Gjuha dhe Faktori “Kohë” në Narrativen Pikturale!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2017 (Përsiatje…)

(Ajnshtajni dikur qe shprehur: “e vetmja arsye për kohën të ekzistojë, është që gjërat t’mos ndodhin në të njëjtën kohë”. Sidoqoftë, realisht shprehja s’na thotë asgjë të re sa i përket hamendësisë: ç’është koha? Nga ana tjetër mençuritë e Ajnshtajnit na flasin që nëse diç të përshpejtohej deri në “konstantën” universale të dritës, atëherë koha do ndalej, do stoponte… )

***
Autori Howard Oakley, në një grumbull artikujsh e sjell në pah faktin se gjatë historisë edhe mediumi narrativ piktural i ka zhvilluar disa “mjete” për ta kornizuar elementin e kohës, por megjithatë, krahasuar me mjetet e narratives gojore dhe të shkruar, ato mjete ngelin më të kufizuara. Ka tre aspekte të kohës të cilat, zakonisht, janë të nevojshme në narrativen pikturale – thote ai. Më baziket janë disa mjete për t’i treguar vrojtuesit se kur ka ndodhur ngjarja e përshkruar në pikturë. Gjithashtu me rëndësi për shumicën e pikturave (narrative) është aftësia për t’iu referuar ngjarjeve që kanë ndodhur në zinxhirin narrativ (para ose pas ngjarjes së kaptuar në pikturë). Kërkesa e fundit dhe ndoshta pakëz më e rrallë është që piktura t’jetë në gjendje për t’iu referuar kohës si koncept, duke e vënë këtë aftësi në dukje me ndihmën e “fjalorit” të piktorit.

Në formën më të thuktuar blloku konkluziv i H. Oakley do ishte:
Retorika / apo, Semiotika pikturale është e ndryshme me ato të gjuhës. Për arsye të mungesës së tropeve vizuale, gjuha e pikturave, e sidomos e pikturave të modernizmit dhe e atyre kontemporane është drastikisht shumë më e varfër! Së këndejmi dhe mjetet pikturale për ta kornizuar elementin “kohë” janë mjaft të kufizuara.

Pra kjo përafërsisht si përmbledhje e mendimit të H. Oakley, sa i përket elementit kohor dhe gjuhës pikturale. Me të cilin mendim s’kemi asnjë arsye për “mospajtime”. Ose më saktë, në kuadër të këtij shkrimi, persiatja jonë s’ka të bëjë fare me pajtime a mospajtime…

/ Tropet Retorike Tekstuale… /

Gjuha e shkruar i ka mekanizmat e vet mjaft të fuqishëm për t’u marrë me faktorin e kohës. Por pra (siç e vërejmë dhe në mendimet e H. Oakley), s’mund të thuhet e njëjta për mediumin narrativ piktural, ose për gjuhën e pikturës. Me gjuhën e brushave piktorët sikur janë më të kufizuar, në krahasim me mjetet që i ofrojnë “brushat” e fjalëve. Piktura është më e “varfër” sa i përket përcaktimit kohor “brenda” ndërtimit të narratives.

Dy elementet themelore ndërtuese të narratives janë 1- ndodhitë (ngjarjet) dhe 2-koha. Këto janë të rëndësishme në cilindo tregim a rrëfim letrar, që nga skicat, tregimet e shkurta e deri tek “rrëfimet” romaneske voluminoze të stilit “lufta dhe paqja”. Të njëjtat elemente “ndërtimore” i përdor edhe arti vizual; qoftë piktura, arti filmik, e madje dhe zhanri më i ri i rrëfimtarisë, lojërat kompjuterike ose “videogames”.

Asnjëri nga mediumet narrative sikur s’do ia “dilte” ta kapërthente diç mirëfilli pa faktorin e ngjarjeve dhe atë të kohës. Mjetet gjuhësore të shkrimit ofrojnë një gamë të pasur dhe të saktë për t’i definuar e shprehur segmentet kohore të “stories”. Gjuha ia mundëson shkrimtarit të përmbledh, të rrumbullakësojë, të detajizojë, të specifikojë, të sqarojë saktësisht se kur, në ç’kohë (diç ka ndodhur), sa kohë (duhej, nevojitej për të ndodhur), sa shpesh (diç ka ndodhur, ose mund të ndodhë) etj. etj. Mjetet gjuhësore ia mundësojnë shkrimtarit për ta “tjerrur perin e kohës narrative” me lehtësi, pa patur nevojë për ndonjë lidhje direkte me datat e sakta, dhe ose madje as me informacione specifike të jashtme.

