Etienne Carjat – Portret i poetit Charles Baudelaire, 1861-62

(s. guraziu – ars poetica, d 2018 – pak fjale)
Foto origjinale, e famshme dhe e rrallë e Etienne Carjat e cila e paraqet poetin Baudelaire duke qëndruar në këmbë dhe me dorën e fshehur në “stilin napoleonik”, në atë kohë Baudelaire ishte i dënuar tashmë nga ligji korrektues për imoralitetin e vëllimit “Lulet e së Keqes” (Fleurs du Mal), dhe padyshim intelektualisht ato kohë duhet të kenë qenë mjaft të vështira për të, pasi të të fshikullojnë për “imoralitet” në metropolisin më të avancuar të botës sa i përket kulturës, me akademitë dhe me klasën intelektuale në rrafshnaltën “olimpiane” të kulturës mbarëbotërore, s’mund të jetë e lehtë, derisa shpirti yt i cullakosur… poeti me shpirtin e vet, figurativisht duhet të zhvishet “cullak”, deri në palcë, shpesh e marr si shembull ilustrues faktin që skulptori Auguste Rodin e pati gdhendur “Poetin” (ose skulpturën e famshme të “Mendimtarit”) pikërisht lakuriq, sepse vetëm ashtu tematika skulpturale mund t’i përafrohej sadopak brishtësisë, ndjeshmërisë ultime dhe pafajësisë poetike – për fat të mirë ndokund dhe mund ta gjente qetësinë e ngushëllimin shpirtëror, Baudelaire ishte miqësisht shumë i afërt me Carjat, të cilin shpesh e vizitonte, duke hamendësuar tani për aso copëza bisedash ngushëlluese, për batutash e të qeshura mes miqsh në një atelje a në sallonin e ndejave… sikur mund dhe ta “supozojmë” një moment kur Carjat do të klithte:
“ngrihu hë… të të bëjë një foto, mjaft me humorin përtokë, e vërteta, vërtetësia dhe drejtësia janë pakashumë ngjashëm si dielli, nganjëherë dielli fshihet diku prapa reve të ngrysura dhe rrezet sikur vonojnë, por herët a më vonë vërteta do t’i buzëqesh botës, hë pra… buzëqesh dhe ti tani, mjaft me buzëvarje e pikëllime” 🙂


Etienne Carjat – Portret i poetit Charles Baudelaire, 1861-62