Kalendari Republikan – Sekularizmi simpatik i revolucionarëve francezë!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2016

(…në sovjetikën leniniste akoma ndjehej rezistenca e futuristëve, dhe s’mund të flitej për dominancë të soc-realistëve. Por që nga fillimi i erës staliniste kushtet për “përqafimin e soc-realizmit” filluan të ndryshojnë dukshëm. Në fakt pothuaj të gjithë e patën “përqafuar”, me të dyja faqet, qoftë me dashje qoftë me detyrim. Arti i realizmit socialist veç i kishte të gjitha karakteristikat e veta, vetëm se ende nuk e kishte një “emër” adekuat. Në vitin 1933, Maksim Gorki sikur “papritmas” e publikoi një artikull me titullin “realizmi socialist”. Dhe ky titull i ardhur nga një ithtar i frymës së soc-realizmit letrar, sikur do t’ishte vula e kuqe e asaj që veç dihej tashmë…)


Louis Lafitte (1770-1828) – Alegori të Vendémiaire, Brumaire, Frimaire, Nivôse, Pluviôse, Ventose, Germinal, Floreal, Prairial, Messidor, Thermidor, Fructidor, ~1794

Neve që “zbresim” ndonjëherë nëpër bodrumet e historisë, pakashumë na është i njohur “Kalendari i Revolucionarëve”, patjetër që kemi dëgjuar apo lexuar për të. Nga fundi i 1793 deri në v. 1805, në Francë qe përdorur një kalendar i ndryshuar totalisht nga kalendari tradicional “gregorian”. Ky kalendar krejt ndryshe, ardhur si ide dhe krijuar gjatë Revolucionit Francez, u përdor për 12 vjet me radhë. Më vonë, në v. 1871, qe përdorur po ashtu për 18 ditë nga Komunarët e Parisit. Dymbëdhjetë muajt e vitit u quajten duke u bazuar në natyrën, ndërsa secila ditë qe emëruar sipas emrit të një luleje, peme, fruti, kafshe, vegle apo mjeti, duke i zëvendësuar emrat e shenjtorëve dhe të ditëve festive të krishtera.

Për të shënuar ardhjen e një epoke të re të lirisë, revolucionarët francezë i ndryshuan dhe i zëvendësuan mjaft gjëra. Ata besonin se nuk e kishin rrëzuar vetëm një sistem shtypës, një sistem qeveritar tiranik, por dhe se kishin krijuar një rend të ri shoqëror, shumë më të përparuar, të riformuar, të ndryshuar me themel e me qiell, rend i bazuar në liritë fondamentale të njeriut dhe në barazinë e mirëfilltë.

Kështu që nuk qenë kufizuar vetëm në reformash legjislative e shtetërore, as vetëm në riorganizimin e ndarjeve regjionale të pushtetit. Ndonëse disa gjëra ishin dhe thjesht vogëlsira prej ndryshimesh. Si psh. braktisja e termave “Monsieur”, respektivisht për ta zëvendësuar me “Citoyen”, si dhe “Madame” me “Citoyenne”. Neve tani si lexues të historisë mbase na dalin si cikërrimash formale, ngjashëm me ato detajet e vogla “zotëriu – shoku” të komunistëve të mëvonshëm, rreth dy shekuj më pas.

Në vizionin e revolucionarëve, pakashumë, nënkuptohej lidhja e të gjitha institucioneve dhe zakoneve të shoqërisë franceze me “zinxhirin” e ndryshimeve të reja që duhej të ndodhnin, në frymën e idealeve republikane. Andaj s’ishte e paarsyeshme nevoja për një kalendar fringo të ri.
Gjithashtu e kuptueshme është që viti i shpalljes së Republikës, viti 1792 për revolucionarët do t’kthehej zyrtarisht në Viti Zero (0). Atëbotë qenë rrokullisur mjaft kokash nga binat e gijotinat, kështu që ata dhe mund t’kenë persiatur: viti kur fillon gjithçka, përtej kufirit të 1792 çështjet e historisë padyshim do t’cilësohen “Para Erës Sonë”, ndërsa këndej e tutje gjithçka do t’njihet me vulen kohore “Era Jonë…”.

***
Në Tetor të 1793 qeveria e re e Republikës Franceze e aprovoi përdorimin e kalendarit republikan, të “kalendarit revolucionar” (calendrier révolutionnaire). Viti kalendarik niste ditën kur ndodhte ekuinoksi vjeshtor në Paris. Dymbëdhjetë muajt tani i kishin nga 30 ditë, të cilat ditë u emërtuan në bazë të rrethanave të natyrës, kryesisht të lidhura me kushtet atmosferike… mbizotëruese në Paris, si dhe rreth-e-rrotull tij.
Muajt e rinj të kalendarit qenë ndarë në nga tri javë 10-ditore, të quajtura dekada (décades). Çdo ditë e kishte emrin e një bime bujqësore, përveç ditës së 5-të (Quintidi) e cila e kishte emrin e një kafshe shtëpiake, dhe ditës 10 (Decadi) e cila e kishte emrin e një mjeti bujqësor.

