Hipatia e Aleksandrisë – Bukuria dhe Pafajësia e “Shkencës”!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2015

Vështrim i shkurtër për shkencëtaren e Aleksandrisë, Hipatia, për figurën e shquar të shkencës së matematikës dhe të filozofisë antike – dhe që ishte si frymëzim i “tërthuruar” rreth afreskut “Shkolla e Athinës” (Scuola di Atene), punuar ndërmjet viteve 1509-1511 nga Rafaeli, në Pallatin Apostolik në Vatikan.

***
Nëse t’më pyeste dikush për ndonjë figurë më “impresionuese” nga e kaluara e shkencës, dhe për të cilën më së paku di ndonjë gjë, atëherë padyshim që do t’më shkonte mendja tek Hipatia. H. J. Mozans (pseudonim i John Augustine Zahm) në librin e tij të v. 1913, “Woman in Science” (vëllim me mbi 400 faqe) shkruan me keqardhje të madhe se përse Hipatia e Aleksandrisë nuk e gjeti vendin e vet në afreskun famoz të Rafaelit “Shkolla e Athinës”. Dhe vërtet, me shumë të drejtë vërejtja e Mozans.

“Në shkencë, në mesin e femrave të shquara të antikitetit, Hipatia ishte çfarë Safoja ishte në poezi, dhe çfarë Aspasia ishte në filozofi… – thotë H. Mozans. Autori Mozans sigurisht bazohet në faktin që psh. Safoja, si poetja e vetme, mes 18 poetësh të tjerë figuron në afreskun “Parnasi”, që ndodhet në një faqe tjetër të murit, në të njëjtën hapësirë me “Shkolla e Athinës” (anise, do shtoja këtu, Safoja qe shtuar më vonë në afresk, dhe ku madje të vetmes i është shënuar emri, pasi që duke qenë e vetmja poete mund të “ngatërrohej” me nëntë muzat… të cilat janë pikturuar së bashku me Apollonin në malin Parnas të mitologjisë – shi për këtë dhe emri “Parnasi” për afreskun).

Thuhet se Hipatia ishte shumë e bukur si femër, por “…lidhur me bukurinë e saj aq shumë të përfolur, – shkruan Mozans – asgjë nuk dihet me siguri të madhe, pasi antikiteti nuk na la trashëgim ndonjë medaljon apo statujë me të cilat dhe do t’mund ta kishim një vlerësim të hirit të saj fizik. Por çfarë është e sigurt është fakti se ajo e kishte admirimin dhe respektin e të gjithëve për mësimdhëniet e saj, dhe se ajo e veshi mantelin e shkencës dhe të filozofisë me modesti aq të madhe e me vetëbesim, sa ajo i fitoi të gjitha zemrat”.

Nuk dihet shumë për Hipatinë… sepse për të dhe janë “kryqëzuar” e ngatërruar rrëfimet, kronikat e “hibridizuara” me përralla e me të vërteta, aq sa nuk është e lehtë të mos ngatërrohemi me gjërash të pabaza. Përshembull, tri veprat e saj (thuhet se ishin tri sosh), por asnjëra s’ka shpëtuar, dhe shih ironia… ishte pikërisht Hipatia ajo e cila i pati shpëtuar disa nga librat e Bibliotekës së Aleksandrisë (djegur nga të krishterët, në luftë e në zënka, të ngatërruar si mos më keq me paganët e atëhershëm dhe me shkencëtarët që nuk bazoheshin as në paganizëm as në doktrinash, siç ishte Hipatia vetë).

Ironia sikur mbështillet rreth gjithçkaje të Hipatisë, mendimtarja dhe profesoresha aq e shquar e refuzon Orestin, Prefektin romak të Aleksandrisë jo vetëm sepse ndodhej e “përhumbur” totalisht në botën e filozofisë e të matematikës, por pakashumë dhe për arsye të virgjërisë (pasi që kjo e fundit nuk do ishte, ose më e vështirë do na kishte qenë, sikur ajo t’mos ishte e dhënë aq shumë pas filozofisë dhe dijeve – thjesht si supozim, por sikur Hipatia t’na ishte një vajzë ordinere, të mendonte të martohej dhe të krijonte familjen, mbase dhe me kohë s’do ta kishte as “virgjërinë”). Askush s’ka si ta pohojë me siguri virgjinitetin e saj, e megjithatë drama historike ose filmi i spanjollit Alejandro Amenabar me titull “Agora”, prodhim i v. 2009 (apo 2010) e paraqet Hipatinë të glorifikuar përveç tjerash dhe me pastërtinë e me virgjërinë.

