jetuarit… ashtu në thjeshtësinë e pastër, qoftë dhe jetesë varfanjake (s’ka varfëri të përkryer, do ishte madje diç si paradoks). Jeta dhe është supozuar ta ketë thjeshtësinë, balansin, harmoninë… me gjithçka të së jashtmes – jeta nuk është supozuar të “ngulfatet” nga gjërat e stër-rënduara, nga artificialitetet, nga hejbet tona të ego-tizmit, të grykësisë, e nga çmos.

Nëse artist i përkushtuar, patjetër se do ketë dhe rezultate artistike. Mirëpo çështja kryesore, problematika kyç e artistit është “vallë cili do jetë çmimi” i veprave të mia? T’ia “falësh” jetën artit padyshim do jetë ky “çmimi” më i madh, gjëja më e shtrenjtë e “paguar” me vetë jetën tënde. Pasi të frymosh duke krijuar, të gjallosh… jo patjetër do t’thotë se jeton. Të burgosurit psh. mund të gjallojnë me vite e dekada në qelinë e tyre. Ruajtja e frymës, të mbajturit “gjallë” të qenies është vetëm kushti i parë… të vazhdojë me rrahjet zemra, ta ruajë arsyen mendja, natyrisht se janë parësore, janë kushte “vitale”, mirëpo s’mund të thuhet se dhe ke jetuar. Të jetosh dhe të gjallosh janë pothuaj dy gjëra të ndryshme.

Një ditë prej ditësh Pigmalioni ia doli dhe e gdhendi një statujë të pashoqe sa i përket bukurisë, statuja e tij ishte një femër jashtëzakonisht e bukur. Dukej aq e butë dhe pothuaj sikur kishte një joshje “hyjnore”, dalëngadalë do magjepsej dhe s’mund t’i largonte sytë nga ajo. Ashtu i magjepsur me krijimin e vet artistik, anise kishte abstenuar nga dashuria ndaj femrave për aq gjatë, tashmë Pigmalioni i ndjeu valët e joshjes dhe të dëshirës. Në një moment, ashtu i “hutuar” nga frymëzimi, i kapluar totalisht nga bukuria artistike, i shkrepi ta quante statujën me emrin “Galatea”, kuptimi i emrit Galatea pakashumë do ishte “ajo që është e bardhë si qumështi”.

Pigmalioni vazhdoi me detajet e me përkryerjen e statujës, e veshi me rrobat më të bukura që mund t’i ujdiste mendja e tij prej artisti, e zbukuroi me stolitë më shkëlqimtare, ia zbukuroi flokët me lulet më të bukura, ia fali dhuratat më të mira artistike. Herë pas here s’i dhimbseshin as puthjet, në shenjë adhurimi ndaj bukurisë së veprës së vet. Pigmalioni do ishte i fiksuar jashtë mase, dhe qe dashuruar marrëzisht në krijesë-skulpturën e tij. Thuase statuja e pajetë, ashtu me formën artistike të një gruaje të bukur i kishte bërë magji, çdo ditë e më tepër do ishte e pamundur t’i rezistonte.

Dhe në fund thjesht e pati humbur sa mendjen sa zemrën pas saj, dëshironte që Galatea t’bëhej gruaja e tij. Dëshira e tij ishte aq e fuqishme, fantazia e tij ishte aq e besueshme, dashurinë ndaj saj e përjetonte me gjithë qenien e vet, sipas tij i mungonte vetëm frymëmarrja dhe e gjallë do ishte. Dhe kështu, do ishin të panumërta netët e ditët që artisti i kaloi duke menduar, duke e vështruar, duke e adhuruar të “dashurën” e vet.

Sëshpejti do i shkonte mendja për lutje e oferta, Pigmalioni filloi t’i lutej perëndeshës (së Dashurisë dhe Bukurisë) Venera, i lutej me gjithë zemrën e pastër dhe me shpirtin, që perëndesha ta kthente statujën e tij prej fildishi në një grua të vërtetë, ta sillte në jetë. E prekur nga nderimi i thellë i Pigmalionit ndaj krijesës artistike, Venera u mallëngjye dhe shkoi në ateljenë e tij që ta shihte për së afërmi statujën e famshme. Vetë Venera desh shtangi nga mahnitja e nga surpriza, u mahnit sa s’ka më nga bukuria dhe gjallëria e skulpturës Galatea.

Venera e kuptoi se Galatea pothuaj i ngjante vetë asaj për bukurinë dhe përsosmërinë, thuase ajo vetë pati ndenjur aty në studio si “model”, nga ku të frymëzohej artisti. Kështu që u bind për fuqinë e krijimit artistik të Pigmalionit dhe pa hezituar ia plotësoi dëshirën – Galatea mori frymë dhe u ngjall.

