Rafaeli, nxënësit e tij, dhe Manerizmi Artistik!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2017

Manerizmi i referohet lëvizjes artistike në artet vizuale që u përhap në pjesën dërrmuese të Evropës mes periudhave të Artit të Lartë të Renesansës dhe Barokut. Manerizmi stilistikisht përfshin një shumëllojshmëri të metodave si ndikim dhe reagim ndaj idealeve harmonike. Në letërsi dhe muzikë Manerizmi është i dallueshëm me vetinë për shumë lajle-lule stilistike e qëndisma, dhe me shijen e stërhollë intelektuale.

Manerizmi është i lidhur me artistë të mëdhenj të tillë si Leonardo da Vinçi, Rafaeli, e po ashtu dhe me Mikelanxhelon. Ross Finocchio (The Metropolitan Museum of Art – Departamenti Pikturave Evropiane) thotë, anise gjuha formale e Manerizmit huazon shumçka nga veprat e mëvonshme të Mikelanxhelos (1475-1564) dhe të Rafaelit (1483-1520), artistët aderues të Manerizmit e favorizojnë kompleksitetin dhe mjeshtërinë “artifiça”, mbi natyralizmin artistik.

Termi “manerizmi” prejardhjen e ka nga fjala e italishtes “maniera”, e përdorur nga artisti dhe biografi i shek. XVI Giorgio Vasari (1511-1574), pra Manerizmi si term e si stil origjinën e ka në Itali. Zgjati për një periudhë përafërsisht një-shekullore, nga ~1520 deri në v. 1600. Ndonëse nga David Freedberg (në vitet ’80) thuhet se Manerizmi Verior (psh. në Holande) vazhdoi deri në fillimshekullin XVII.

Sipas historianit të artit Ernst Gombrich (1909-2001), nëse Arti i Lartë i Renesansës e thekson proporcionin, balansin dhe bukurinë ideale, Manerizmi ekzagjeron me cilësitë e tilla,
shpesh duke rezultuar në kompozicione të cilat janë asimetrike ose jonatyrshëm elegante. Për dallim nga Arti i Lart i Renesansës që i jep përparërsi ekuilibrit dhe qartësisë
kompozicionale, Manerizmi e favorizon tensionin kompozicional dhe jostabilitetin piktural.

Sipas Ross Finocchio, në gjysmën e shek. XVI figura kryesore e stilit manerist në Firencë ishte Agnolo Bronzino (1503-1572). Në esenë e publikuar nga Metropolitan Museum of Art,
“Manerizmi: Bronzino (1503-1572) dhe bashkëkohësit e tij”, ai shkruan se disa nga karakteristikat e përbashkëta të shumë veprave maneriste janë “shtrembërimi” i figurës njerëzore,
rrafshimi (lëmuarja) e hapësirës pikturale dhe kultivimi i stërhollimit intelektual. Manerizmi është i dallueshëm për shijen e stërholluar intelektuale dhe për artificialitetin si kualitet (dmth. që është e kundërt me qasjen për favorizimin e cilësisë natyraliste).

Ross Finocchio thotë se disa aspekte të Manerizmit mund të hetohen që në veprat e Andrea del Sarto (1486-1530). Edhe pse stili i A. del Sarto rrënjët i kishte thellë në idealet artistike të Renesansës së Lartë, integrimi i natyrshëm i figurave në një hapësirë të përcaktuar qartë, përdorimi ekspresiv i ngjyrave të gjalla dhe të ndryshme, si dhe pozat komplekse… paraqesin frymëzimin për gjeneratën e parë të piktorëve manerist në Firencë.

Si “filiza” të Manerizmit, Finocchio i konsideron sidomos nxënësit e A. del Sarto, Andrea Jacopo da Pontormo (1494-1556) dhe Rosso Fiorentino (1494-1540).
Aktiv në të njëjtën kohë me këta artistë inovativë – thotë Finocchio, ishte dhe piktori Bachiacca (1495-1557) i cili e zhvilloi një regjim eklektik duke kombinuar ndikime maneriste dhe theksime nga artistë të Veriut evropian, si Albrecht Dürer dhe Lucas van Leyden, me traditat më të vjetra të Renesansës.Rreth v. 1540, Agnolo Bronzino (1503-1572) u bë artisti kryesor i stilit manerist në Firencë. Patronazhi i Dukes së Toskanës (Cosimo I de Medici), ka luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën e A. Bronzino, ashtu si dhe në karierën e bashkëkohësve të tij, Francesco Salviati (1510-1563) dhe Giorgio Vasari (1511-1574), thekson Finocchio.

Forma të larta të “maniera”, zhvilluar nga këta piktorë janë shënuar dhe me favorizimin e kompleksitetit intelektual në veprat. Dizajni i G. Vasari për një pikturë dekorative në Palazzo Vecchio i ilustron referencat mitologjike dhe alegoritë komplekse, atëherë në modë për elitën e Firencës. Nga mesi i shek. XVI, ndikimi i Manerizmit u përhap shumë më larg Firences.
Përfaqësues të rëndësishëm të lëvizjes në Veri të Italisë u bënë Parmigianino (1503-1540), dhe Jacopo Tintoretto (1519-1594). Për më tepër, artistët italianë të punësuar nga mbreti
Francis I, e kthyen Manerizmin ndër stilet dominante në Francë – përfundon Finocchio.

[ Ngjitur: Gianfrancesco Penni (1490-1528) – Pagëzimi i Konstandinit, 1517-24 (detaj – afresk nga G. Penni, nxënës i Rafaelit – në të ashtuquajturat “Dhomat e Rafaelit”, Vatikan) ]

Sa i përket afreskut “Pagëzimi i Konstandinit”, nga historianët e kritikët e artit thuhet se përkundër përpjekjes së kontrollit dhe të arritjes së qetësisë tipike pikturale të Artit të Lartë të Renesansës, skena e mbushur me njerëz në afreskun megjithatë përshfaq tendencën maneriste drejt kompleksitetit dhe mospërputhjes. Pagëzimi i Konstandinit të Madh (Konstandini I, perandori i parë romak që do ta njihte zyrtarisht fenë e krishterë, duke i dhënë lirinë e adhurimit), është punuar nga ndihmësit e mjeshtrit të Renesansës, Rafael (Raffaello Sanzio da Urbino, 1483-1520). Afresku i përshkruhet ndihmësit të tij, piktorit Gianfrancesco Penni, punuar mes viteve 1517-24 (dmth. u përfundua 4 vite pas vdekjes së Rafaelit, më 1520 – dhe 4 vite para vdekjes së vet, më 1528). Afresku ndodhet në “Sallën e Konstandinit”, në kuadër të Dhomave të Rafaelit (Stanze di Raffaello) në Pallatin Apostolik në Vatikan.

Referencat:
– E. H. Gombrich – Art and Illusion, 1960
– Ross Finocchio – “Mannerism: Bronzino (1503-1572) and his Contemporaries”, Heilbrunn TAH, The Metropolitan Museum of Art – New York, Oct. 2003
– Musei Vaticani