Skrap-hekurishtja më e bukur e Evropës (Forcat Ajrore të Shqipërisë)

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2019

(pak fjalë dhe histori për diç si mini-dokumentar derivativ nga 2 albume fotografike, afro 150 foto, rreth ish-Aviacionit Shqiptar, të fotografëve Rob Schleiffert, 2007 dhe Erwin Alexander, 2016)

Në Nëntor 2018, NATO e miratoi vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkuptonte që Baza Ajrore e Kuçovës të shndërrohet në bazën e parë ajrore të NATO-aleancës në B. Perëndimor. Një lajm ky i madh dhe i gëzueshëm.

Një titull i fotografit Rob Schleiffert, mbase pakëz “ironik” por njëkohësisht dhe fort i qëlluar, “Skrap-hekurishtja më e bukur e Evropës”, dhe i cili aludonte në bukurinë e ndryshkur të ish-Aviacionit Luftarak Shqiptar (fotot e veta Schleiffert i përshkruante të jenë diç si “vintage beauty” prej mbeturinash), sikur padashtas ma pati zgjuar një “shije të hidhur”… pasi që (ndoshta pakëz duke qenë dhe vetë ish-kadet ose nxënës i dikurshëm i një shkolle teknike të aviacionit) gjithmonë kam patur dhimbjen që Shqipëria s’e kishte hëpërhë fuqinë ekonomike për blerjen e avionëve modernë, vazhdimin e hapave me kohën dhe dmth. të investonte në përtëritjen e eskadrilave të vjetruara, të kthyera në hekurishte. Pothuaj sikur “muzeumet fushore” të Kuçovës, të Rinasit, Laprakës, Farkës, të bazës ajrore në Gjadër etj. e pamundur t’mos e “luhasnin” shpirtin e cilitdokujt, madje dhe të huajve si turistë e fotografë të rastit, padyshim dhe ata do ta ndjenin një lloj keqardhjeje.

Thuhet se kah fundi i v. 1990, Forcat Ajrore Shqiptare i kishin rreth 200 avionë të ndryshëm, dhe rreth 40 helikopterë. Dy dekada më vonë, në v. 2009 Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s, dhe “forcat ajrore” të saj përbëhen nga 13 helikopterë italianë AB205, AB206, A109, 3 helikopterë gjermanë EC145, dhe 4 helikopterë të prodhimit francez, Cougar. Pra kryesisht “forcë helikopterike” prej rreth 20 fluturakesh me elisa.

Në vitet ’70 (dmth. të shek. XX) Aviacioni Luftarak i Shqipërisë i kishte pakashumë në gjendje aktive mbi 70 fluturake MIG-19 dhe 12 sosh MIG-21, pastaj një skuadër MiG-17 dhe mjaft avionë të trajnimit MIG-15. Pas v. 1962, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Aviacioni Shqiptar qe pajisur kryesisht me versionet kineze Shenyang të MiG, F6 (MiG-19 kinez) dhe F7 (MiG-21 kinez). Gjithsesi, 2-3 vite më herët, në v. 1959 qe blerë një eskadrilë, 12 avionë MiG-19 nga Bashkimi Sovjetik.

Në trazirat e 1997-ës, 7 avionë MiG qenë “prishur”, shkapër-shprishur, demontuar… dhe pjesët e tyre qenë vjedhur. Askush asnjë llogari (ose sëpaku unë s’kam “dëgjuar” të ketë dhënë kush llogari), as Salushi, as Nanushi, as Ramushi 🙂 Të ta vjedhin pothuaj një eskadrilë MiG-ash, dhe what… asgjë! Okidoki!
Në v. 2016, Ministresha e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për shtypin perëndimor e pati shprehur habinë rreth “interesimit” të disa shteteve për t’i blerë avionët e ndryshkur të Shqipërisë (me qëllim t’i ekspozonin nëpër muzeumet e tyre). Me çmimin tashmë për “hekurat e ndryshkur” prej 9.000-15.000 dollarë, Shqipëria i ofronte për shitje disa ndryshkurina, si psh. Yak-18, MiG-15, MiG-17, MiG-19, MiG-21, e po ashtu dhe ca helikopterë. As Kodheli, as zyrtarët e lartë të Forcave… e as qeveria s’patën pritur se do shiteshin pothuaj si hallvaja. Ministria e Mbrojtjes e di mbase dhe përpara vetë qeverisë, tekefundit ne nisemi që Ministritë i raportojnë Kryeministrisë, dhe pastaj Krye-ministria i ndanë detyrat për gjithë qeverinë, apo jo. Duket si një rreth, ndoshta mund të jetë ngjashëm si të hashë bakllava nga ato tepsitë e rrumbullakëta.

