Hipolita, krye-trimëresha, mbretëresha e Amazonave!

Hipolita në mit. greke ishte mbretëresha e Amazonave, babai i saj ishte Aresi (më sherraxhiu nga i gjithë panteoni i perëndive mitologjike, madje ai ishte vetë Zoti i Luftës, i nxehej gjaku nga hiçasgjëja dhe sakaq t’ia kriste luftës, i pëlqenin luftrat dhe mizeriet që ia shkaktonte njerëzimit). Aresi ia pati dhuruar vajzës së vet një rrip magjik (brezore). Në mitet heraklesiane, rripi i Hipolitasë ishte “detyra e nëntë” e Heraklesit (duhej t’ia merrte disi, o ta mashtronte, o me sharmin e vet ta hipnotizonte). Nëse Hipolita ia pati dorëzuar rripin vullnetarisht apo nëse Heraklesi (Herkulesi – vers. romak i Heraklesit grek) ia pati marrë me zor… këtë detaj mitologjia s’e ka aq të “mprehtë”. Pjesa dërrmuese e versioneve thonë se ajo pati dhënë rripin vetë, madje me dëshirë…

Natyrisht ka mjaft versione e supozime, mitologjikat rreth-e-rrotull figurës Hipolita janë mjaft të lloj-llojshme, kështu që nuk përjashhtohet mundësia të ketë patur disa “Hipolita” të ndryshme. Mirëpo si figurë e mitologjisë greke Hipolita shquhet dukshëm në mitet e Heraklesit dhe të Teseusit. Sa për këtë të fundit (edhe ky shok i Heraklesit), versione mitologjike thonë se Hipolita madje qe martuar me të, duke u bërë kështu amazona e vetme në gjithë mitologjinë (+ historinë) që të martohej me një burrë, me një mashkull.

Nëse martesa e saj me Teseun t’na ishte e vërtetë, kjo do ishte diç tejet e jashtëzakonshme, përjashtim tejet i veçantë. Sepse të martoheshe me ndonjë burrë për amazonat në fakt ishte mëkat i madh, diç e papranueshme. Amazonat ishin armikeshat e përbetuara të meshkujve : )
Mirëpo dihet se mitologjia ka plot detaje kontradiktore, e sidomos mitologjia greke “kontradiktohet” me vetveten kahdo që “rrotullohet”, madje dhe shpesh në mënyrë “shumfishore” : )

Herë thuhet Hipolita qe martuar me të, herë thuhet ndryshe. Versione tjera sugjerojnë se Teseu e pati rrëmbyer Antiopën, motrën e mbretëreshës së amazonave, motrën e Hipolita. Ndërsa dihet, amazonat ishin të rrezikshme, siç e thamë të martoheshe me një burrë për amazonat ishte diç e papranueshme. Kështu që Antiopa si “tradhtare” qe vrarë nga vetë amazonat. Edhe pse ishte rrëmbim, e patën detyruar me zor, nuk ishte tradhti, s’është se Antiopa qe rrëmbyer me vullnetin e asaj vetë, ishte thjesht fati i keq i saj, ishte fatkeqësi. Për fat të keq sikur as fatkeqësia nuk i falej – do e vrisnin, aq strikte ishin amazonat.

Thjesht pra deshëm ta sjellim në “pah” që mitologjia nuk është ndonjë “shkencë ekzakte”, e sidomos kur është në pyetje mitologjia greke… thjesht duhet buzëqeshur, do ishte qesharake nëse insistohet saktësi e përkryer : )

Fotot:
* Në pop-kulturën amerikane, si karakter i fletoreve vizatimore (comic books), Diana ishte diç si një “grua magjike”, ishte dhe vajza e Hipolitasë, andaj sëfundi e patëm filmin “Wonder Woman”, 2017, ku Hipolita thjesht e “luan” rolin e vet (dmth. rishtas ishte mbretëreshë e amazonave – karakter i luajtur nga aktorja daneze Connie Nielsen)

* Një skulpturë e dylltë e Hipolitasë (në Samsun, Turqi – qytet ku Ataturku psh. e pati “nisur” revolucionin e vet patriotik)

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019)