Në të kaluarën, në dy-tre raste e pata marrë si shembull mjeshtërinë narrative të Balzakut:
“…i njohur është fakti që Balzaku, si lakadredhues i pashoq i penës që ishte, dhe vetëm për këputjen e një gjethi fatkeq, për rënien e një gjethi të vetëm, mund t’i mbushte shtatëdhjetë e shtatë faqe. Dhe atë pa lëvizur fare vendit, as pa u shtangur (në formën mjaft problematike të “shtangies” së shkrimtarëve, të shkronjës Z)! Lexuesi vetë le ta imagjinojë sa gjethe mund t’i ketë një lis i tërë, një rrap shekullor me kurorën marramendëse…”

Këtu do t’shtoja dhe vetëm “aludimin” – Balzaku në rrëfimin për këputjen dhe rënien e atij gjethi të kalamendur do ta inkuadronte dhe elementin kohor, pa qenë i kufizuar nga asgjë. Ai do t’mund ta rrëfente “frame by frame” (kornizë pas kornize) ecejaken ajrore të gjethit, që nga shkëputja deri tek palosja përdhe. Dhe lexuesi do ta kishte saktësisht idenë e faktorit kohor, qofshin në pyetje dhe vetëm disa sekonda si “korniza të ndodhisë”.

Gjuha përbëhet nga një numër i kufizuar fjalësh, për të mbuluar një shumëllojshmëri të pafund të kuptimeve – thotë H. Oakley. Kështu që gjuha i përdor truket për ta zgjeruar fjalorin dhe për t’i shtuar nuancat. Këto truke përfshijnë trope të tilla si metafora, metonimia, sinekdota. Gjuha po ashtu i përdor simbolet mjaft shumë, por dhe ato janë vetëm një pjesë e gamës së gjerë “mashtrimtare”.

/ Tropet Retorike Pikturale… /

Sa i përket “gjuhës pikturale”, më së miri do ishte ta përkufizojmë bazën e konkluzioneve të Howard Oakley – të cilat konkluzione janë dhe si pasqyrim i “kundërshtisë” së tij me mendimet e disa teoricienëve, të së kaluarës dhe atyre bashkëkohës. Oakley nuk pajtohet me “përgjithësimet” retorike të linguistëve, të kritikëve të artit, të teoricienëve të letërsisë etj. si psh. të Jakobson, Bal, Ryland, Littlemore etj. Gjeneralizimet e tyre i quan të pabaza dhe të ekzagjeruara.

H. Oakley argumenton rreth tropeve metaforike e metonimike, rreth sinekdotës pikturale në pikturat klasike dhe ato moderne e kontemporane, duke mbajtur në dorë “çelësin” kyç të diskursit tematik, studimin më të ri përmbledhës, librin e Jeannette Littlemore, “Metonimia – Rutat më të shkurtra fshehur në Gjuhë, Mendim, Komunikim”, publikuar në serinë universitare të Cambridge, “Studime në Linguistikën Njohëse”, 2014.

Metonimia, metafora e sinekdota janë relativisht të pazakonshme në pikturat e sferës artistike Perëndimore para shek. XX. Mirëpo simbolet hasen më shpesh – thekson Oakley. Ndër veprat më moderne të cituara në ato studime (si psh. të J. Littlemore) – vazhdon ai – të cilat pretendojnë se Metonimia është e rëndësishme dhe e zakonshme në pikturat, janë ato të Kubizmit dhe të lëvizjes derivative nga Kubizmi, Orfizmit (autori merr si shembuj piktura të llojit Barnett Newman, Mark Rothko, “aksion-pikturat” e Jackson Pollock etj.). Për shumë studiues e teoricienë, pikturat e mëvonshme janë si përfaqësim i epitomacisë pikturale të mes-shekullit XX – shkruan Oakley.

Ai thekson se lingo-strukturalisti Roman Jakobson e bëri pohimin e guximshëm që Kubizmi ishte metonimik, ndërsa Surrealizmi ishte metaforik. Kjo do të bazohej në qasjen se Kubizmi fokusohet në atë që nuk është brenda pikturës, kështusoj duke përshfaqur pikërisht të kundërtën e asaj që është prezente – supozim ky që duket i pazakonshëm dhe paradoksal, sipas Oakley.

Si kontrast i kësaj tashmë, arti Surrealist, pretendon të bëjë krahasime mes objekteve të përditshmërisë me ndihmën e metaforave. Por sa qëndron dhe kjo? – sikur pyet autori Oakley pa e shtruar fare pyetjen, ose dmth. mes rreshtash.

Ndersa Ryland i përmend (te njejtit shembuj) pa i analizuar veprat e rrymës së Ekspresionizmit Abstrakt dhe të nën-rrymave (si janë psh. Fusha e Ngjyrës dhe Aksion-pikturimi). Duke qenë jashtëzakonisht të ndryshme në dukje, e vështirë për të zhvilluar ndonjë konsensus, por – vazhdon Oakley – unë s’kam qenë në gjendje për të zbuluar asnjë rrymë arti apo nën-rrymë që e ka përdorur Metaforën. Dëshmi shumë e rrallë është dhe përdorimi i Metonimisë e Sinekdotës. Në shumicën e veprave mungojnë objektet e njohura, gjë që e bën përdorimin e drejtpërdrejtë të tropeve vizuale të pamundur… Sa më i njohur të jetë imazhi përmbajtësor në pikturë, njëjtë si dhe në fotografi, në reklamat, dhe në dizajnin grafik, aq më i mundshëm do jetë përdorimi i tropeve retorike… Shumica e artit të shek. XX nuk ishte në gjendje ta përdor retorikën vizuale. Nëse veprat i ngjanin më shumë dizajnit grafik, si në rastin e “Pop Art” të Roy Lichtenstein apo Andy Warhol, ata dhe e kanë përdorur Metaforën e Metoniminë më shumë. Çuditërisht kjo nuk është vërejtur as nga Littlemore as nga Ryland.

