Kostu-fansat – Nënkultura “Kulturore” e Fansave!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2019

Disa fansa kanë fuqishëm prirje për maskeradat (e kanë si hobi të performojnë si “kostu-fansa”, veshin lloj-lloj kostumesh dhe parakalojnë, apo dhe s’bëjnë asgjë, thjesht buzëqeshin dhe selvi-fohen…fotografohen).

Thuhet se kostumet teatrale i pati shpikur poeti grek Thespisi, pothuaj para 3 mijëvjeçarërve, rreth shek. VI pes., madje deri vonë kostumet e teatrove janë quajtur “rrobat e Thespisit”. Mirëpo s’do flasim sot për “kostumet” si kostume, vetëm na duhej ta përmendim fjalën “kostum”. Sepse gjërat të lidhura.

Bazuar në termin “cosplay” dhe në etimologjinë japoneze-angleze të këtij termi, desha ta pasuroj Shqipen dhe me ndonjë fjalë të re (thjesht sipas metodës “porte-manteau”). Pse jo… pasi në këtë botë pakashumë të gjitha gjërat të lidhura. Në shqip nuk ekziston (sepse “cosplay” natyrisht është term i anglishtes : ) s’di madje as cila fjalë e shqipes do t’i përafrohej më së miri. Ja pse ia vlen të krijohet ndonjë term i ri për Shqipen, njësoj siç është bërë dhe për japonishten.

Sipas H. Stuever, “cosplay” është një lloj arti i performancës, pjesëmarrësit veshin kostume dhe xingla-mingla të modës për ta përfaqësuar një personazh-karakter specifik (frymëzuar nga filmat, video-lojërat, nga fletoret-vizatimore etj.)
Unë vetë s’do i kisha dhënë aq rëndësi për ta “mësuar” sikur t’mos i kisha parë disa foto interesante të fotografit David Love. Po ashtu fotot e këtij të fundit mbase s’do më ishin dukur aq “interesante”, sikur t’mos e kisha parë dikur atë aktorin Johny Depp në rolin e piratit simpatik (në filmat “Pirates of the Caribbean”). Ja pse thashë… “gjërat të lidhura”.

Gjithsesi “farkëtar” i termit na ishte dikur japonezi N. Takahashi, ai e paska formuar termin në v. 1984 (japonisht: kosupure = cosplay). Vetë sqarimi për fjalën “cosplay” gjithandej qenka i bazuar në një artikull të Hank Stuever, publikuar në v. 2000 në “Washington Post”. Mirëpo jo të gjithëve u paska interesuar si fjalë, psh. Enc. Britannica “asgjë” s’ditka (ose dmth. ende s’qenkan kujtuar të shkruajnë për “cosplay”).
Sipas H. Stuever “cosplay” është një term “porte-manteau” i japonishtes, termi është krijuar duke u bazuar në përkthimin e dy fjalëve të anglishtes, “costume” dhe “play”. Në linguistikë me shprehjen “porte-manteau” nënkuptohet dyzimi ose shkrirja e pjesëve të dy fjalëve për ta krijuar një term të ri. H. Stuever sqaron se janë përdorur dy morfema për ta krijuar një fjalë të re; “costume” e anglishtes qenka bërë “kosu” dhe “play” qenka kthyer në “pure” = kosupure.

Fansat e kostum-izuar (ose “cosplayers)” shpesh bashkëvepruakan duke krijuar diç si nënkulturë, ata mund të frymëzohen nga arti i ashtuquajtur “anime”, nga vizatimoret e të gjitha llojeve, nga fletoret me ziatime (comics), nga stili “manga”, nga filmat “live-action”, nga serialet televizive, nga video-lojërat etj. Që nga vitet ’90 (të shek. XX) rritja e shpejtë e fansave me prirje maskeradeske (të cilët e kanë si hobi të performojnë si “kostu-fansa”) e ka bërë këtë fenomen një aspekt të veçantë të kulturës popullore në Japoni, në disa pjesë tjera të Azisë dhe në botën perëndimore. Gjithçka qenka frymëzuar e rritur tutje nga praktika e pjesëmarrjes së fansave me kostume nëpër konventat e fanta-shkencës, duke filluar që në v. 1939 në New York.

Pikërisht fansat dhe kostumet e tyre e paskan frymëzuar japonezin Takahashi për shpikjen e temit. Ai paska marrë pjesë në Konventën Botërore të Fanta-Shkencës (Worldcon 1984) në Los Angeles, dhe paska parë aty shumë fansa me kostume. Më vonë paska shkruar artikull për një revistë japoneze. Takahashi e paska zgjedhur krijimin e një fjalë të re, në vend që ta përdorte përkthimin e termit ekzistues të anglishtes “masquerade”, sepse në japonisht kjo u përkthyeka më tepër si “një kostum aristokratik”, i cili term s’do përputhej me atë ç’kishte përjetuar ai në WorldCon të Los Angeles.

[ fotot: David Love – Bukuroshja Alyson Tabbitha, fotografuar si “cosplayer”… në rol-personazhet nga më të ndryshmet të filmografisë fiktive, e madje dhe në kostumin e “Pirat-Kapitenit Jack Sparrow”, personazh i stisur nga skenaristët Ted Elliott dhe Terry Rossio, dhe i portretizuar nga Johnny Depp në “Pirates of the Caribbean” ]

Parodizimi hollivudesk – Aktorët e “The Big Bang Theory” veshur me kostumet e ekuipazhit të “Star Trek”, gjoja “cosplayers”, si parodizim me kostu-fansat e filmave fanta-shkencor të stilit “Star Trek”, “Star Wars” etj.
“The Big Bang Theory”, është një serial televiziv amerikan i zhanrit “sitcom”, pati startuar në kanalin CBS në v. 2007 (termi “sitcom”, që do të thotë “situation comedy”, është i krijuar pra nga dy morfema, është një term “porte-manteau”, i ngjashëm me “cosplay”…