Codex Trivulzianus – Da Vinçi i “Republikës së Letrave”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2019 (dy-tri fjalë rreth “mësim-nxënies letrare” të da Vinçit)

Shkruar mes viteve 1487-90, Codex Trivulzianus është një nga dorëshkrimet më të vjetra të njohura në korpusin e shkrimeve davinçiane. Da Vinçi ishte thjesht një gjeni i lindur, një “makinë mendore” e rrallë, një njeri aq kurioz i tipit “omo sanza lettere” (njeri i pashkollë), ky kodik e pasqyron më së miri “filozofin – mendjen e etur për dije”, vullnetin autodidaktiv për të zotëruar latinishten dhe për t’i organizuar leksikonet e fjalëve në gjuhën italiane lidhur me shkencën, filozofinë dhe lëndët humaniste në përgjithësi.

Cili mendimtar ka poseduar ndonjëherë vizionin kozmik në mënyrë kaq këmbëngulëse?…” – sikur e pati shtriqur pyetjen në sheshin e sheshtë të habisë, autori Edward McCurdy, madhështinë davinçiane në një moment ai do ta vlerësonte shkurt e thjeshtë “…aktiviteti intelektual, manuskriptet e tij janë dëshmi e punës së makinës më të fuqishme mendore që ka përfaqësuar ndonjëherë truri i njeriut“!

Leonardo da Vinçi (1452-1519) ka lënë prapa disa fletore (“kodikë”, manuskripte-dorëshkrime, mbushur me shkrime, diagrame, vizatime, skica etj.), ndër ato që njihen janë “Codex Arundel“, “Codex Atlanticus“, “Codex Leicester“, “Codex Madrid (Leonardo)“, “Kodik (manuskript) rreth Fluturimit të Shpezëve“, “Codex Urbinas” dhe “Codex Trivulzianus“.

Derisa më voluminozi dhe më interesanti nga kodikët mbase është ai “Atlanticus” (me afro 1200 fletë), dhe derisa një tjetër nga kodikët e tij mban rekordin si “fletorja më e shtrenjtë” shitur-blerë ndonjëherë në historinë e njeriut, dhe fjala është për “Codex Leicester” blerë për 30 milionë… tani në pronësi të multi-miliarderit amerikan, të “kompjuteristit” Bill Gates, Codex Trivulzianus sikur na e dëshmon kujdesin e impenjimin rreth “mësim-nxënies letrare” e të bukurshkrimit të da Vinçit : ) Them kështu dhe vura figurinën e buzëqeshjes, duke i patur parasysh “Profecitë” e tij, si kapitull shpesh i paqartë dhe mjaft mistik i dorëshkrimeve të tij.

Pra përveç tjerash manuskripti Trivulzianus i dokumenton përpjekjet e da Vinçit që ta përmirësonte edukimin e vet modest rreth letërsisë dhe shkrimit në përgjithësi, përmes listave të gjata të fjalëve (leksikore dhe gramatikore – kopjuar nga burime autoritative të kohës). Thuhet se shumë fjalë janë ri-interpretuar e ri-kuptimësuar nga ai, sipas nevojës da Vinçi u jepte kuptime të reja dhe i përdorte në kontekste të ndryshme, duke na e lënë prapa një dokument të vlefshëm për historinë e gjuhës të asaj periudhe.

Përveç listës së fjalëve kodiku përmban një seri të rëndësishme vizatimesh që eksplorojnë lloje të ndryshme të fizionomisë, dhe që përbëjnë një galeri interesante të portreteve reale e fiktive (imagjinare). Po ashtu interesante janë studimet rreth projektimit të Katedrales në Milano, si dhe një numër projektesh që kanë të bëjnë me arkitekturën ushtarake.
Codex Trivulzianus ruhet ose ndodhet në kështjellën Sforza, në Milano, thuhet se origjinali përbëhej prej 62 fletësh por janë ruajtur ose gjetur gjithsej 55 sosh.