E. Xhindi: “Vajza e Agamemnonit” tekst tërësisht Afazik!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2019 (Koment)

(…vetë jam një aso lexuesi që si shtytje e ka “ndjesinë”, aluzionin, delirin, përjetimin, një lexues totalisht ATEKNIK, kurrë s’do t’lexoja diç sa për t’ia prishur “shijen” leximit (me detaje teknike), pothuaj sikur më pëlqen të mendoj se tekstet e Kadaresë do ta kënaqnin cilindo lexues qoftë dhe me “anomali tekstuale”, edhe pa ë-jat, edhe me rrokjet të nd ara, edhe me lëshimet ortografike e me gabo-shkrim të rastit, madje dhe me lapsuse logjike e “ndërtekstuale”…)

***
Mbrëmë lexova një tekst prej 6-7 faqesh (tekst relativisht i vjetër, kritikë letrare), diç si “kritikë teknike” nga autori Ermir Xhindi (Universiteti i Vlorës), derisa tek “Pasardhësi” autori s’ka hetuar ndonjë anomali afazike (si temë e shkrimit), per tekstin e “Vajza e Agamemnonit” s’mund të thuhet e njëjta, konkluzioni i autorit Xhindi: AFAZIA e përshkon në tërësi tekstin e “Vajza e Agamemnonit”…

“…tekstet e Ismail Kadaresë si te gjitha tekstet e përshkuara nga letrariteti janë në tërësi struktura gjuhësore të përshkuara nga anomalitë semantike në raport me ligjërimin e përgjithshëm… / tekst i këputur / Rasti më tipik i anomalisë semantike për ne është metafora e shprehur edhe në motërzimin e saj, metoniminë…
Kuadri teorik – Më parë se të zbatohet në tekst është e nevojshme, mendoj, paraqitja e kuadrit teorik për këtë temë relativisht të parrahur në studimet tona… ”
– – –
[ tutje koment nga unë, sguraziu – paçka se pastaj “kuadri teorik” i z. Xhindi është pothuaj teorizim tërësisht i para-rrahur nga autorët T. Todorov, F. Rastier, R. Jakobson, Northrop Freye… autori e merr mundin të shpjegojë fjalë për fjalë në shqip (pakashumë të përkthejë) se çfarë kanë thënë ata (bie fjala rreth metaforës, metonimisë, rreth tropeve etj), dhe se përse i duheshin mendimet e tyre për ta mbështetur “bazën” ideatike autoriale (rreth anomalisë afazike në tekstin e Kadaresë)… në rregull, jam dakord në plotësi se “Vajza e Agamemnonit” është tekst “afazik” – as nuk them se teoritë e Jakobsonave kanë ndonjë gjë mangut, assesi s’janë teorizime të tejkaluara (tekefundit teorizimet e tyre ende kanë ngelur teori, s’janë ndonjë shkencë 100% ekzakte mirëpo zor t’i tejkalojë kush… përndryshe pastaj ndonjë lëshim “afazik” helbete do t’mund të hetohej dhe në vetë tekstin e z. Xhindit, dhe në vetë komentin tim tani, who knows, nobody’s perfect, kurrë s’duhet thënë kurrë : ) – mirëpo shakanë anash, pajtohem me konkluzionin e z. Xhindit, edhe pse në fakt pak kujt i hyn në punë, është “tjerrje tepër holl”, qasje kryekëput teknike, mbase ia vlen si teknicitet universitar, akademik, vetë jam një aso lexuesi që si shtytje e ka “ndjesinë”, aluzionin, delirin, përjetimin, një lexues totalisht ATEKNIK, kurrë s’do t’lexoja diç sa për t’ia prishur “shijen” leximit (me detaje teknike), pothuaj sikur më pëlqen të mendoj se tekstet e Kadaresë do ta kënaqnin cilindo lexues qoftë dhe me “anomali tekstuale”, edhe pa ë-jat, edhe me rrokjet të nd ara, edhe me lëshimet ortografike e me gabo-shkrim të rastit, madje dhe me lapsuse logjike e “ndërtekstuale” – aq holl-e-holl zor se ka kohën e durimin për ta shoshitur akëcili lexues, dhe unë them “për fat të mirë” – fund i komentit ]
– – –

