“Acherontia Atropos” – Flutura me stil “kafkaesk”, e pëlqen mjaltin!

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019)

Siç shihet, emri i fluturës është i lidhur me mitologjinë, Atropa (Atropos) ishte njëra nga 3 moiradat, ajo e këput me gërshërë fillin jetësor të çdo individi, dmth. ajo vendos për “vdekjen” tonë. Kafka ashtu-kështu e simbolizon “vdekjen”. Se përse qe përdorur në posterin e filmit të famshëm “The Silence of the Lambs (Innocents)”, 1991, si dhe në ballinën e romanit “Intermitências da Morte” të José Saramago, 2005, s’e kam idenë mirëfilli (përveç se të spekuloj tani dhe t’ia qëlloj – padyshim do mund dhe t’ia qëlloj, eventualisht : )

Sipas shkencës kjo flutur (që e ka një “kafkë” karakteristike) i takon familjes “Sphingidae”, pas “metamorfozës” fluturon rreth muajve Maj e Tetor, dhe i ka dy breza, insekti jeton në Evropë, Afrikë dhe në Azi, madhësia e të rriturve është nga 9 deri 13 cm (krahëhapur).
Mirëpo sipas të gjithëve atyre që e njohin, thuhet se bën një tingull mjaft të veçantë kur ndihet e kërcënuar, si dhe e pëlqen shumë mjaltin, të cilin natyrisht… ashtu sikur dhe ariu-mjaltaxhiu, zakonisht shkon për ta “vjedhur”.

***
Sipas mit. greke, perëndeshat që kujdeseshin për fijet metaforike jetësore të çdo individi (që nga thirravaji i parë i lindjes, e deri në vdekje) ishin Atropa, Lakezia dhe Klotoja (quheshin Tri Perëndeshat e Fatit Jetësor – të njohura si Moirada). Ato ishin vajzat e Niksit (Natës) dhe të Erebusit (Errësirës). Dmth. zanafilla e tyre sikur e ka fillin që nga vetë “gjeneza” e jetës dhe e mitologjisë.
Atropa duhet përjetshëm të merrej me një palë gërshërë për ta prer fillin e Jetës njerëzore. Lakezia duhej të kujdesej për matjen e fillit të Jetës, ndërsa më e reja dhe më e bukura nga to, Klotoja (si përfaqësim i freskisë, i bukurisë rinore e madje dhe i virgjërisë), duhej të merrej me endjen e fillit të Jetës.