Delacroix, Picasso dhe 15 Gratë Algjeriane, nga A deri O!

S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2016 (Vështrim…)

“…për mua, në artin tim nuk ka të kaluar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetë gjallë gjithmonë në të tashmen, atëherë as nuk duhet konsideruar art…” – P. Picasso

Katër vite pas pushtimit francez të Algjerisë, në vitin 1834 piktori Eugène Delacroix e bëri pikturën e famshme “Gra algjeriane…” (titulli i origjinalit: Femmes d’Alger dans leur appartement). Që nga 1874 piktura e Delacroix qe shpërngulur në Louvre, Paris, dhe aty ndodhet dhe sot e kësaj dite. Më shumë se 100 vite më vonë, Pikaso pati qenë “mahnitur” nga vepra e mjeshtrit Delacroix, dhe pati ndërmarrë jo më pak por 15 herë për ta “ribërë” pikturën “Gra algjeriane…” në stilin e vet (atëherë, stil akoma në zhvillim e sipër).

Seria pikasiane prej 15 tentativave në njëfarë mënyre na e paraqet dhe impenjimin e tij, ose dmth. këmbëngultësinë e mirënjohur pikasiane, për ta arritur artistikisht atë që ai e kishte si synim. Pikaso fillon nga versioni “A” dhe ndalon tek versioni “O” – pra duke qenë i “kënaqur” me versionin e fundit, sipas tij ky version prezantonte atë çfarë ai ishte duke kërkuar.

Nga studiues dhe njohës të artit të tij mendohet se, sëpaku në 4 pikturat e serisë figuron Jacqueline Roque (gruaja e tij e dytë, femra për të cilën thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën dhe në artin e tij).
Por nga ana tjetër, athua vallë cila femër s’na paska qenë e “rëndësishme” për Pikason? Ai i pati dy gra (zyrtarisht qe martuar dy herë), i pati katër fëmijë nga lidhja me tri femra (dmth. kishte dhe fëmijë jashtëmartesor). Por ai ishte i përfshirë në shumë aferash e lidhjesh, shpesh, me disa femra njëkohësisht. Disa prej këtyre femrave ishin frymëzim i madh për artin e tij, ama si duket Pikaso thjesht ishte i pandreqshëm, i vartësuar nga hedonistikat e qejfet e shtratit. Shumë femra i sillte para dëshpërimit e depresionit, aq sa thuhet, i pati frustruar shumë prej tyre, i pati çmendur dy nga to (realisht, jo figurativisht), dhe po ashtu dy patën bërë vetëvrasje.

Mirëpo preokupimi intelektual i Pikasos me artin ishte fare ndryshe, ose çështje tjetërfare, më serioze. Thuhet se artistë të avangardes amerikane bënin çmos që të çliroheshin nga “prangat e influencës” së Shkollës Parisiene (në fakt fjala ishte për të shpëtuar nga kthetrat e “influencës Pikasiane”), ama sikur e pamundur. Piktorë të ekpresionizmit abstrakt, psh. Jackson Pollock e të ngjashëm, e inkuadronin surrealizmin dhe abstraksionin për ta thyer ose zbutur dominimin e Pikasos në arenën e artit. Në një vend më kujtohet të kem lexuar që Jackson Pollock dikur në vitet ’30 – ’40 të shekullit të kaluar, qenka shprehur, “…mallkuar dhe ai Pikaso, tamam kujtoj se kam arritur diku, dhe zbuloj që ai bastardi veç ka qenë aty…”!

***
Psikologu dhe teoricieni i artit Rudolf Arnheim, pati shkruar se puna e Pikasos “shpesh luhatej mes operacioneve ose veprimeve antagoniste”.
Këtë pohim të Arnheim mund dhe ta hetojmë deri diku nëse të kishim durim e vullnet për të parë pakëz më thellë përbrenda kësaj serie 15-she, a la pikasiane. Anise, kuptohet secila tabllo është diç në vete si kompozim, mund t’i analizojmë ato veç e veç, pastaj si tërësi (si 1 e vetme). Apo dhe mund t’i marrim të gjitha versionet pararendëse (nga ai i fundit) si skica, si studime, si paraprova eksperimentale etj.