Vajza e Agamemnonit (1985) – Temë: “diktatura” / Mjetet gjuhesore: Veta e parë, koha e shkuar; Frazat e shkurtra karakteristike, kombinimi i tyre me frazat e gjata; Përcaktorët dhe përemrat me funksion kryefjale; Lidhëza dhe me funksion përforcues-shtjellues në krye te fjalive; Fjali që fillojnë me folje në kohën e shkuar zakonisht të shkurtra; Fjali që fillojnë me kundrinorë, më zakonisht mungesore, etj; / Procedimi: Përshkrimi i jashtëm me pak detaje; Monologu i rrëfyer zakonisht në trajtën e bashkëbisedimit të munguar; Karakterizimi dialogjik i personazheve; Një linjë veprimi e ndërprerë nga sekuenca të shkurtra linjash të tjera; Prania e shpeshtë e mitit (Qerosi, Flijimi) etj; Hapësira dhe koha e “botës artistike”: Tiranë; koha “nën diktaturë”, e papërcaktuar;

Struktura ligjërimore te “Vajza e Agamemnonit” – Subjektiviteti i shprehur që zotëron tekstin nga kreu ne fund; Koha e shkuar e rrëfimit mbart një përmasë meditative; Meditimi mbetet jashtë veprmit të jashtëm të kryer, mbetet si pikë nga e cila personazhi projektohet ndaj atmosferës në vepër; Atmosfera përkufizohet në mënyrë të paqartë, flu, subjektet veprues vendosen në sfond; Vizioni i shpërndarë, i fragmentarizuar i realitetit; Perceptimi sinestezik, etj;

/ tekst i këputur /…mund të jepen përfundime mbi mënyrën e evoluimit botëkuptimor dhe konvencional artistik të Ismail Kadaresë në një hapësire prej rreth 20 vjetësh / tekst i këputur /
Prej shqyrtimit, rezulton se “aphasia” përshkon në tërësi tekstin “Vajza e Agamemnonit”…

[ shkëputur nga “Strukturat metaforike e metonimike ne diptikun ‘Vajza e Agamemnonit’ – ‘Pasardhësi’ të Ismail Kadaresë”, Ermir Xhindi ]

[ ngjitur: majtas, kopertina e botimit nga Onufri, romani e Kadaresë “Vajza e Agamemnonit”, djathtas, piktura: François Perrier (1590-1650) – “Sakrifikimi i Ifigjenia” (vajza e Agamemnonit) ]

Piktura e paraqet sakrifikimin e vajzës së vet nga Agamemnoni – lart në retë shihet perëndesha Artemisa (ajo ishte “shkaku” i sakrifikimit), perëndesha megjithatë e kursen Ifigjeninë e ngratë duke e ndërruar me një drenushë…

| – – – [ gjithçka e Agamenonit ishte e “lidhur” me Tantalin, si provokues i hyjnorëve ] – – –
(s. guraziu – ars poetica, 2018)
Aftësitë e veta si gjahtar Agamemnoni me fjalë i pati ngritur në qiell, madje krahasuar me aftësitë e vetë perëndeshës së Gjuetisë, Artemisa. Kësaj të fundit s’kishte si t’i pëlqente mburravecllëku i tij. Andaj për t’mos u hidhëruar ajo, Agamemnoni i premtoi perëndeshës se gjahun më të mirë gjatë kampanjave të gjuetisë, do t’ia ofronte asaj.

Mirëpo nuk e mbajti premtimin. Artemisa e pezmatuar i zbuti erërat e detit aq shumë, asnjë valëz… deti qe qetësuar si “pasqyrë”, në mënyrë që grekët t’mos niseshin drejt Trojës. Për të patur një erë të mirë a të favorshme, dhe duke qenë nën presion nga ushtria (Agamemnoni ishte kryekomandanti, kreu i shtabit suprem, ishte diç si “mareshal” për gjithë ushtrinë greke), duhej ta sakrifikonte vajzën Ifigjenia (që e kishte me gruan Klitemnestra). Natyrisht, si një nënë Klitemnestra qe zemëruar në kulm (Agamemnoni, veç e pati vrarë dikur burrin e parë të saj, dhe vajzën e vogël… që e kishte me të).

Sipas një versioni tjetër, perëndesha inatçore, Artemisa e sabotoi lundrimin, ose i zbuti erërat që anijet t’mos niseshin drejt Trojës. Perëndesha Artemisa ia pati shpalosur kushtin Agamemnonit se vetëm sakrifikimi i vajzës së tij Ifigjenia do ta kënaqte mjaftueshëm dhe do ta zbuste zemërimin e saj. Agamemnoni vendosi ta sakrifikonte vajzën e vet. Për fat të mirë, Ifigjenia megjithatë do i shpëtonte fatit të saj për t’u sakrifikuar, Artemisa do e zëvendësonte atë me një drenushë.

