Dhomat e Rafaelit (Stanze di Raffaello), 1508-24 – Vatikan

S. Guraziu – Ars Poetica, 2013 (Arti në Pallatin Apostolik në Vatikan – Rafaeli)

Rafaeli vdiq i ri, ishte vetëm 37 vjeç, mirëpo pavarësisht ikjes në moshë të re, si artist konsiderohet se ka lënë mbrapa një punë të madhe. Afresket në “Dhomat e Rafaelit” (Stanze di Raffaello) janë veprat qendrore, puna më e madhe e karrierës së tij. Afresket më të njohura (them unë ndonjëherë) padyshim duhet t’jenë ato në “Stanza della Segnatura”, e ndër to më të famshmet “Shkolla e Athinës” dhe “Parnasi” (Anise të gjitha janë të “famshme e te njohura”, kuptohet : )

Në Pallatin Apostolik, “Stanze di Raffaello” ishin pjesë rezidenciale në katin e dytë, zgjedhur nga Papa Julius II si rezidencë personale (Giulio II della Rovere, Papë nga v. 1503-1513). Si rezidencë qene përdorur edhe nga pasardhësit e tij. Afresket dekoruese janë punuar nga Rafaeli dhe nxënësit (ndihmësit), mes viteve 1508 dhe 1524.

Raffaello Sanzio da Urbino (1483-1520) – Dhomat e Rafaelit (Stanze di Raffaello) përfshijnë katër “dhoma”:
1 – Salla e Konstandinit (Sala di Costantino)
2 – Stanza della Segnatura, Scuola di Atene (Shkolla e Athinës), 1509-1511
3 – Dhoma e Zjarrit në Borgo (Stanza dell’Incendio di Borgo) – Zjarri në Borgo, 1514
4 – Dhoma e Eliodorus (Stanza di Eliodoro – Cacciata di Eliodoro) – Dëbimi i Eliodorus

Rafaeli – Afresket në “Segnatura”, 1509-1511 (Pallati Apostolik, Vatikan)
S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

Dhoma “Segnatura” përfshin afresket më të famshme nga Rafaeli, të cilat afreske përbëjnë debutimin e tij si artist në Vatikan, dhe në art shënojnë fillimin e Renesansës së Lartë.
Afresket në “Stanza della Segnatura” përshfaqin katër fusha të dijes njerëzore: 1 – Filozofinë (afresku: Shkolla e Athinës – Scuola di Atene), 2 – Fenë (Diskutimi i Sakramentit të Shenjtë – Disputa del S. Sacramento), 3 – Poezinë (Parnasi – Parnaso), 4 – Ligjin (Virtytet Kardinale Teologjike dhe Ligji – Virtù Cardinali e Teologali e la Legge).
Pjesë e afreskeve të dhomës janë dhe ato të tavanit, “Kupoles” (Volta).

Projektuar ose ideuar nga një teolog, afresket kishin për qëllim të përfaqësojnë tri kategoritë më të rëndësishme të shpirtit njerëzor: Vërtetësinë, Drejtësinë (Mirësinë) dhe Bukurinë. Mbinatyrorja e vërtetë (ose Teologjia) është përfaqësuar në afreskun Diskutimi i Sakramentit të Shenjtë, Racionalja (ose Filozofia) në afreskun Shkolla e Athinës, Drejtësia është mishëruar në afreskun Virtytet Kardinale Teologjike dhe Ligji, dhe e Bukura (Poezia) në afreskun Parnasi, me Apollonin dhe Muzat. Afresket janë të lidhura me skenat themelore: figurat alegorike të Teologjisë, Filozofisë, Drejtësisë dhe Poezisë aludojnë për faktin e shpirtërores, pikturuar në muret përkatëse.

Dhoma është emëruar sipas trupit gjykues më të lartë të Selisë së Shenjtë, “Segnatura Gratiae et Iustitiae”, kryesuar nga Papa, dhe është përdorur për takimet e tij, në mes-shekullin XVI. Dhoma fillimisht është përdorur prej Papës Julius II (nga v. 1503-1513), në cilësinë e bibliotekës dhe studios private: programi ikonografik dhe afresket, pikturuar mes viteve 1508 dhe 1511, janë të lidhura me këtë funksion.

Dhomat e Rafaelit (Stanze di Raffaello) – “Stanza della Segnatura
…djathtas shihet afresku “Scuola di Atene” (Shkolla e Athinës), dhe në ballë ose majtas afresku “Parnaso” (Parnasi)

 

Rafaeli – “Parnasi”, 1511 (Afresket në “Stanza della Segnatura”, Vatikan)
S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

Parnasi” është një afresk i punuar nga Rafaeli rreth v. 1511, pas porositjes nga Papa Julius II, në të ashtuquajturat “Dhomat e Rafaelit”.
“Parnasi” përfaqëson Poezinë – afresket mëtonin të jenë si alegori artistike… ose të përfaqësojnë tri kategoritë më të rëndësishme të shpirtit njerëzor: Vërtetësinë, Drejtësinë (Mirësinë) dhe Bukurinë.

Afresku “Parnasi” përfaqëson dmth. të Bukurën shpirtërore (Poezinë), e paraqet malin mitologjik Parnasin ku rrinte Apolloni me Muzat, psh. mitologjia na thotë se Apolloni së bashku me muzën e poezisë epike, Kaliopa, i frymëzonin poetët. Ai shihet në qendër i rrethuar nga nëntë Muzat, nga nëntë poetë të antikës dhe nga nëntë poetë bashkëkohorë.

Majtas ulur shihet poetja Safo, poetja e vetme 🙂 e identifikuar qartë dhe me emrin, në mënyrë që t’mos ngatërrohet me ndonjërën nga muzat (thuhet se është shtuar më vonë në afresk). Pak më lart mbi Safon shihet Homeri (me mantelin blu të errët), majtas tij Dante, dhe djathtas tij është pikturuar Virgjili.

 

Referencat:
– Musei Vaticani – Stato della Città del Vaticano