“Walhalla” (Valhalla), Memoriali në Regensburg, Gjermani

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2019 (pak fjalë…)

Emërtuar sipas termit “Valhalla” nga mitologjia nordike, Walhalla është një Partenon Përkujtimor, një Holl i Famës, ndërtesë në stilin “neoklasicist” ndërtuar në një kodër skaj lumit Danub, afër Regensburg, Bavari. Memoriali qe konceptuar në v. 1807 nga Princi Ludwig, ishte diç si mbështetje e momentit “inercial” historiko-politik rreth bashkimit të shteteve-provincave gjermane. Punët e ndërtimit zgjatën nga v. 1830 deri 1842, nën mbikëqyrjen e arkitektit Leo von Klenze.

Walhalla është modeluar sipas Partenonit të Athinës dhe strehon buste e pllaka të shumta që përkujtojnë gjermanët e famshëm, njerëz të lavdishëm e të shquar të historisë germanike; politikanë, sovranë, shkencëtarë dhe artistë të sferës gjermanishtfolëse, por dhe më gjerë. Përkujtimorja përfshin rreth 130 buste dhe 65 pllaka të cilat i mbulojnë 2000 vjet histori, duke filluar nga Arminius (kryetrimi fitimtarë mbi romakët në Betejën e Teutburg në v. 9 t.e.s., betejë vendimtare e cila sikur do ta definonte “kursin” e historisë, për Romën e fuqishme fiset e lashta germanike nën udhëheqjen e Arminius do ishin të “panënshtrueshme” ose Germania për Romën ambicioze thjesht do ishte “terra incognita” – dmth. përkujtimi fillon që nga fiset e lashta e tribalizmat germanik, e tutje si nderim historik e “kapërthen” çdokend që pretendon sadopak prejardhje gjermane, apo të ketë qenë disi i “lidhur” me historinë gjermane.

Duke kërkuar për fotot, në një postim të v. 2015, Christoph Nahr ishte shprehur “…bustet e pllakat janë shtuar duke ndjekur një përkufizim mjaft të lirshëm të “gjermanëve” – dhe pra fare i saktë përkufizimi i tij, pasi ndër bustet e pllakat ka psh. dhe emra nga historia e Britanisë, e po ashtu psh. është prezent dhe busti i N. Kopernikut.

Nga Christoph Nahr i huazoava dhe fotot (pasi lejohej përdorimi pa restriksione), në fakt Nahr i kishte bërë fotot më të detajuara të busteve e të memorialit në përgjithësi, diç më komplete si prezantim fotografik të “Walhalla” s’kam parë askund tjetër në Internet. Tutje, në komentin e vet Nahr ishte shprehur:
“…nga Kajzeri (Perandori) Barbarossa e deri tek Ludwig van Beethoven-i janë aty, por dhe mjaft figura të panjohura që vetëm historianët e specializuar do t’i njihnin sot. Bustet janë shtuar vazhdimisht nga qeveritë e ardhshme bavareze, kështu që mos u befasoni nëse ta shihni dhe Albert Einstein apo Sophie Scholl…”. Dhe vërtet, ndër bustet në “hollin e famës gjermane” figuron dhe ai i Ajnshtajnit.

[ Fotot: Christoph Nahr ]