Vizualja dhe Faktori “Kohë” në Narrativen Filmike

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2017 (Përsiatje…)

/ Vizualja dhe Koha (Kohë-Ekzistenca) /

Ndoshta e “lehtë” të teorizohet për mjetet e gjuhës, të mendimit, të komunikimit, siç janë metafora, metonimia etj. Por vallë ç’është Koha? Si ta definojmë faktorin “kohë”, dmth. brenda narratives sonë, qoftë të asaj tekstuale (nëse shkrimtarë), qoftë vizuale (nëse filmaxhinj)?

Ajnshtajni dikur qe shprehur: “e vetmja arsye për kohën të ekzistojë, është që gjërat t’mos ndodhin në të njëjtën kohë“. Sidoqoftë, realisht shprehja e tij s’na thotë asgjë të re sa i përket pyetjes ç’është koha? Ai sikur na thotë “lulla ime është llullë, shërben për të tymosur, koha është kohë, duhet ta kemi kohën, përndryshe ndodhitë do t’na ngatërroheshin e bëheshin lëmsh”, kaq. Mirëpo këtë e dinim dhe vetë. E bukur dhe simpatike si shprehje, mirëpo sa e bukur po aq dhe “bosh”, thjesht na e ngjallë buzëqeshjen.

Vizualiteti ynë, gjithçka e jashtme që e përceptojmë si ekzistencë, ndoshta s’është diç më shumë sesa një “slide” fotosh. Ose një seri pikturash që fluturojnë para syve tanë, sipas ca ligjeve të caktuara “kohore”. Andaj fare shkurtazi ose fluturimthi desha të mbështetem dhe në një përspektivë tjetër të vizuales. Desha t’i përmend disa detaje të projekteve më të reja të “furrës së Hollivudit”, projekte që pakashumë e kanë si temë ose e përmendin faktorin “kohë”. Industria e Hollivudit mund t’i ketë sjellur në jetë shumë filma që e “prekin” kohën, por këto 2-3 vitet e fundit mua më janë të njohur dy sosh. Natyrisht, mjaftueshëm në shërbim të shembullit.

Në skenarin fanta-shkencor “Lucy” (2014), lidhur me kohën L. Besson e përdor shembullin vizual, të cilin e përdor dhe vetë shkenca reale e së sotmes. Besson na e thotë se “koha është çelësi i gjithçkaje”, në skenarin e vet ndër të tjera ai shkruan:

“Njeriu e konsideron veten unik, prandaj e ka rrënjosur gjithë teorinë e ekzistencës së vet në natyrën unikale të tij. “1” është njësia e tij e matjes. Por kjo s’është e vërtetë. 1 + 1 = 2. Kaq dimë, kjo është e gjitha ç’kemi mësuar. Por 1 + 1 kurrë s’ka qenë = 2. Në fakt, as numrat as germat nuk ekzistojnë. E kemi kodifikuar ekzistencën tonë për ta sjellë atë në shkallën e madhësisë së njeriut, për ta bërë të kuptueshme. E kemi krijuar një shkallë që na përshtatet në mënyrë që t’mund ta harrojmë shkallën e padepërtueshme të ekzistencës. Filmoje një makinë e cila shpejton rrugës. Përshpejtoje pastaj pafundësisht video-imazhin, dhe makina do të zhduket (do jetë e padukshme). Çfarë prova kemi për ekzistencën e makinës? Koha pra i jep legjitimitet ekzistencës së makinës. Koha është e vetmja njësi e vërtetë. Koha na e jep dëshminë për ekzistencën e materies. Pa kohën asgjë e universit nuk ekziston”.

Me fjalë të tjera L. Besson (sikur dhe vetë shkenca) na thotë që njerëzit nuk janë njësia “matëse” e ekzistencës. As bota jonë dhe as ekzistenca e universit që na rrethon nuk qeveriset nga ligjet matematikore kozmike. Nuk ekzistojnë as numrat as germat. Koha na e jep dëshminë për ekzistencën e materies, por nuk qeveriset as me numrat as matematikisht. Dmth. sipas Besson (dhe sipas shkencës po ashtu), pa kohën s’ka ekzistencë, koha është uniteti i “slideve” të makines, prandaj e shohim atë në shiritin filmik. Anise as Besson nuk mërzitet shumë për “kohën”, shumë më tepër qe mërzitur dikur Hawking. As Besson nuk na e “sqaron” ç’është koha. Edhe ky na thotë që “koha është kohë”, ngjashëm siç na e pati thënë edhe Ajnshtajni, edhe Hawking…

Nga ana tjetër mençuritë e Ajnshtajnit na flasin që nëse diç të përshpejtohej deri në “konstantën” universale të dritës, atëherë koha do ndalej, do stoponte. Sa më e madhe shpejtësia jonë (ose e vëzhguesit), aq më shumë do ngadalësohej koha. Nëse ta shpejtonim pafundësisht videon e makinës na sugjerohet se dhe ekzistenca e “makinës vizuale” stopon…

