Censura Internetike – Ndalimi shtetëror i YouTube, i Facebook etj.!

s. guraziu – ars poetica, j 2019 (koment)

Censura e një shteti të tërë do duhej të ishte turp për shek. XXI…

***
Me përjashtim të Koresë Veriore, pothuaj asnjë vend i botës (asnjë qeveri) s’ka kontroll të plotë mbi gjithë kompjuterët e lidhur në rrjet dhe mbi infrastrukturën, teknikisht censura 100% e Internetit është mjaft e vështirë të zbatohet. Madje dhe ka mekanizma teknologjikë (si psh. Freenet) që e bëjnë të pamundur. Sidoqoftë ka dhe filtra të ndryshëm të cilët i përdorin qeveritë, përmbajtja ose adresat e caktuara mund të filtrohen. Mënyra më efektive e censurës internetike është dhe më e thjeshta – thjesht duke këputur qasjen në Internet (siç këputet dhe korrenti, nga KESh-i apo nga KEK-u 🙂 kjo bëhet duke i këputur gjithë “routers” dhe duke çkyçur çdo aparat-server.

Shtrohet pyetja: në shek. XXI, në botën më të lirë se kurrë, në botën demokratike (tekefundit mburremi ashtu) pse vallë do ta bllokonte një shtet prej 20,30,40,50… milionë banorë një faqe internetike, e cila faqe i takon një komuniteti prej 1 miliard përdoruesish të botës?
Mos vallë edhe ndonjë vit dhe Facebook, Google, Youtube mund të “ngelen” vetëm të amerikanëve? Mos vallë do ta kemi Internetin 2, Internetin 3, 4, 5 e kështu me radhë, njësoj siç ia fillonim dikur me nga 1 a 2 TV-kanale, e pastaj për t’i patur me qindra sosh – sa të duash, kabllovike e aso satelitore, në fakt për të zgjedhur deri në mëngjes me butona?

Mos vallë jemi duke vajtur andej kah futurizmi kur kinezët do ta kenë “Inter-rrjetin” e vet, rusët atë të tyre sipas qejfit, turqit po ashtu, eskimezët, hungarezët etj etj.? Apo në fund të fundit, dhe pse jo, s’do jetë asgjë më interesante nga ç’ka qenë (dhe akoma është) me TV-kanalet. Pasi është absurd t’i përzihet CimNN-i i Washingtonit, a BB-Sia e Pentagonit… TV-kanaleve të Moskës a Pekinit se çfarë duhet të thonë në lajmet e veta të mbrëmjes a të mëngjesit : )

Sipas Associated Press, që nga Prilli 2016, Korea Veriore e ka bllokuar totalisht faqen e YouTube, por dhe atë të Facebook e të Twitter. Rishtas, shtrohet pyetja: pse do ta bllokonte një shtet prej 25 milionë banorë një faqe internetike si Youtube?
Derisa në Emiratet e Bashkuara Arabe, ISP e atjeshme është e obliguar të shfaq vërejtjen: “prani e përmbajtjes erotike-seksuale në faqen e cila është qartë kundër vlerave fetare, kulturore, politike dhe morale të Emirateve të Bashkuara Arabe”, mirëpo banorët e Emirateve kanë akses në YouTube.
Në rastin e Koresë Veriore nuk është aq e qartë arsyeja e censurimit (mund të spekulohet, natyrisht) dhe se autoritetet e kanë fuqizuar paralajmërimin e rreptë se kushdo provon të ketë qasje në YouTube do të dënohet.

Sipas Alexa, për vitin 2017 video-platforma YouTube paska qenë faqja e dytë më popullarizuar globalisht. Mirëpo jo të gjitha shtetet e botës janë të “kënaqura” me YouTube, në disa prej shteteve shpesh është bllokuar, e bie fjala edhe në vetë Gjermaninë, për arsye të të drejtave autoriale nga industria muzikore (nuk e di saktë por di që kishte një mosmarrëveshje legale gjermano-amerikane sa i përket “streaming”).

Shtetet që paskan patur dhe ose aty-këtu ende kanë “probleme” me YouTube, Interneti m’i hodhi si vijon:
Afghanistan, Armenia, Bangladesh, Brazil, China, Eritrea, Finland, Germany, Indonesia, Libya, North Korea, Malaysia, Morocco, Pakistan, Russia, Sudan, South Sudan, Tajikistan, Thailand, Tunisia, Turkey, Turkmenistan, Uzbekistan, UAEmirates

***
YouTube, LLC është një faqe internetike amerikane për publikimin e videove, me seli në San Bruno të Kalifornisë. Në Shkurt të v. 2005 tre ish-punonjës të PayPal e krijuan këtë shërbim (me PayPal siç e dimë ishte i “lidhur” dhe Elon Musk). U desh të kalonte vetëm 1 vit dhe Google e bleu faqen në Nëntor të v. 2006 për 1.65 miliardë $. YouTube tani vepron si një nga degët e Google. Të dhënat e tyre thonë se YouTube ka më shumë se 1 miliard përdorues, dhe se çdo ditë ata shikojnë më shumë se 1 miliard orë video. Një pjesë e mirë e këtyre orëve mund të jenë “pornografi”, është fakt… do ishte ideale sikur teknikisht t’ishte i mundur një lloj filtri efikas dhe i pakorruptuar.

Nga ana tjetër, gjithashtu s’mund të mohohen me qindra miliona video edukative, shkencore, muzikore, panumër video të mrekullueshme që i bëjnë çupat e çunat e mbarë botës, qoftë gjatë gostive, a në piknik, qoftë gjatë garave sportive, qoftë gjatë ekskursioneve… dhe tani kanë dëshirë t’i ndajnë me dikend. Ndërkomunikimi njerëzor është absolutisht i natyrshëm, qoftë nëpërmjet gjuhës, shenjave, shkrimit… e edhe ai me mjetet multi-mediale, njeriu është qenie sociale. Cenzura e një shteti të tërë do duhej të ishte turp për shek. XXI…