SG – Portret Surrealist (III), 2012

PORTRET SURREALIST (III)
S. Guraziu, 2012

(sot padyshim dhe Samiu i Madh do ndërronte “stil”)

Shqiponjat lindin
në strofullën e qiellit,
freskinë e kanë frymë,
ende pa i hapur sytë
e njohin blunë,
ngrysjen e reve, i kapin
zhurmat, rrufetë, bubullimat,
ngrohtësinë e rrezeve…

“shqipet fluturojnë lart”,
stampuar në gjenet,
metafazat genomike
i thur nëna natyrë,
s’janë “klishe” ideologjike –
habiten me zvarraniket
lloj-lloj krijesash
rrëshqasin ultësisë,
as këmbë as flatra,
sesi ngjiten pemës së jetës,
drejt e në çerdhen,
tek pastaj i kap paniku…

…zvarranikët qenkan
rreziku i ekzistencës,
nga poshtë u ngjitkan
serpentët, armiqtë e frymës
së qenies, lartësia qenka
vetëm “përspektivë”
e mbijetesës – sakaq
këndellen, e mprehin syrin
gjilpërë, vërsulen
siç u ka hije shqipeve.