Sipas Arnheim “Pikaso e kondenson materialin e tij, duke i eliminuar të panevojshmet, ose duke shtuar një bollëk të formave dhe të ideve, jo si zhvillim gradual i veprës… siç rritet një pemë, por duke e ngarkuar shlirshëm konceptin”.
Figurativisht, procesit kreativ të Pikasos, Arnheim ia pati përshkruar madje dhe fazat diastolike-sistolike të presionit kardiovaskular, duke aluduar në kontrakturat ritmike të zemrës, apo në ventrikulat, kur gjaku pompohet përgjatë aortës dhe arteries pulmonare pas çdo zgjerimi – pra shkurt, ia pati përshkruar “presionin”, pikën më të lartë dhe më të ulët të presionit të gjakut.

Figurativizmin e Arnheim ne mund ta marrim si diç “impresive” apo dhe si zhargon të kritikës me nuanca letrareske, por sesa është i qëlluar figurativizmi i tij lidhur me procesin pikasian, natyrisht, s’kemi si ta dimë, qëkur për ta ditur do duhej ta kishim njohur Pikason “in persona” dhe nga shumë afër – kuptohet dhe kjo. Sidoqoftë, pëshkrimi i Arnheim sikur na e sjell Pikason parasysh, sikur na ngjallet buzëqeshja.

Tentativat e Pikasos me “Gratë algjeriane…” nga shumkush konsiderohen si proces “revolucionar”, dhe ato padyshim dhe janë. Pasi e gjithë gama e risive të tij artistike dhe na e paraqet një lloj rruge revolutive.
Nga ndokush tjetër 15 versionet e “Grave…” janë përshkruar si bashkëdyzim i traditës së gjatë klasike me revolucionin artistik të shpikur nga Pikaso vetë.
Versionin “O”, ose të fundit të “Gratë algjeriane…” Pikaso e pati bërë në vitin 1955, por dhe tridhjetë vite më përpara, që nga 1923 na është e njohur shprehja e tij: “për mua, në artin tim nuk ka të kaluar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetë gjallë gjithmonë në të tashmen, atëherë as nuk duhet të konsiderohet art. Arti i grekëve, i egjiptasve, ose ai i piktorëve të mëdhenj që kanë jetuar në kohë të tjera, nuk është art i së kaluarës, ndoshta arti i tyre është më i gjallë sot sesa që ka qenë ndonjëherë më parë…”.

Po ashtu na është e njohur që vepra e Eugène Delacroix i takon “orientalizmit”, e punuar më shumë se 120 vite më përpara. Atëherë çfarë sjellë të re Pikaso, si subjekt, me ribërjen dhe me 15 tentativat e veta? Nëse vepra e Delacroix ishte art i mirëfilltë (pasi që ishte “art i gjallë” dhe në kohën e Pikasos, dhe atë fuqishëm madje, aq sa ta frymëzonte atë për ta përdorur si mostër, si kallëp, si model), atëherë vallë pse pra duhej “ribërë”?! Vallë pse ta intrigonte aq shumë një skenë e fantazuar e haremit algjerian?!

Ose dhe s’ka rëndësi, diskursi mund të ngushtohet pafundësisht dhe të thuhet: Pikaso thjesht kishte nevojë për një model të “gjallë” (sadopak me një famë modeste të konsoliduar) për të eksperimentuar tutje me idetë e veta. Andaj përveç qasjes dhe thyerjes së “kanonit klasik”, ndoshta asgje më shumë s’ka as në “Gratë algjeriane” të tij. Pikaso nuk e pasuron me asgjë temën e rrahur nga piktorët e mëdhenj pararendës, përveç se me “seksualizimin” (në rastin e “Grave…” te Delacroix) si maskë moderne hedhur mbi pikturën klasike dhe me qasjen, me pikëvështrimin e ri të kubizmit.
Ndoshta pra dhe vetë Pikaso s’ishte diç më shumë sesa një “dhëmbëzor” i makines suprematike të “fabrikës” artistike oksidentale, sugjeruar nga Edward Said në “Orientalizmin” e vet, publikuar në v. 1978, vetëm 5 vite pasi Pikaso pati ikur në botën tjetër.

Preokupimi intelektual i Pikasos me artin si proces teknik, si ri-organizim i ideve, hapësirës, formës dhe i ngjyrës, sikur pati pësuar një kthim-retrospektivë analitike. Ai nuk u mor vetëm me “Gratë…” e Eugène Delacroix, qe marrë me lloj-lloj versione si ripunim i kryeveprave të së kaluarës. Bie fjala, sipas vizionit dhe mënyrës pikasiane, është ripunuar dhe “Vajzat në bregun e Senës”, 1856 e piktorit Gustave Courbet, edhe “Las Meninas” (Zonjat duke pritur) e Diego Velazquez etj.