Littlemore dhe të tjerët, të prirur për të pohuar që proceset njohëse ose kognitive si themele të Metonimisë shkojnë më tej sesa vetëm gjuha, dështojnë t’i japin peshë të mjaftueshme arsyeve pse këto trope substanciale janë kaq të përhapura dhe të zakonshme në gjuhën – konkludon Oakley

Tropet vizuale vijnë në fuqinë e tyre të plotë atëherë kur janë të kufizuara në atë që mund ta përshfaqin, si psh. në reklamat. Dhe Oakley i merr si shembull veçanërisht reklamat të cilat janë të paracaktuara nga organet zyrtare, të tilla si reklamat për produktet e duhanit, në të cilat s’mund të ketë gjëra përjashta rregullores.

Do ishte e dëshirueshme për të deklaruar se Metonimia, Metafora, Sinekdota janë “substancat” universale, si në mediumet verbale po ashtu dhe në ato vizuale. Ka arsye të mira pse ato janë kryesisht gojore e shkrimore, si dhe arsye të mira pse ato s’kanë “gjetur” përdorim në pikturat. Kam frikë se përgjithësimet retorike të Jakobson, Bal, Ryland, Littlemore dhe të të tjerëve, janë të pabaza dhe të ekzagjeruara – përfundon Oakley.

***
Ndërsa sa i përket vetë librit të J. Littlemore, dhe lidhur me subjektin e Metonimisë, bie fjala Gerard Steen (Universiteti i Amsterdamit) thotë:
Për një kohë të gjatë Metonimia pati ngelur si një motër binjake e Metaforës, e lënë pas dore. Por Littlemore në mënyrë elegante na tregon për atë që na mungonte. Ky libër ofron një pasqyrë përfshirëse dhe të kulluar të asaj që studiuesit bashkëkohorë duhet të marrin parasysh kur flasin për Metoniminë si mjet thelbësor i gjuhës, mendimit, dhe i komunikimit. Vështrimi që ofron Littlemore godet ekuilibrin shumë të nevojshëm mes teorisë, të dhënave dhe raportit për përdorimin e Metonimisë në botën reale, dhe mund të veprojë mirëfilli si kornizë programatike për hulumtimet e ardhshme”.

Si alegori për “kohën”, bashkëngjitur disa piktura të artit klasik:
– Walter Crane (1845-1915) – Ura e Jetës, 1884

Figurativisht, gjatë historisë alegoria më e zakonshme për paraqitjen e kohës ishte një burrë i vjetër e i dobët, pothuajse lakuriq, me një pelerinë blu, mjekërbardhë e flokëbardhosh po ashtu, me flatra siç i kanë dhe engjëjt, e që flatrat përfaqësojnë shpejtësinë e rrjedhjes së kohës, plaku-xhufurraku ose “babai i kohës” ndonjëherë mban një kosë ose dhe orë rëre, simboli i parë nënkupton fuqinë shkatërruese të kohës, dhe simboli i dytë (ora) nënkupton rrjedhjen e vazhdueshme të viteve. Gjithsesi, koha është përfaqësuar dhe me alegori tjera të ndryshme, si psh. e njohur është alegoria e gjarprit i cili e kafshon bishtin e vet, duke nënkuptuar ciklin e përjetshëm të viteve si dhe po ashtu ciklin e pafund të ekzistencës; ose alegoria e përbindëshit me tre krerë, ujku (e kaluara), luani (e tashmja) dhe qeni (e ardhmja); ose njihet dhe alegoria e drurit të plepit, gjethet e të cilit janë të bardha në njërën anë dhe ngjyrë kafe në anën tjetër, lëvizja e vazhdueshme e gjetheve të plepit do duhej të nënkuptonte ndërrimin e vazhdueshëm të ditë-natës… etj.

– Nicolas Poussin (1594-1665) – Duke vallëzuar nën Muzikën e Kohës, 1634-6

– Pompeo G. Batoni (1708-1787) – Koha e detyron Moshën për ta rrënuar (prishur) Bukurinë, 1746
– Donato Barcaglia (1849-1930) – Bukuria (Rinia) duke tentuar ta ndalë kohën, 1884

– Pierre Mignard (1610-1695) – Koha duke i prerë krahët Kupidonit, 1694
– Pompeo G. Batoni (1708-1787) – Koha duke i prerë krahët Kupidonit

[ shih po ashtu dhe: Vizualja dhe Faktori “Kohë” në Narrativen Filmike! ]