MiG-at ashtu-kështu janë aq të shtrenjtë për t’i blerë, besa s’janë të “lirë” as për t’i mbajtur e ushqyer. Si mund të blesh e mbash bie fjala “F-Raptors”, “Eurofighters”, “Sukhoi”… kur vetëm zyra e Kryebashkiakut të Tiranës ia kalon dhe “dhomës ovale” të Shtëpisë së Bardhë (amerikane) për nga marifetet e xingla-minglat?
Sipas ekspertëve shqiptarë, për 1 minutë MiG-19 i “ha” afro 60 litra mjaltë. S’është nevoja të llogaritet sa “mjaltë” duhet për 160 pilotët e diplomuar nga Akademia e Vlorës dhe për 80-orëshin minimalistik, si orar vjetor i fluturimit të tyre. Kot, s’ia vlen as llogaria as nostalgjia. Pa le nëse MiG-at janë të 50-ave, 60-ave, e të 70-ave, hanë si të babëzitur. Qëkur (pas 1962 me BRSS) në v. 1977 edhe me Kinën qe prishur “miqësia” diplomatike, “miqësia” ekonomike, ushtarake, ideologjike… gjithçka. Dhe dihet, vjetërsirat e ndryshkura sjellin aksidente tragjike, jo vetëm në Rinas. Nga 1980-ta e deri tek tani ka kaluar pothuaj gjysmë shekulli.
Andaj “lamtumira” zyrtare e Shqipërisë nga aviacioni i vjetruar ishte kushtëzuar nga vetë arsyeja të ndodhte në v. 2005, kur qe kryer dhe fluturimi i fundit me njërën nga fluturaket.

***
Në Dhjetor të 1912, një javë ose 6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në historinë shekullore u krijua Ushtria Kombëtare (më parë Shqipëria ashtu-kështu nuk “ekzistonte” si shtet, si ngrehinë e pavarur shtetërore), për herë të parë u krijua dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Luftës).
Në Tetor 1913, me vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh holandezë (oficerët De Weer dhe Thomson, si dhe 15 oficerë të tjerë) ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë. Gjithçka që shteti shqiptar dhe Forcat e Armatosura kishin arritur deri në fillimin e Luftës së 2-të Botërore do të zhbëhej, thua se s’kishte ekzistuar kurrë, me agresionin fashist të Italisë, në Prill 1939. Shteti u “shua” e rrjedhimisht dhe Forcat e Armatosura.

Në ato rrethana të okupimit lindën faksione politike e forcash të reja të armatosura (që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës). Forca më e madhe dhe që kishte një skemë organizative, formacione të disiplinuara, një Shtab a Komandë, ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional-Çlirimtare. Thuhet se kjo ushtri i pati 24 brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata, me rreth 45.000 luftëtarë. Pas çlirimit të vendit, natyrisht UAVNÇ iu nënshtrua procesit të riorganizimit e të modernizimit. Struktura organizative përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Forcat Tokësore, F. Detare, F. Ajrore, F. Rezervë dhe ato Territoriale.
Nga v. 1950 deri 1968 Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës. Atëbotë, ushtria shqiptare qe pajisur me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik.