Mirëpo, sidoqoftë, vendimi i Agamemnonit për “sakrifikim” të vajzës së tyre, e përkeqësoi ose e shtoi urrejtjen e gruas Klitemnestra, e cila ashtu-kështu veç e urrente mjaftueshëm. Më vonë, derisa Agamemnoni për vite të tëra ishte larg në luftën e Trojës, ajo e tradhtonte me nipin e tij, Agistisin (i cili dhe vetë pati lindur nga incesti). Për më tepër, Klitemnestra vendosi ta vriste burrin e vet (Agamemnonin), e sidomos kur mësoi për qëllimin e tij që ta sillte vajzën e Priamit (mbretit, tashmë të vrarë, të Trojës), princeshën Kasandra, si robinë ose si “peshqesh lufte” për vete, dhe të bashkëjetonte në shtëpinë e tyre.

Agamemnoni dhe Klitemnestra i kishin katër fëmijë; emrat e tyre ishin Ifigjenia, Elektra, Krizatemisa dhe Oresti. Tre prej tyre e bartën “vuajtjen tantaliane”, gjatë jetës së tyre e përjetuan ndëshkimin e zotave. Nga ky ndëshkim qe përjashtuar vetëm Krizatemisa (se përse, s’kam njohuri – por dhe nuk i është përshkruar ndonjë rol i rëndësishëm në mitologji, si karakter shfaqet në “Elektra” të Sofokliut).

Pra Klitemnestra do e vriste Agamemnonin. Elektra dhe Oresti u hakmorën për babain, duke e vrarë nënën e tyre Klitemnestren, si dhe të dashurin e saj. Duhet patur parasysh, në mitologjinë greke shfaqen disa figura me emrin Elektra, jo gjithmonë është e qartë nëse fjala të jetë për të njëjtën Elektra, psh. një Elektra përmendet si nëna e Dardanusit, e themeluesit të Trojës.

***
| – – – [ ndëshkimi i hyjnorëve, ndëshkimi i “gjenealogjisë familjare” të Tantalit ] – – –
(s. guraziu – ars poetica, 2018)
Duke dashur ta sprovonte omni-dijen e perëndive, stërgjyshi i Agamemnonit, Tantali i pati ftuar të gjithë zotat për darkë. Mirëpo s’ishte darkë e zakonshme, ai e vrau dhe ua serviri Pelopsin si ushqim, vetë djalin e vet. Vështirë t’ua hedhësh zotave të gjithëdijshëm, zor të shtyhet kush me omni-potencën hyjnore. Askush prej zotave të ftuar nuk hëngrën, përveç perëndeshës Demetra (e ngrata kishte dhimbje, ishte pllakosur nga dhimbja për vajzën e vet, për Persefonën e rrëmbyer nga Hadesi – ashtu e përhumbur nga dhimbja, nëna Demetra e pati provuar një kafshatë).

Për këtë “provokim” me darkën e çuditshme, Zotat qenë zemëruar jashtëzakonisht, pothuaj “unanimisht” e ndëshkuan Tantalin duke e burgosur në Tartaros (diku akoma më “thellë” se Hadesi). Pra Tantali qe dënuar përjetësisht në humnerën e Tartarosit, në burgun e titanëve… burg i tmerrshëm që nga koha e Kronosit (sipas Platonit, Tartarosi ishte vendi ku shpirtrat gjykoheshin pas vdekjes, dhe ku shpirtrat e ligë e merrnin dënimin hyjnor).

“Vuajtja tantaliane” nënkuptonte izolimin ekstrem; prore i lidhur, i uritur, i etur, i prangosur në ujë, i zhytur deri në fyt e megjithatë uji i paarritshëm, s’mund ta shuante etjen, sipri kokës frutat kalavarur por as ato s’do i arrinte dot. Tantali dhe sot e kësaj dite është duke e vuajtur “dënimin”, dhe jo vetëm ai, që nga Tantali, “trungu” i tij gjenealogjik qe ndeshur tutje vazhdimisht me ndëshkimin e perëndive.

Tantali e kishte një vajzë të vetme, quhej Najoba, edhe ajo do ta pësonte. Najoba me arrogancën e vet e pati fyer perëndeshën Letona (nëna e Apollonit… dhe e motrës së tij binjake, Artemisa). Fyerja kishte t’bënte me faktin se Letona na i kishte vetëm dy fëmijë, ndërsa ajo vetë, Najoba i kishte katërmbëdhjetë. Për këtë ofendim, Artemisa së bashku me të vëllain Apollonin u hakmorën duke i vrarë të katërmbëdhjetë fëmijët e saj. Artemisa i vrau të shtatë vajzat, Apolloni të gjithë djemtë e të ngratës Najoba.
| – – –