Tutje, për piktorin britanik Charles W. Mitchell thuhet se famëm e vet e pati “siguruar” kryesisht duke iu falënderuar pikturës “Hypatia” (1885), ku ai e paraqet Hipatinë aq të bukur dhe tërësisht zhveshur, nudo. Pse do ta paraqiste nudo një virgjëreshë të para aq shumë shekujve, kur pakashumë “poza” e saj do ishte madje dhe si “kontraverzitet” artistik… sepse s’është aspak “pozë virgjëreshash” (vepra e tij famoze, sipas të gjitha gjasave, qe frymëzuar nga romani historik me të njëjtin titull i autorit Charles Kingsley, publikuar dy vite më parë, në v.1853).

Por ajo çfarë po doja të them është: disa gjëra përshfaqen tërthorazi dhe me logjiken, sikur na i shpalos dhe vetë logjika; që nga “zhytja në dashuri” e Orestit (Prefektit të Aleksandrisë) me Hipatinë, e deri tek të gjitha detajet e aq shumë shekujve (një mijëvjeçar i ngjeshur sa s’ka më, sa derdhet dhe vetë amfora me shekujt e tepërt), inkluzivisht duke llogaritur dhe pikturën nudo të Mitchell… na flasin se Hipatia ishte e bukur. Pra sa i përket bukurisë s’ka ndonjë arsye të dyshohet e as pse ta mendonim të kundërtën.

Vrasja e saj aq brutale dhe e pakuptimtë, politikat dhe trazirat e Aleksandrisë të asaj kohe janë çështje tjetër, dhe ironikisht kanë aq shumë ngjashmëri me “trazirat” religjioze të së sotmës sa që më ngjallin neveri e keqardhje… Disa burime thonë, dogmat (dhe verbëria e “militantëve” të krishterë të asaj kohe) janë ato që vranë dhe pastaj janë vetë të krishterët që i përshkruajnë Hipatisë madje dhe virtyte “hyjnore”, për arsye të virgjërisë së saj.
Edhe pse ne s’mund ta “shpëtojmë” as Hipatinë por bie fjala as Xhordano Brunon dhe panumër viktima prej mendjesh të ndritura të së kaluarës, a nuk është ironike të vritet kot një dikush që thoshte:
“përrallat duhet të mësohen si përralla, mitet si mite dhe mrekullitë si fantazi poetike. T’ia mësosh dikujt bestytnitë si të vërteta është gjëja më e tmerrshme. Mendja e një fëmije i pranon dhe i beson ato, dhe vetëm nëpërmjet dhimbjes së madhe dhe ndoshta tragjedisë fëmija mund të lirohet pastaj prej tyre”!

Vallë a nuk është ironike, si dikur në historinë e largët, njëjtë dhe si sot e kësaj dite, të vritet një dikush në qendrën më të qytetëruar të njerëzimit, pajisur me njohuritë më të avancuara të kohës, me bibliotekën më të pasur të botës, të vritet kot një virgjëreshë që me ndjesinë e lindur të dritës universale u flet studentëve të vet: “pavarsisht ngjyrës së lëkurës, racës apo religjionit – ne jemi vëllezër”!?

Pikërisht mes këtyre gjërave të historisë qëndron e “fshehur marrëzia po aq historike” – shumë fakte sa i përket rrugëve jetësore të figurave të shumta madhështore binin në kundërshti me “faktet” e fabrikuara dhe me shtrirjen e religjioneve, andaj dhe zhdukeshin, shkatërroheshin sistematikisht gjatë gjithë historisë… disa gjëra madje dhe sot e kësaj dite. Ja përse “njëra anë” e historisë thjesht sikur më neveritet dhe s’do doja kurrë as të komentoj – tjetër është që pothuaj është e pamundur të ngelet njeriu indiferent.

“Pas vdekjes së Hipatisë shkenca e matematikës ngeli në vend për shumë shekuj të gjatë… asnjë progres i mëtejshëm nuk është bërë në shkencat matematikore, nga baza e mësimeve të Hipatisë, deri në kohën e Njutnit, Laibnicit, Dekartit, më shumë se dymbëdhjetë shekuj më vonë.” – shkruan H. Mozans.