Qeveria shqiptare që në v. 1914 pati dashur t’i blente 3 fluturake nga Austria për Korpusin Ajror Shqiptar, gjithsesi s’mund të flitet për aviacion shqiptar serioz deri në v. 1951, kur u krijua për herë të parë Aviacioni i mirëfilltë Luftarak. Forcat atëbotë i kishin ca avionë të tipit JAK-18 dhe PO-2. Instalimi i parë i aviacionit “jet” u krijua në Kuçovë në v. 1955 dhe përbëhej nga aeroplanë MIG-15. Në v. 1962 u krijua Regjimenti i Aviacionit në Rinas, i cili përbëhej nga një skuadron i avionëve MIG-19 dhe një skuadron MIG-17. Të njëjtin vit qe krijuar dhe Shkolla e Aviacionit Shqiptar, në Vlorë. Në v. 1967 u krijua Regjimenti i Helikopterëve, përfshinte dhe rreth 30 helikopterë MI-4. Në v. 1974 u themelua Regjimenti i Gjadrit, i cili përveç disa fluturakeve të trajnimit MIG-17 dhe MIG-15, ishte i pajisur dhe me avionë MIG-21 dhe MIG-19.

Në vitin 1992 Shqipëria e shpalli publikisht dëshirën për t’u bërë anëtare e NATO, dëshirë e cila u pasua me nisma konkrete në këtë drejtim. Në v. 1994 firmoset dokumenti në kuadrin e PFP, një vit më vonë, 1995, Shqipëria është tashmë zyrtarisht pjesë e nismës së PFP, në v. 1999 u përgatit Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP). Proceset integruese të nisura në v. 1992 u ridimensionuan pas v. 1997 në përputhje me realitetet e krijuara dhe arritën pikën kulmore me ftesën për anëtarsim në NATO, që Shqipëria e mori në v. 2008.

(Komente në Fb)

[ Roland Çipa – 4 Janar 2019 ]
Tani do të na japi NATO më të mira ?

[ Senad Guraziu – 4 Janar 2019 ]
ore po po, fat i madh…
por imagjino, sipas Trump s’duhet as NATO, sepse eshte “obsolete”, tashme ai do t’beje “great America again”, e ka trashur jaranine me Putinin e me Kim Jong Un-in e K-Veriore (me heret kete Un-in e quante “raketash” : )
sipas tij NATO eshte thjesht dic si lendine ne kurriz te trumpisteve ku hane e kullosin gomere e parazite evropian, Trump madje dhe zonjen me te fuqishme te Evropes, Merkel, e akuzonte se Gjermania nuk e paguan 2%-in sic duhet, ju i ndate qindra miliarda dhe e shpetuat shkallmimin e shtetesise greke, e shpetuat nje shtet nga bankrotimi e nga kthetrat e bankiereve, ia dolet me euro-krizen… mirëpo greket me te mire sesa ju, i thoshte, sepse ata me korrektesi i paguajne obligimet e 2% te GDP per NATO : )
andaj Roland them se trumpizmave e brexit-ave kurre nuk u dihet, shume me mire do ishim ndjere sikur te kishim ndonje zog te hekurt, ta kishim blere vete ndonje skifter me forcen tone modeste
…eshte fat qe kemi qelluar pikerisht ne “kufi” te interesave strategjike te Perendimit e te vigjilences se tyre ndaj Lindjes – dhe vete Bondsteel ne Kosove (si baza me e madhe e Amerikes jashte “Amerikes”), edhe vete “vazaliteti” kosovar e shqiptar ndaj Amerikes… jane fatlumesi historike, eshte fat i madh qe historia na ka vene nen mbrojtje te sofres se madhe makropolitike, ekonomikisht tani per tani jemi si “thermija”, s kemi mundesi per te blere avione te shtrenjte… por gjithsesi si strategji nuk duhet fjetur ne kete drejtim, duhet parakrijuar kushtet per te menduar realisht sa i perket kesaj
mendoj une… dmth : )