SG – Morse M-Usa dhe Udhërrëfyesi, 2004

MORSE M-USA DHE UDHËRRËFYESI
S. Guraziu, 2004

sot (dukemi) të urtë,
të mençur, unë di
se asgjë -. ..- -.- -.. ..
ju -.. .. -. se asgjë
-. ..- -.- -.. .. -. .. ne -.. .. — .
se asgjë -. ..- -.- -.. .. — .
por pyetje e pashmangshme
pse dehemi nga iluzioni
për ylberin

shtiremi se jemi pa sy,
pa veshë, nuk i dallojmë
dot siluetat, hijet në gjatësinë
e veshëve të gomarit
tekat e ylberit pas shiut
të purpurt, as retinën
monokromatike të qenies
e nesërmja mund të ikë,
të fshihet, le të struket
pas lotëve të krokodilit

e dje, thjesht ishte
se ç’na ishte, sot krokodili
kollitet këtu – prandaj
rëndësi ka, e justifikueshme
është një vizitë
në laboratorin e opticienit
me qenushin Ars,
udhërrëfyesin, sytë fshehur
nën vizirin ultraviolet
botës nuk i intereson
dioptria jonë

kalimtarët largohen,
shikimet bien,
shkopi që thyhet, rekuizit
modern, kuturu
duke prekur… duke prekur
para nesh “hazreti” M-USA
çanë detin n’dysh,
për zogj s’ka semaforë,
qenushi besnik,
s’ka dyshim do ta kalojmë
rrugën gjallë… me syzet
të pagërvishtura

matanë krokodili i trashë,
plastik, pret gjysmë i shtrirë
dhe kollitet, në sytë
kush ka sy mund t’i shohë
lot të vizatuar, perla
të rrejshme, nga piktori
gungaç por simpatik
me brusha dhe magji
të djeshme.

(Ateljeu i) George Frederic Watts (1817-1904) – Shpresa, 1886