Kishte një përjashtim me muajin e dimrit Nivôse (Dhjetor). Ndryshe nga muajt e tjerë, ditët e Nivôse nuk qenë emërtuar sipas ndonjë bime bujqësore, por sipas ndonjë kafshe apo substance mineralesh bujqësore. Për arsyen se në këtë kohë toka është e fjetur dhe nuk ka bimë bujqësore për të karakterizuar këtë muaj.

Ditët e dekadave, ose të javëve 10-ditëshe, quheshin si vijon:
primidi (dita e parë), duodi (e dyta), tridi (e treta), quartidi (e katërta), quintidi (e pesta), sextidi (e gjashta), septidi (e shtata), octidi (e teta), nonidi (e nënta), décadi (e dhjeta).

Sezonalja kalendarike “revolucionare” ishte si vijon (shih dhe foton e bashkëngjitur):
Bukuroshet Vendémiaire, Brumaire dhe Frimaire ishin alegori jashtëzakonisht të bukura dhe i takonin Vjeshtës.
– Vendémiaire (nga “vendange” e frëngjishtes, derivacion nga “vindemia” – lat, “vjelja e rrushit”), fillonte më 22, 23, ose 24 Shtator
– Brumaire (nga “brume” e frëngjishtes, “mjegull”), fillonte më 22, 23, ose 24 Tetor
– Frimaire (nga “frimas” e frëngjishtes, “ngricë; acar”), fillonte më 21, 21, ose 23 Nëntor

Bukuroshet Nivôse, Pluviôse dhe Ventôse ishin alegori po ashtu fort të bukura, dhe i takonin Dimrit.
– Nivôse (nga “nivosus” e latinishtes, “me reshje bore”), fillonte më 21, 22, ose 23 Dhjetor
– Pluviôse (nga “pluvieux” e frëngjishtes, derivacion nga “pluvius” – lat, “me reshje shiu”), fillonte më 20, 21, ose 22 Janar
– Ventôse (nga “venteux” e frëngjishtes, derivacion nga “ventosus” – lat, “me stuhi”), fillonte më 19, 20, ose 21 Shkurt

Edhe bukuroshet Germinal, Floréal dhe Prairial ishin alegori po aq të bukura, dhe i takonin Pranverës.
– Germinal (nga “germination” e frëngjishtes), fillonte më 20 ose 21 Mars
– Floréal (nga “fleur” e frëngjishtes, derivacion nga “flos” – lat, “lule”), fillonte më 20 ose 21 Prill
– Prairial (nga “prairie” e frëngjishtes, “lëndinë, luadh”), fillonte më 20 ose 21 Maj

As bukuroshet Messidor, Thermidor dhe Fructidor si alegori të bukurisë nuk ngeleshin më mbrapa, dhe i takonin Verës.
– Messidor (nga “messis” e latinishtes, “të korra”), fillonte më 19 ose 20 Qershor
– Thermidor (nga “thermon” e greqishtes, “vapë, nxehtësi”), fillonte më 19 ose 20 Korrik
– Fructidor (nga “fructus” e latinishtes, “frut”), fillonte më 18 ose 19 Gusht

***
Kalendari i “revolucionarëve” u braktis nga Napoleoni në v. 1806. Si për ironi historia nuk e shpërfilli “trashëgiminë artistike” të kalendarit, por as nuk e “përkrahu” përdorimin e tij. Natyrisht, s’ka si mohohet niveli i lartë artistik i “Kalendarit Revolucionar”. Vetë s’jam çuditur kurrë nga artistikja e kalendarit, por sakaq më shkoi mendja: nëse ta krahasonim me artin e “revolucionarëve komunistë” të mëvonshëm, kam përshtypjen që revolucionarët e Francës së atëhershme na paskeshin qenë shumë më përpara. Sikur në rrafshin kreativ-artistik, ata shumë më të avancuar për nga shijet. Vallë si është i mundur një “kthim” totalisht mbrapa (vajtur dy shekuj më tutje në futurizëm, e megjithatë degradim), si është i mundur një përkeqësim aq evident, një “degradim” aq i madh artistik?!

Për një moment, sikur kalendari qëllimisht e merrte rolin e një “dëshmie” historike, sikur për inat donte të thoshte: mos u çudit aspak, arti i këtyre dy palëve revolucionarësh (që tani t’u mbush mendja t’i krahasosh) ka shumë dallim. Paçka se ndërmjet “kohëve” ka afro dy shekuj distancë kohore, e qartë që klasikja revolucionare e dikurshme sikur tallet edhe sot e kësaj dite me modernen soc-realiste artistike. Sikur e vjetra na del më e avancuar sesa më e reja, sikur më tepër avangardist na del klasicizmi i shekullit XVIII sesa avangarda artistike e komunistëve… dy shekuj më vonë!