***
Afresket e dhomës (së Rafaelit) “Stanza della Segnatura” përshfaqin katër fusha të dijes njerëzore: Filozofinë (afresku “Shkolla e Athinës”), Fenë (“Diskutimi i Sakramentit të Shenjtë”), Poezinë (“Parnasi”) dhe Ligjin (“Virtytet Kardinale”). “Shkolla e Athinës”, padyshim është njëri nga afresket më të famshëm të Rafaelit.
Majtas në afresk, ngjitas figurës së një filozofi grek (për të cilën supozohet ta përfaqësojë Parmenidin, filozofin para-sokratik që jetoi diku rreth shek. VI-V p.e.s) është pikturuar një femër, veshur me të bardha dhe për të cilën thuhet të ketë qenë e dashura e Rafaelit, Fornarina.

Mirëpo shumë burime prej shkrimesh e artikujsh nuk flasin për të dashurën e artistit – mjaft burime të ndryshme “supozojnë” që ajo femër me të bardha duhet të jetë si figurë imagjinative e Hipatisë.
Dhe derisa për portretin e Fornarina nga Rafaeli (bukuroshja gjysmë e zhveshur, ndodhet në Galerinë Kombëtare të Artit Antik, në Romë) thuhet se në v.2002 qe identifikuar të jetë e njëjta femër… pikturuar nga Rafaeli në afreskun “Shkolla e Athinës”.

Nëse ashtu, atëherë spekulimet e ndryshme se “femra me të bardha” në kokën e Rafaelit mund t’ishte Hipatia e Aleksandrisë, natyrisht duhen shpërfillur tutje si spekulime. Dhe atë jo vetëm se janë supozime joserioze e të pabaza, por sepse më shumë dhe do t’na ngatërronin, kur veç kemi tani diç si konkluzion më adekuat.

Edhe pse me kaq megjithatë nuk do shqitemi nga “spekulimet”, sepse ka panumër arsye. Gjithashtu, si shtojcë kësaj, as identifikimi i vitit 2002 s’ka si t’na jetë bash 100% i sigurt. Sidoqoftë, megjithatë është “prova më shkencore” dhe më e “prekshme” lidhur me këtë çështje.
Tekefundit, sipas meje, edhe sikur t’na ishte siguria për këtë të fundit e “vulosur”, Fornarina si frymëzim i artistit Rafael patjetër se do ta paraqiste një dikend të botës shkencore a filozofike, e jo bie fjala një “dashnore”, thjesht si “muzë artistike” të Rafaelit… aty midis filozofëve neo-platonikë. Paraqitja e të dashurës Fornarina s’ishte as qëllimi i afreskut, as misioni artistik i Rafaelit me ato vepra – mendoj unë. Patjetër që Fornarina do ishte si personifikim i një figure të shquar të antikitetit filozofik, andaj ja përse Hipatia është figura që shumkujt i shkonte dhe i shkon mendja.

Identifikimi i disa prej filozofëve të tjerë në afresk, si Platoni apo Aristoteli psh., është punë e lehtë, sepse figurat e tyre na janë të njohura nga aq shumë burime, ishin dhe në kohën e Rafaelit të njohura nga bustet e statujat. Problemi është që identifikimi i mjaft figurave të tjera ka qenë dhe është gjithmonë “identifikim hipotetik”. Aq më tepër kur disa nga figurat janë me “identitete” të dyfishta, apo dhe të trefishta tashmë – dmth. dikush mendon se fjala është për filan filozofin, derisa një dikush tjetër thotë “jooo… është fistek-filozofi, etj. Është fakt se, që nga impenjimi i G. Vasari e deri tek L. Dussler akoma dhe sot e kësaj dite nuk janë më shumë se 10 figura me identitet të sigurtë në afresk, të tjerat ishin dhe gjithmonë janë subjekt i spekulimeve.

Sidoqoftë, po e mbyll me konkluzionin që vërtet është për keqardhje mungesa e figurës më meritore të antikës shkencore, mungesa e Hipatisë së Aleksandrisë në afreskun “Shkolla e Athinës” të Rafaelit, pikërisht ashtu siç e ka shprehur keqardhjen dhe autori Mozans në librin e tij.

 

Disa gjëra të atashuara (sipas radhes, nga e majta):

– Hipatia (portret, artisti i panjohur)
– “Shkolla e Athinës”, nga Rafaeli
– Charles William Mitchell – “Hypatia”, 1855
– Alfred Seifert – “Hypatia”, 1901
– “Fornarina”, nga Rafaeli

Shkarko librin e plotë:
Woman in science” by Mozans, H. J., 1851-1921 – Published 1913