Parnasizmi na kishte madje dhe poetë “djallëzorë”, si psh. Verlaine e Rimbaud, andaj s’dua të jemë në foto me ta, as të pikturohem me ta, tani meqë i madhi Baudelaire ka vite që ka ikur, dhe pra s’do jetë as ai, për inat më ktheni dhe mua në një tufe lulesh pikturale, s’dua të figurojë surrati im në një pikturë me Verlaine e Rimbaud, le t’jetë sa të dojë “pikturë historike”, aq më bën : )
[ Henri Fantin-Latour (1836-1904) – “Pranë Tavolinës“, 1872 ]
(s. guraziu – ars poetica, d 2018 – pak fjalë)
Në pikturën “Pranë Tavolinës” janë portretizuar poetët e grupit “Parnassus”, thjesht si grup poetësh por dhe si dëshmi për historinë letrare të shekullit XIX. “Parnasizmi” ishte një stil letrar francez që filloi gjatë periudhës pozitiviste të shek. XIX (pas Romantizmit dhe para Simbolizmit). Stili qe ndikuar nga autori Th. Gautier si dhe nga idetë filozofike të A. Schopenhauer.
Figurat e poetëve janë të veshura me rroba të zeza, përveç Camille Pelletan (fare djathtas), i cili nuk ishte poet si të tjerët por një politikan (se ç’kërkonte një politikan i vetëm aty mes “parnasistëve” mund vetëm të spekulojmë! Vend qendror në tabllo ka Emile Blémont, i cili e pati blerë pikturën dhe më vonë, në vitin 1910 ia dhuroi atë muzeut Louvre.
Piktura na qenkësh kritikuar për arsye të “madhësisë” dimensionale: “Kush e këshilloi z. Fantin-Latour t’i jepte tabllosë së vet të tilla përmasa epike e monumentale? Ekziston një kontradiktë midis dimensioneve ambicioze të pikturës dhe subjektit tematik ose materies që paraqet, e që përfundon duke u kthyer në irrituese”.
Ec e mos buzëqesh nganjëherë dhe me kritikët, gjejnë dhe ata lloj-lloj “vegëzash” ku të kapen : )
Bazuar në infot e Google*… në pikturën e Fantin-Latour mungojnë të paktën dy figura (personalitete): mungon Charles Baudelaire, të cilit fillimisht dhe i kushtohej piktura, e që i ngrati Baudelaire vdiq në v.1867, si dhe mungon Albert Mérat, i cili s’donte të pikturohej në shoqërinë e poetëve “djallëzorë” Verlaine e Rimbaud, kështu që Mérat qe zëvendësuar me një tufë të madhe lulesh (djathtas në pikturë).
***
Edhe ca fjalë më shumë rreth “parnasistëve” unë i thuktova nga një artikull i z. Xh. Zejneli (meqë më e lehtë)
“Parnasistët” ishte qerthull poetësh në Francë të tubuar rreth Theophile Gautier (1811-1872) dhe Charles Leconte de Lisle (1818-1894) në gjysmën e dytë të shek. XIX. Emërtimi lindi sipas emrit të malit Parnas në Greqinë antike, e që konsiderohej seli e Apollonit dhe e muzave. Sipas besimit tradicional në Greqinë e lashtë, qëndrimi në pyllin Parnas, e sidomos në gurrën Kastalia, e frymëzon poetin për të krijuar vepra artistike. Dmth. që në Greqinë e lashtë fjala Parnas ishte e lidhur ngusht me poezinë.
Në vitin 1866 u botua në Paris buletini Le Parnasse contemporain (Parnasi bashkëkohor) si manifest i një grupi shkrimtarësh të cilët në poezi – dhe në përgjithësi në letërsi – sollën pikëpamje të reja. Si ideal të artit, parnasistët e caktuan kultin e bukurisë së pastër dhe absolute. Prej krijuesit artistik kërkonin në radhë të parë përsosmëri të formës, përkryerjen e vargut, virtuozitetin e shprehjes. Poeti nuk duhet t’u lëshohet ndjenjave të veta, por duhet të jetë i matur, i përmbajtur, aq më tepër impersonal dhe objektiv. Parnasistët pikë së pari i kundërvihen romantizmit, pastaj sentimentalizmit, frymëzimit të padisiplinuar dhe përshtatjen e artit masave të gjera. Krijimi artistik mund të jetë i destinuar vetëm për një rreth të zgjedhur dhe elitar njohësish, arti ndërkaq nuk mund t’i shërbejë asnjë qëllimi politik, shoqëror apo moral. Në këtë mënyrë, parnasistët akoma më shumë iu kundërvunë letërsisë së angazhuar apo utilitarizmit letrar. [ adaptuar nga artikulli i Xh. Zejneli – “Pikëpamjet Teorike dhe Letrare Moderne të Shek. XIX – Larpurlatizmi, Parnasizmi, Simbolizmi”, 2018 ]
***
Në këmbë (nga e majta): Elzéar Bonnier, Emile Blémont, Jean Aicard / Ulur: Paul Verlaine, Arthur Rimbaud, Léon Valade, Ernest d’Hervilly dhe Camille Pelletan
Piktura ndodhet në koleksionin e Musée d’Orsay.

Henri Fantin-Latour (1836-1904) – “Pranë Tavolinës“, 1872
* institucionin virtual “Google Art Institute” (ose quhen dhe Google Art Project), këto 3-4 vitet e fundit kam filluar ta respektoj, natyrisht nuk i dua për spiunazhin dhe për shkeljen e “privatësisë së qytetarëve të gjithë botës”, mirëpo jo gjithçka Google bënë është “në kundërshti me etikat” : ) bie fjala për punën voluminoze që kanë bërë dhe bëjnë me skanimin e trashëgimisë artistike të botës, e kanë fituar respektin tim, punë e cila do ishte e jokapërthyeshme sikur Google t’mos na ishte një kompani gjigante (paçka se lidhur me huazimet e referencat, Google nuk na lejon t’i kopjojmë fotot e tyre (pikturat e skanuara nga ta), ata të Google vërtet sikur mëtojnë ta monopolizojnë secilën sferë të aktivitetit njerëzor (ose tekefundit të aktivitetit internetik), për fat të mirë s’kanë ende teknologji që t’na e pamundësojnë huazimin e Infove : )