Ajo statujë fildishi e ftohtë, të cilën e pati adhuruar për aq gjatë, sakaq u bë një krijesë e butë dhe e ngrohtë. Pigmalionit desh i qe ndalur zemra teksa shihte si statuja e tij vinte në jetë. Galatea u ngjall duke i buzëqeshur dhe duke përshpëritur fjalë admirimi, fjalë për krijuesin e asaj vetë, e që ishte skulptori i befasuar. Ngjallja pati qenë dhuratë nga Venera, por frymëzimi i Venerës (për dhuratën e jetës) ishte krijimi artistik aq bindës dhe i përkryer. Galatea i ishte mirënjohëse sa Pigmalionit për bukurinë dhe elegancën artistike, sa Venerës për frymën e falur, për dhuratën e shtrenjtë, jetën.

Dhe kështu, do dashurohej dhe ajo në artistin… i cili, siç u muar vesh, ashtu-kështu i dashuruar, i kishte humbur me mendje e me arsye, kishte kohë tashmë që Pigmalioni ishte i çmendur pas saj. Dashuria e tyre do lulëzonte, perëndesha Venera i bekoi ata me lumturi, me mirëqenie dhe prosperitet, çifti do jetonin tutje të lumtur e të dashuruar përgjithmonë.

Historia e skulptorit Pigmalion dhe krijesës së tij skulpturale, është portretizuar nga shumë piktorë të famshëm. Dihet po ashtu për ngjashmërinë mes historisë së Galateas dhe fabulës së Pinokios, çunit të gdhendur nga druri… që do ngjallej, që u soll në jetë nga një zanë, si shpërblim, si plotësim i dëshirës së madhe të një burri (krijuesit të Pinokios) për t’patur fëmijë.

Historia e dashurisë së Galateas dhe Pigmalionit na është e njohur nga Ovidi, e hasim në “Metamorfozat” e tij, Ovidi pati jetuar rreth 2000 vjet më përpara (mes v. 43, pes. dhe v. 17 të erës sonë), mitet e “metamorfozave” të tij janë po ashtu frymëzime pararendëse, shumë më të vjetra nga koha e tij, sidoqoftë, nga njohësit e artit dhe të mitologjisë thuhet se emri “Galatea”a u përdor vetëm në shek. XVIII, rrëfimi rreth Galateas dhe Pigmalionit qe popullarizuar pas publikimit të veprës së Jean-Jacque Rousseau, të titulluar “Pigmalioni”, vepër e v. 1762.

*
(shtojcë… dy fjalë rreth pikturave, ngjitur)
…fakt se të dyja pikturat e Gérôme e shfaqin nudizmin, janë piktura bazuar në mitologjinë, nëse ju pengon vizualiteti piktural atëherë më vjen keq, vetë s’kam pse t’ndjehem “keq”, s’kam pse t’ju kërkojë ndjesë a falje për atashimin e tyre me shkrimin, ku di unë… thjesht mos i “shihni” (mbyllni sytë : ) por mos u jepni shans paragjykimeve, mos u “prekni” nga nudistika artistike, pasi do ishte mëkat, madje i pafalshëm, qëkur arti është absolutisht 100% i pastër, arti e tejkalon akëcilin “kompleks”, akëcilin paragjykim të mendjes sonë…
 
***
Sky Division – “Make Your Own Galatea” (Krijo Galatean tënde), 2025

(video-parodizim i shkurtër, gjoja duke i lavdëruar veglat e IA – tashmë dhe ju mund ta krijoni një Galatea, 100% e juaja, mund ta bëni të dashurohet në ju, sipas videos IA nuk është perëndesha Venera por mund t’i realizojë dëshirat tuaja : )

Sipas Ovidit, Pigmalioni, një skulptor i lashtësisë, e krijon një statujë fildishi të një gruaje jashtëzakonisht të bukur, dhe artisti vetë bie në dashuri me krijimin e vet. Skulptori i lutet perëndeshës Venera që ta sjellë statujën e tij në jetë. Perëndesha i dëgjon lutjet e tij, ia plotëson dëshirën.

Imagjino tani nëse dhe Godward, apo Rodin, apo Rossetti, apo Alma-Tadema, apo Cabanel, apo Bouguereau, apo Canova t’kishin mundur të të njëjtën gjë, t’i ngjallnin dmth. krijimet e tyre. Kuptohet, ata s’patën mundur, mirëpo ju mundeni, tani çdo artist mund t’jetë një Pigmalion – me veglat e IA-s krijimet tuaja mund të buzëqeshin, të lëvizin, të flasin, të këndojnë, të qajnë, të ndjehen të gjalla.

Tashmë dhe ju mund ta krijoni Galatean tuaj, ta bëni të dashurohet në ju, ose thjesht të pulitet, t’i mbyll sytë, t’ju buzëqesh, ose t’jua kthejë shpinën, madje mund ta bëni dhe të largohet, t’mos ju dashurojë fare – gjithçka që dëshironi, IA nuk është perëndesha Venera por mund t’i realizojë dëshirat tuaja : )