Alegoria realiste pikturale, si “kërbaç” për dekadencën morale!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2019 – Pak fjalë…

Thomas Couture (1815-1879) – Romakët gjatë kohës së “dekadencës”, 1847

Piktori Couture me brushat e fshikullon “dekadencën morale” të Romës, por ai e përdor artin si “kërbaç” për dekadencën morale franceze (pra me ndihmën e “alegorisë realiste”). Kritikët e artit (rreth e rrotull prezantimeve të Sallonit të v. 1847) e patën kuptuar shumë shpejtë se imazhi i “dekadencës romake” në fakt e përfaqësonte “dekadencën franceze”.

Sipas “Musée d’Orsay” kjo vepër e Couture i takon zhanrit të “pikturës historike”, e që konsiderohej si zhanri më fisnik piktural gjatë shek. XIX. Duke qenë si e tillë, piktura e përfaqësonte ose fliste për “sjelljen njerëzore” dhe parapritej të përcillte një mesazh moral. Anise me përmasat (472 x 772 cm) piktura sikur i “tradhtonte” ambicjet e mëdha artistike (pikturat “historike” duhej të ishin tabllo grandioze, shpesh me përmasat prej disa metrash gjerësi e lartësi).

Gjithsesi, piktura ia pati hëngër piktorit rreth 3 vite kohë, Couture donte të sillte një “shtysë të freskët” artistike për shkollën pikturale franceze, dhe për ta arritur këtë ai në mënyrë konvencionale referohej në artin e mjeshtrave të Greqisë së lashtë, të Renesansës dhe të Shkollës Flandreze.

Piktura i paraqet “orgjitë” e klasës sunduese dhe shthurjen e shoqërisë romake; në aheng shihen një grup njerëzish të dehur, të lodhur, të zhgënjyer, ose ende duke pirë e festuar. Statujat antike në sfond, të zymta, sikur dhe ato janë duke e dënuar “orgjinë” dhe shthurjen. Se piktura i fshikullonte veset e këqija dhe degjenerimin, kjo qe bërë e ditur dhe nga vetë Couture, ai në katalogun për Sallonin e v. 1847 pati cituar diç nga një poet romak: “Më egërsisht se lufta, shthurja e pushtoi Romën dhe u hakmor ndaj perandorisë”.

Me pamjen vizuale e me citimin e tekstit të lashtë në fakt Couture po aludonte ose po e kritikonte klasën sunduese franceze të kohës aktuale (të kohës së vet). Klasa sunduese atëbotë ishte diskredituar nga një seri skandalesh. Si një jakobin, si një republikan dhe antiklerik, ai e kritikonte “dekadencën morale” të Francës nën Monarkinë e Korrikut (“Monarkia e Korrikut” ishte një periudhë e monarkisë kushtetuese liberale në Francë, nga Revolucioni i Korrikut 1830, deri në Revolucionin e Shkurtit, 1848).