(s. guraziu – ap, m 24)
…duke e parë foton (e cila në origjinal bardh-e-zi, më ishte e njohur dhe më parë, por qenka kolorizuar nga JSK-colorization), sikur po thosha mëvete “shih mo… bukurosh-djaloshi duke i shtrënguar dorën Presidentit Kennedy, Djaloshar me 2 D-ja, fort i hijshëm, çudia që s’pati zgjedhur atëbotë të bëhej aktor në Hollivud, psh. as James Dean, as Tom Cruise, as Al Pacino, as Ben Afleck as… (ku di unë kush, Hollivudi i ka me mijëra aktorë), s’kanë qenë më të hijshëm, mjaft e çuditshme t’i zgjedhësh politikat në vend të Hollivudit, në Hollivud do rrinte me bukuroshet Monroe, me Taylor, me Gardner, me Sophia Loren… etj. etj. me panumër bukuroshesh, ndërsa në politikat s’guxonte me askend, me 1 Lewinski gjoja praktikante e “Shtëpisë…” dhe desh qe bërë gazi i botës, e gjithë bota e patën përfolur, s’pati ngelur TV i botës pa e përmendur, pati përjetuar dhe “impeachment”, e patën shoshitur deri “nën lëkurë”, mezi pati “mbijetuar politikisht”…
…anise dhe në politikat duhet ditur të aktrosh, patjetër se duhet (kuptohet dhe kjo), jo sa në filmat por duhet ditur, e sidomos duhet t’jesh orator fort i zoti, qoftë me fjalë të vërteta qoftë aso të pavërteta, duhet t’i mahnitësh njerëzinë me fjalimet (diç si Obama psh.), shpesh duhet “shitur” gjërat që s’i blen askush (me mendje të shëndoshë nuk blihen gënjeshtrat, madje as ato të “bardhat”, të ashtuquajtura), shpesh duhet bindur njerëzia për gjërat e pavërteta, bie fjala njerëzit nuk i blejnë aq lehtë pollavrat e kuvendit shqiptar, gjithmonë gazetat e Tiranës i ke plot me ankesa, me “shoshitje të vërtetash”, as nuk shiten pollavrat e parlamentit kosovar, përveç nëse t’na jesh fort i zoti me “diplomatikat” e me mediatikat…
…ose shembulli më absurd i së tashmes, si mund t’ia shesësh në shek. XXI Evropës 500-milionëshe, Amerikës 300-milionëshe pollavrat e “trumpidentizmit suprematik”, apo mendësinë fashistoide të djathtizmit modern, apo (akoma më e dhimbshme) pollavrat e tragjedisë aktuale në Gaza, ja që e mundur… jo më larg se dje, Kryeministri i Holandës shtirej gjoja “diplomat” me fjalë të zgjedhura, në pikë të diellit u shmangej përgjigjeve të sinqerta rreth tragjedisë në Gaza, gjoja në emër të “taktit politik” e të maturive evropiane, se mos vetëm ai i “matur”, vallë si mund të “hesht” parlamenti komplet i Evropës së Madhe, gjithë kjo Evropë, 500 milionë frymorë, gjithë ata politikanë… Trumpi i andej oqeanit thoshte që Gaza t’bëhej diç si pronë turistike e tij, booo mozomokeq, zotësi më e madhe sesa ne gjoja “blockbuster” filmat e Hollivudit, e qartë se t’kesh afinitete aktrimi në politikë konsiderohet zotësi e madhe : )
…apo mbase të gjitha “fajet” do i ketë patur Mademoiselle Hillary, një buzëqeshje universitare nga bukuroshja Hillary dhe Bill Clinton i “përhumbur” pastaj për gjithë jetën… madje do bëhej dhe vetë President, për mua Presidenti më i dashur i historisë komplet, i historisë së Amerikës dhe i asaj të Evropës, më shumë i dashur 1 Clinton-President sesa 45 ish-Presidentët e tjerë së bashku (sidomos për kohën e vështirësive të historisë ballkanike – ranë “tomahawk-at” e tij dhe historia ballkanike ia filloi me buzëqeshjet), padyshim dhe për presidentllëkun do e ketë “shtyrë” bukuroshja Hillary, ajo do ketë qenë frymëzimi “politik”, burimi i energjisë për gjithçka, andaj unë për vete e dua dhe znj. Hillary, e dua jokushtimisht, askush s’më pyet “pse”… sidoqoftë, meqë ra fjala, jo se na ishte dhe ajo Sekretare… fort e zonja dhe vetë me politikat, por dmth. e dua për faktin që e pati bërë burrin e vet diç si engjëll të politikës : )