Lidhur me “seksualizimin” e “Grave algjeriane…” është një detaj që ia vlen të përmendet. Sepse nuk ishte as Pikaso aq origjinal, nuk ishte vetëm Pikaso me ego-n artistike të pakënaqur. Pra nuk ishte ai i pari për rifreskimin erotik të tabllos, ishte dhe vetë autori i origjinalit, Eugène Delacroix, 100 vite para tij.
Edhe vetë Delcroix i pati bërë dy sosh. Piktura e dytë nga ai u krijua 15 vite pas origjinalit. Sipas kritikës, në krahasim me origjinalin, tani mund të vërehej ndikimi i kohës dhe nostalgjia rreth ri-interpretimit të informacionit vizual. Skena e fantazuar e haremit algjerian tashmë është shndërruar në një pamje të pastër nostalgjike-artistike. Athua vallë pse, qoftë dhe vetëm si hamendësi e flashkët?

S’është e lehtë për askend të përgjigjet në të tilla pyetjesh. Por ndoshta sepse koncepti artistik evropian ishte-është “dinamik”, me avancimin e njohurive ky koncept lidhur me haremin oriental tashmë ka ndryshuar, andaj interpretimi vizual sikur është liberalizuar dhe piktura tashmë ka të ngjeshur më shumë tension erotik. Tekefundit dukshëm më shumë sesa versioni origjinal i grave algjeriane (i para 15 viteve).

***
Gjatë shekullit XIX ndër veprat e artistëve të botës perëndimore përshfaqej një interpretim plot fantazi dhe pothuajse i shtrembëruar lidhur me jetën, kulturën dhe traditat e shoqërive të vendeve si Turqia, Egjipti, Algjeria etj. Bota orientaliste nuk ishte aq e njohur, koha e udhëtimeve nëpër vendet “orientale” përceptohej si diç e bujshme (paçka se misterioze e pothuaj me nuancash mistike), vendet e lindjes përceptoheshin si vendesh ekzotike, pothuaj për gjithçka idealizimet ishin të ngjeshura me fantazi të skajshme për aventura e përjetimesh, njëjtë siç idealizohej dhe për Indinë.

Dhe gjithçka si vizualizim artistik, qoftë në artin vizual apo qoftë në atë të shkruar, sikur vetvetiu do të klasifikohej e t’i takonte një kategorie (pothuaj enigmatike) të njohur si “orientalizmi”. Vetë artistët do të kategorizoheshin si “orientalistë”. Nga kritikët e artit, “orientalistët” veç quheshin ashtu gjatë shek. XIX, qe formuar madje dhe Société des Peintres Orientalistes (Shoqëria e Piktorëve Orientalistë) në v. 1893, kishte të madhin piktor orientalist Jean-Léon Gérôme si President nderi.

Në veçanësi “piktuara orientaliste” e cila merrej me kulturën e shoqërive të Lindjes së Mesme, ishte diç si nënzhanër i “akademizmit klasik” perëndimor gjatë shekullit XIX. Mirëpo termi “orientalizëm” ishte më i gjerë në kuptim, si përshkrim nëpër studimet kulturore “orientale”, përdorur nga historianë të artit, nga studiues të letërsisë, të gjeografisë, të historisë etj. Nga shkollarët modernë thuhet se vetëm pas analizës së Edward Said në v. 1978, nga diskursi akademik perëndimor termi “orientalizmi” u ngushtua dukshëm, ose u kufizua për ta karakterizuar qasjen e patronizuar tashmë ndaj kulturës orientale, si formë e justifikimit të imperializmit perëndimor.

Sipas Said, fjala ishte për një fabrikazh të vetëdijshëm dhe dmth. të qëllimshëm, bota oksidentale e fabrikon paraqitjen e shoqërive të “orientit”, në esencë duke i përshfaqur të gjitha si shoqëri statike dhe të pazhvilluara. Thelbi ideatik që fshihet në fabrikimin sipas Said ishte pikëpamja se shoqëria perëndimore është e zhvilluar, racionale, dinamike dhe superiore, ndërsa shoqëritë orientale mishërojnë prapambetjen kulturore dhe aspektet tjera negative.

Bashkëngjitur:
1 – Pablo Picasso – Les femmes d’Alger (variacioni “O” – final).jpg
2 – Pablo Picasso – Les femmes d’Alger (nga “A” deri “O”)

3 – Eugène Delacroix – Women of Algiers in their Apartment, 1834
4 – Eugène Delacroix – Women of Algiers in their Apartment (Versioni 2, 15 vite më vonë, nga origjinali)