Siç e dimë, këta të fundit qenë “ngulfatur” si tepër nga soc-realizmi artistik. Shikuar nga perspektiva e sotme (me një dozë ironie historike : ) vetvetiu sikur është mjaft e çuditshme kjo “ngulfatje artistike”, çudia s’mund të mohohet. Athua vallë e di kush nga historianët me saktësi arsyen e vërtetë të “ngulfatjes soc-realiste”? Derisa “baladat e komunarëve” të dikurshëm, nëse paralelizohen, ato dhe përputhen mjaft me baladat letrare komuniste të shekullit XX, prapëseprapë është për t’u habitur me ndryshimet rreth shijeve artistike të këtyre dy palëve revolucionarësh.
Këtë dallim, së paku për ta hedhur në pah sadopak “shijen artistike” të vjetër, do provoj dhe ta dokumentoj më poshtë me ilustrimet e mrekullueshme të piktorit francez Lafitte. Nuk duhet lënë mënjanë as dhe artistiken gjuhësore dhe të përgjithshme të “kalendarit revolucionar”.

***
Termi “realizëm socialist” qe kalitur në fillim të shekullit XX. Dmth. shumë dekada më herët… përpara se të piqeshin kushtet për “lulëzim” në Shqipërinë e së kaluarës (dmth. si “fenomen” i përgjithshëm artistik). Në sovjetikën leniniste akoma ndjehej rezistenca e futuristëve, dhe s’mund të flitej për dominancë të soc-realistëve.

Por që nga fillimi i erës staliniste kushtet për “përqafimin e soc-realizmit” filluan të ndryshojnë dukshëm. Në fakt pothuaj të gjithë e patën “përqafuar”, me të dyja faqet, qoftë me dashje qoftë me detyrim. Arti i realizmit socialist veç i kishte të gjitha karakteristikat e veta, vetëm se ende nuk e kishte një “emër” adekuat. Në vitin 1933, Maksim Gorki sikur “papritmas” e publikoi një artikull me titullin “realizmi socialist”. Dhe ky titull i ardhur nga një ithtar i frymës së soc-realizmit letrar, sikur do t’ishte vula e kuqe e asaj që veç dihej tashmë.

Vetëm pak kohë më vonë, madje me bujën sovjetike “kongresionale”, qenë përcaktuar udhëzimet se si duhej të ishin veprat artistike të “realizmit socialist”. Qe përcaktuar “relevanca” (proletare), “e zakonshmja” (tipikja subjektive), “realistikja” (prezantuese), “partizanizmi” (partiak).
Kuptohet, duhej të promovoheshin pro-sovjetizmi, idealet sovjetike, por “partia” ishte boshti qendror, ishte fryma e gjithçkaje, fryma e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe gjithmonë duhej paraqitur në mënyrë sa më të favorshme.

Sipas A. Ellis, këto koncepte kryesore që u zhvilluan e siguruan devotshmërinë dhe besnikërinë për partinë; siguruan dhe garantuan “partiinost”” (pikëpamjen, botëkuptimin partiak), “ideinost” (përmbajtjen ideore, ose ideologjike), “klassovost” (përmbajtjen e lidhur ngusht me klasën punëtore), “pravdivost” (vërtetësinë, justifikim “historik”).

Ellis shkruan se kishte një ndjenjë mbizotëruese të optimizmit, funksioni i realizmit socialist ishte paraqitja e shoqërisë ideale sovjetike. Jo vetëm që duhej të glorifikohej e tashmja, por dhe e ardhmja duhej të përshkruhej sa më bukur dhe këndshëm. Sepse e tashmja dhe e ardhmja duhej idealizuar vazhdimisht.

Realizmi socialist e impononte një ndjenjë optimizmi të detyruar, tragjedia dhe negativiteti në art nuk lejoheshin, përveç nëse të paraqiteshin në kohë apo në një vend tjetër. Ky sentiment krijoi atë që më vonë do të quhej “romantizmi revolucionar”, i cili e ngriste në qiell punëtorin e thjeshtë, qoftë të fabrikës qoftë të bujqësisë, duke i paraqitur jetën e tij, punën dhe rekreacionin si të admirueshme. [ (Ellis, A. – Socialist Realisms: Soviet Painting 1920–1970, 2012) ]

***
Pikturat:
Louis Lafitte (1770-1828) – Alegori të Vendémiaire, Brumaire, Frimaire, Nivôse, Pluviôse, Ventose, Germinal, Floreal, Prairial, Messidor, Thermidor, Fructidor, ~1794 (National Library & Bureau of Measures, France)