Valhalla-t e Mitologjisë, dhe ato të Hollivudit!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2019 (pak fjalë…)

Në mitologjinë nordike Valhalla është vendi ku heronjtë e vrarë në betejat besohet pastaj të festojnë përjetësisht me perëndinë Odin. Ky është dmth. Kryezot, ose zot suprem dhe krijues, zoti i fitores dhe i të vdekurve.
Valhalla është një holl madhështor në (krye)qytetin Asgard, i cili sundohet nga perëndia Odin. Para hollit Valhalla qëndron pema e artë Glasir, ndërsa tavani i hollit është i veshur me mburoja të arta.

Caktuar nga vetë Odin, gjysma e atyre që vdesin ndër betejat apo në ndërmarrjet luftarake të mbretërve, do të akomodohen në Valhalla, aty do t’mbërrijnë të përcjellur ose të shoqëruar nga Valkyritë*. Ndërsa gjysma tjetër shkojnë në fushën Folkvangr të perëndeshës Freija.

Në Valhalla, të vdekurit bashkohen me ata që kanë vdekur dmth. para tyre nëpër luftime heroike, me heronj të ndryshëm legjendar germanikë dhe me mbretër, ndërsa përgatiten për ta ndihmuar perëndinë Odin rreth ngjarjeve të Ragnarok.

* Valkyri – secila nga dymbëdhjetë shërbëtoret e Odin, sipas mitologjisë nordike* kur një luftëtar vdese në betejë, njëra nga Valkyritë e shoqëron atë për në Valhalla

* …ose sipas mitologjisë skandinave – mirëpo termi duhet kuptuar më gjerësisht për fiset e lashta germanike, psh. vetëm pesë vendet nordike Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia dhe Suedia së bashku e përbëjnë “Skandinavinë” – andaj më rrumbullakësuese do ishte nëse thuhet “mitologjia germanike” – mitologjia germanike së bashku me mitologjinë greke, romake, egjiptase (mitologjia nordike bën pjesë në mit. germanike) është njëra nga më të njohurat ndër popujt e Evropës Perëndimore.

Figurativisht, gjatë historisë Valhalla është prezantuar ose paraqitur nëpërmjet panumër grafikash e pikturash, gjithsesi sa i përket hiper-realizmit vizual zor se mund të shtyhet kush me imagjinatën hollivudiane. Mua herë pas here sikur më pëlqen të bëjë “paralelizime” mes imagjinatës “origjinale, naive apo të thjeshtë” (nga lashtësia mitologjike) dhe me imagjinatën “moderne”, hibridizuar e sforcuar me vizionet futuriste të industrisë së Hollivudit.

Një nga shembujt më të bukur për ta ilustruar këtë ndoshta do ishin skenat e Valhalla, si dhe skenat e vetë qytetit super-madhështor të perëndisë mitologjike Odin, Asgard – aty ndodhet froni i tij dhe nga aty ai sundon. Filmat e dekadës së fundit, ardhur nga “fletoret vizatimore” të Marvel, me emrin e përbashkët “Thor” (i biri i Odin, me çekanin fluturues) janë dëshmia më e kulluar e buzëqeshjes sime : )

(ngjitur disa pamje të Asgard, të Valhalla, të Odin etj. dmth. sipas Hollivudit)