E qartë, filmaxhinjtë e Hollivudit na i rrëfejnë “storiet” e tyre me tropet verbale e vizuale – me mjetet e artit filmik. Ata nuk na flasin me mjetet e gjuhës pikturale. Sipas pikëpamjes fanta-shkencore të Besson (dhe të shkencës reale po ashtu) na del që secila foto e shkrepur nga miliarda foto-aparate, dhe secila pikturë e piktorëve të kësaj bote… është thjesht 1 fletë e “slide”, 1 fletë e gozhduar diku në murin e ekzistencës, 1 fletë statike. Ndërsa me miliona filma të Hollivudit, me miliarda video të Youtube, të Vimeo etj. ndoshta na qenkan shembuj të “slideve” aktive, shembuj të kohë-ekzistencës : )

Projekti tjetër me buxhet qindramilionësh i Hollivudit, që desha ta prek sadopak është “Jupiter Ascending” (2015) i vëllëzërve-motrave Wachowski.
Për dallim nga L. Besson, skenaristët (apo skenaristet, meqë transgjinorë) Lana dhe Lilly Wachowski nuk e lodhin kokën se ç’është koha, as ç’është ekzistenca. Me një lloj “ikjeje të sforcuar fantastike” kohën e kanë thjesht si temë “figurative” të filmit, nuk filozofohet rreth kohës si “kohë”.
Sipas tyre, familjet mbretërore që e qeverisin Universin mund të posedojnë gjithçka, e edhe “kohën” (deri në njëfarë mase). Panumër planete janë pronë e tyre, përfshirë dhe Toka, ku ata e vjelin “kohën”, e cila iu duhet për ta zgjatur jetën e tyre të shtrenjtë. Respektivisht planetet janë diç si fusha të “mbjellura” me jetë, substanca që krijohet nga jetët e miliona njerëzve atyre ua mundëson zgjatjen e jetës deri në disa shekuj, ndoshta dhjetë… e më shumë shekuj. Tokësorët nuk janë në dijeni se njerëzit në Tokë (dhe të planeteve të panumërta, skaj më skaj kozmosit) janë sjellur në jetë nga familjet mbretërore alienike, me qëllim pastaj kur t’jetë koha, kur frutat të jenë të gatshëm për “vjeljen”, me “lëngun e jetës” njerëzore të prodhohet një lloj “serumi i rinimit” për elitat mbretërore kozmike. Duhet shumë lëndë e parë për pakëz “rinim” (meqë nuk e dimë saktë le të supozojmë për hir të fantazisë : ) – ndoshta për 100 gr mrekulli të “rinimit” duhen vjelur jetët e qindramiliona njerëzve, ndoshta do nevojiteshin jetët e gjysmë miliardi evropianëve për rinimin e një princeshe Europa të kozmosit.
Mua vetë s’ma merr mendja, një padrejtësi të tillë ndaj krijesave të pafajshme njerëzore, ndaj engjëjve të Universit, s’do ta bënte as vetë Zeus-Valentiniani, paçka se i dashuruar deri në vesh në Europen e vet : )

Si alegori për “kohën”, bashkëngjitur disa piktura të artit klasik:
– Pompeo G. Batoni (1708-1787) – Koha e detyron Moshën për ta rrënuar (prishur) Bukurinë, 1746
– Donato Barcaglia (1849-1930) – Bukuria (Rinia) duke tentuar ta ndalë kohën, 1884

– Pierre Mignard (1610-1695) – Koha duke i prerë krahët Kupidonit, 1694
– Pompeo G. Batoni (1708-1787) – Koha duke i prerë krahët Kupidonit

Figurativisht, gjatë historisë alegoria më e zakonshme për paraqitjen e kohës ishte një burrë i vjetër e i dobët, pothuajse lakuriq, me një pelerinë blu, mjekërbardhë e flokëbardhosh po ashtu, me flatra siç i kanë dhe engjëjt, e që flatrat përfaqësojnë shpejtësinë e rrjedhjes së kohës, plaku-xhufurraku ose “babai i kohës” ndonjëherë mban një kosë ose dhe orë rëre, simboli i parë nënkupton fuqinë shkatërruese të kohës, dhe simboli i dytë (ora) nënkupton rrjedhjen e vazhdueshme të viteve. Gjithsesi, koha është përfaqësuar dhe me alegori tjera të ndryshme, si psh. e njohur është alegoria e gjarprit i cili e kafshon bishtin e vet, duke nënkuptuar ciklin e përjetshëm të viteve si dhe po ashtu ciklin e pafund të ekzistencës; ose alegoria e përbindëshit me tre krerë, ujku (e kaluara), luani (e tashmja) dhe qeni (e ardhmja); ose njihet dhe alegoria e drurit të plepit, gjethet e të cilit janë të bardha në njërën anë dhe ngjyrë kafe në anën tjetër, lëvizja e vazhdueshme e gjetheve të plepit do duhej të nënkuptonte ndërrimin e vazhdueshëm të ditë-natës… etj.

[ shih po ashtu dhe: Gjuha dhe Faktori “Kohë” në Narrativen Pikturale! ]