(senad guraziu – ars poetica, 7 k, 2025 – më shumë se 64.000 emra të viktimave – 800 izraelite, dhe të tjerat, mbi 63.000 palestineze)
…faleminderit Holandë – mesazh human, dënim i luftës dhe i dhunës, dëshmi e tragjedisë së luftës pa slogane politike, as pankarta as trazira, qetësisht, me maturi, duke reflektuar mbi jetët e humbura, me dinjitet, në heshtje, me ndjenjën e qytetarisë dhe të humanizmit…
[ ngjitur: foto e qytetit Nijmegen, Holandë ]

***
Numri viktimave në Gaza duke u rritur vazhdimisht, qoftë dhe vetëm sot (të hënën, 7 Korrik) mbi 100 viktima nga sulmet izraelite, akoma pa ardhur mesnata për t’ia filluar e nesërmja, dmth. mund të rritet numri i së sotmes edhe mëtej, e po ashtu numri duke u rritur çdo ditë, deri dje (të dielën, 6 Korrik 2025), sipas holandezëve më shumë se 17.400 viktima janë fëmijë – numri i viktimave rritet, por holandezët e ngrejnë zërin kundër luftës dhe vrasjeve në mënyrën e tyre paqësore, thuase provojnë ta shkundullosin “ndërgjegjen” njerëzore pavarësisht si, me metodat e paqes, me qasjen e humanizmit.
Ca ditë më parë, duke filluar të mërkuren në mëngjes, 2 Korrik 2025, nga qytetarët e Nijmegen të Holandës u organizua një aktivitet humanitar, diç si “thirrje ndërgjegjes sonë”, duke ndërmarrë leximin me zë të lartë në publik emrat e gjithë viktimave palestineze + izraelite, dhe i cili aktivitet do zgjaste 5 ditë, deri mbrëmë. Nismëtari, organizatori i aktivitetit, z. Jos van Dongen, në Omroep GLD (Gelderland) qe shprehur “qëllimi i aktivitetit tonë, ta njohim koston njerëzore të dhunës”.
Dmth., si parafrazë e thjeshtë, le ta dimë saktë, le të dihet saktë, le të tingullojë në veshët tanë, cilët emra realisht, jo vetëm si shifra, kush janë viktimat, le t’i dëgjojë publiku holandez dhe i mbarë botës për 5 ditë rresht, për 100 orë pandalë emrat e të vrarëve, sepse jetët njerëzore s’janë vetëm “shifra”, ndër ta madje afro 18.000 fëmijë palestinezë, shpirtra absolutisht të pafajshëm – vallë ç’faj kishin 18.000 fëmijë për çmendurinë e sulmeve të Hamas në Izrael, apo për revanshimin e ushtarakëve të Izraelit, shkatërrim dhe shfarosje, deri në shkallë gjenocidale…
Organizatorët janë shprehur “…çdo ditë përballemi me imazhe të luftës në Gaza. Në këtë kuptim jemi dëshmitarë të asaj lufte, por çfarë mund të bëjmë? Absolutisht asgjë? Aktiviteti ynë i organizuar në Nijmegen s’ka deklarata fetare as politike, as pankarta dhe as demonstrime të tjera. Nuk është ndonjë përkujtim i viktimave të luftës, qëkur lufta ende duke vazhduar. Duam ta paraqesim një dëshmi të kësaj tragjedie qetësisht dhe të matur, duke reflektuar mbi jetët e humbura, me dinjitet, në heshtje – kjo është mënyra më e mirë, pa amplifikatorë, pa flamuj, pa slogane, thjesht me ndjenjën e humanizmit, të njerëzores” – janë shprehur organizatorët.
Aksioni në Nijmegen filloi mëngjesin e së mërkures, me leximin e afërsisht 800 emrave të civilëve që vdiqën më 7 Tetor 2023, gjatë sulmit të Hamas në Izrael. Më shumë se 450 persona, banorë të qytetit Nijmegen do merreshin me leximin me zë të lartë, edhe të emrave palestinezë, të personave që vdiqën në Gaza, që nga 2023.
Gjithsej më shumë se 64.000 emra të viktimave (800 izraelite, dhe të tjerat, mbi 63.000 palestineze). Në total, llogaritej se do u duheshin rreth 100-110 orë para se emri i “fundit” të lexohej të dielën.
Leximi do zhvillohej në vende të ndryshme të qytetit Nijmegen, në shkallët e bashkisë, në Grote Markt, në sheshin e Hoogstraat, në kishën Stevenskerk. Po ashtu, në kishën Stevenskerk qenë sjellur rreth 64.000 copë pëlhure të kuqe me përmasa 50 x 5 cm që të lidheshin së bashku për ta formuar një fjongo të gjatë. Një copë fjongo për çdo jetë njerëzore deri tani.
[ ngjitur: foto e qytetit Nijmegen, Holandë – pamje nga lart e kishes Stevenskerk ]

* notë – në njërin nga komentet e mia, disa ditë më herët, ndoshta 1 javë, apo dhe 7-8 më përpara, pata shkruar diku se ishin 1200 civilë të varë nga sulmi i Hamas, më 7 Tetor 2023 në Izrael – sepse ashtu e dija, sepse ashtu e pata lexuar në burimin e mediave izraelite, duke pandehur askush nuk “manipulon me shifra të vdekurish, me shifra sulmesh, me shifra të tragjedive të tilla, pse vallë do duhej shtrembëruar shifrat e viktimave, sipas meje është absurd”, e di se janë dhe propagandat e luftës në pyetje… mirëpo për viktima të asaj natyre pothuaj sikur gjithmonë ashtu kam përsiatur, ku di unë, naiv ndoshta, mendje kalamajsh – tani holandezet thonë afërsisht 800… dhe për 5 ditë rresht madje duke i lexuar emrat konkret para kamerave të gjithë botës, emër pas emri, ~64.000 emra, që ditën e parë ia filluan me leximin e emrave të viktimave izraelite…
