Çlirimi nëpërmjet fjalës! (Një krahasim për “hir” të një anekdote)!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

Çlirimi nëpërmjet fjalës: Nga jashtë ta hapësh derën e burgut ku ndodhesh i ngujuar” – Sybren Polet

Poetët duhet t’jenë të vetëdijshëm për gjuhën e yjeve, për gjuhën e luleve… – na e thotë tërthorazi, pothuaj si aluzion, Tagore. Mbase ata dhe janë të vetëdijshëm, sigurisht që janë, por dhe shpesh “rëndohen” me gjëra më të rënda sesa mund t’i mbajnë. Ata thuase mëtojnë ta kapërthejnë secilën gjë… e natyrisht, për disa gjëra dhe ata vetë janë të vegjël, aq të vegjël.
Ironikisht, në botën reale-fizike thneglat mund të bartin pesha disa herë më të mëdha, proporcionalisht me peshën e trupit të tyre. Është interesante, është si fakt “magjepsës” dhe për vetë shkencën, për kalkulimet dhe ligjet e fizikës, që psh. një lloj insekti (emrin s’ia di tani, natyrisht, por një lloj brumbulli mund të bartë peshën 850 deri 1000 herë më të madhe se pesha e trupit të vet. Ndërsa dihet… madje as luanët, tigrat, arinjtë etj. dhe as njeriu s’mund të çojnë pezull pesha më të mëdha se 10 x në proporcion me peshën e tyre trupore.

Si është e mundur kjo, si mund të bartet pesha 1000 x më e madhe sesa pesha e trupit “amë”, dhe si shpjegohet ky fenomen?! Mbase fizika dhe ia del ta shpjegojë me numra e shifra, por le ta quaj fenomen, sepse dhe është pakashumë i tillë – qëkur nuk është fjala për “thnegla atomike”, për ndonjë vizatimor të Disney apo për ndonjë sci-fi marrëzi!

Përafërsisht diç e ngjashme (ndoshta) është dhe me “bagazhin emocional, ndjesor… me ato duqet e ndjesisë, hejbet metafizike” në kurriz të poetëve. Shumë nga ta, si “kryeneçër të pandreqshëm” nisen dhe e rrokullisin tek ashtu një gur “sizifi” faqes së bjeshkës. Se përse duhet ai “gur i rëndë” atje në majë ndoshta askush s’e di (sa për brumbujt, e ka kush idenë pse stërmundohen ashtu kot?!)… Por poetët, metafizikisht dhe janë ashtu – siç u morëm vesh – tamam si ato thneglat e brumbujt e çuditshëm!

Po i rendis dy-tri thënie të cilat e pasqyrojnë sado-kudo “problematikën” më lart, ose sëpaku flasin qartë për “kryeneçësinë” e poetëve.
Ti i sheh gjërat siç janë dhe pyet “Përse?”. Unë i ëndërroj gjërat të cilat kurrë s’kanë qenë, dhe pyes “Përse jo?” (George B. Shaw)
Kreativiteti është… të shohësh diç që ende nuk ekziston. Ti duhet ta gjesh mënyrën si të rezultojë ekzistenca e asaj që sheh… dhe kështu duke u bërë bashkëlojtar i Zotit. (Michele Shea)
Çlirimi nëpërmjet fjalës: Nga jashtë ta hapësh derën e burgut ku ndodhesh i ngujuar. (Sybren Polet)
A habitej se si B shkruante për dashurinë pa qenë vetë e dashuruar. B iu përgjigj – Unë shkruaj për vdekjen po ashtu, pa qenë e vdekur fare. (Cees Buddingh”)
Poetët gjykojnë si një diell që bie përreth gjithçkaje dhe që djegë e shkrumbon pamëshirshëm gjithçka. (Walt Whitman)

(anekdota më poshtë i përshkruhet Rabindranat Tagore – përveç tjerash, e njëjta flet dhe për faktin që poetët janë të vetëdijshëm sa i përket vogëlsisë së tyre)

***
Kur poeti ua lexoi vargjet e veta njerëzve të ditur e të shquar në Pallatin mbretëror, oborrtarët dhe dijetarët e duartrokiten me zjarr, kurse Princi e kurorëzoi me një varg margaritarësh. Dalëngadalë dita kridhej në errësirën e natës, ndërkaq poeti duke u kthyer në shtëpi rrugëve të qytetit, të cilat brohoritnin emrin e tij, pa në një dritare një nuse sesi rrinte e qetë pranë një çampaku me lulet e verdha, të hapura. Poeti psherëtiu dhe tha me vete: “Jo, kjo nuk bën për mua. Dashuria ime vrapon ta shfaq adhurimin e vet në shkëlqimin verbues të pallateve, mirëpo forca e saj është e dobët, dhe gjithmonë i them vetes pse nuk jam si pylli që zemrën e vet ua hap luleve, si ylli që flet me gjuhën e flakës”! (Tagore)

[ Foto: Martin Vos – Einstein & Tagore, 1930 – Shkrepur nga fotografi amerikan Martin Vos më 14 Korrik 1930, kur Ajnshtajni qe vizituar nga Tagore në Berlin (në shtëpinë e tij) ]