Victor Hugo: “Një Ananke e trefishtë”! (Zanafilla Fataliste)

Lidhur me zjarrin në Notre-Dame padyshim e gjithë bota do jetë shqetësuar nga dhimbja, është fatkeqësi e madhe kur trashëgimia kulturore (pothuaj 1 mijëvjeçar e vjetër), pasuria e mbarë qytetërimit gllabërohet nga flakët, qofshin aksidentale, qofshin të pakujdesisë, të neglizhencës apo dhe qofshin të “qëllimshme” (të paramenduara – pasi, natyrisht, asgjë s’duhet përjashtuar në këtë botë tejet komplekse të ngatërruar nga interesat e nga paraja).

Hera e fundit kur katedralja pati pësuar dëmtime serioze ishte gjatë Revolucionit Francez, godina i pati mbijetuar edhe rrëmujat e “Komunës…” së vitit 1871, si dhe 2 luftrat botërore. Dhe vetëm të shkohet nëpër mendje: 8 shekuj e vjetër, si simbol kulturor dhe si trashëgimi, e gjithë bota mbarë krenohet me një aso mrekullie madhështore, me një aso perle arkitekturale… ose thjesht dhe vetëm vjetërsia na e përkujton rishtas një lloj “mrekullie në vetvete”, katedralja u shpëtoi madje zjarreve të 2 luftrave botërore, të gjitha bombave e predhave, tani qoftë dhe si pakujdesi e rutinave gjatë renovimit… e pamundur t’mos kaplohet njeriu nga dhimbja e nga keqardhja.

Një mik nga Franca, Roland Çipa, i pllakosur nga keqardhja për fatkeqësinë në fjalë, dje e kishte ripostuar një copëz të parathënies nga Victor Hugo (për librin “Zoja Jonë e Parisit” (Notre-Dame de Paris) – parathënie e përkthyer nga Rolandi në v. 2013), në të cilin tekst Hugo e përmend fjalën ΆNΆГKH dhe thotë se i gjithë libri ndërtohet mbi atë fjalë, Hugo pati shkruar se “…kështu veprojmë prej dyqind vjetësh me kishat e mrekullueshme të mesjetës. Ato gjymtohen nga të gjitha anët, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë. Prifti mbush të çarat, arkitekti i gërryen dhe pas tyre vjen populli që i shkatëron”!

Rolandi po ashtu shtoi se “në sajë të jehonës që pati libri atëherë, dhe të problemeve që ngre Hugo për ruajtjen e katedrales, qe vendosur që ajo të riparohej. Edhe tani pas fatkeqësisë me zjarrin, libri i Hugo ka dalë në krye të shitjeve që të hënën…”

Lidhur me fjalën ΆNΆГKH, dje shtova tek postimi i Rolandit si vijon:

Victor Hugo: “Një Ananke e trefishtë”!
S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2019

Në librin “Notre-Dame… ” V. Hugo e përmend fjalën “Ananke” shkruar nga një dikush para shumë shekujve (nga Dom Frollo) në ndërlidhje me zanafilloren e mitologjikave, mendoj unë. Edhe dikur Dom Frollo, por edhe Hugo referohet në zanafillën fataliste, në vetë “gjenezën” e domosdoshmërisë jetësore. Pasi “forcë, shtytje, detyrim, domosdoshmëri” jetësore, dmth. sipas mit. greke Ananke është personifikim i pashmangshmërisë, i detyrimit dhe i domosdoshmërisë jetësore.

Në librin “Toute la Lyre” Hugo po ashtu e përmend Ananke, kësaj radhe si simbol të dashurisë, libri ishte si përmbledhje vjershash (përfshinte dhe aso të dashurisë shkruar nga ai… të dashures së vet), publikuar post mortem… “Një ananke e trefishtë peshon mbi ne, “ananke” e dogmave, “ananke” e ligjeve, dhe “ananke” e gjërave” – pati thënë.

Sipas Hugo janë tri fatalitete që e “mbështjellin” dhe e ngjizin njeriun, në këto të trija përzihet e zihet fataliteti i brendshëm, si “ananke” supreme, Zemra e Njeriut.
Feja, shoqëria, natyra; këto janë tri luftrat e njeriut. Tre konfliktet janë, në të njëjtën kohë, tri nevojat e tij: është e nevojshme që ai të besojë, prandaj kemi tempullin; e nevojshme që të krijojë, prandaj kemi qytetin; e nevojshme që të jetojë, kështu që kemi plugun (të lërojë) dhe anijen (të lundrojë). Mirëpo këto tri zgjidhje përmbajnë në vetvete tre konflikte. Vështirësia misterioze e jetës buron nga të trija. Njeriu duhet të merret me pengesat në formën e bestytnisë, në formën e paragjykimeve dhe në formën e elementeve. Një “ananke” e trefishtë peshon mbi ne, “ananke” e dogmave, “ananke” e ligjeve, dhe “ananke” e gjërave“. – (V. Hugo – Toute la Lyre)

Ananke e trefishtë… sepse Hugo referohet në zanafillën fataliste, në vetë “gjenezën” e domosdoshmërisë jetësore, ai e “përmbledh” Ananke si amësoren e Tri Perëndeshave të Fatit. Atropa, Lakezia dhe Klotoja (quheshin Tri Perëndeshat e Fatit Jetësor – të njohura si Moirada), anise thuhet se ato ishin vajzat e Niksit (Natës) dhe të Erebusit (Errësirës), Platoni pati thënë se Moiradat ishin vajzat e Ananke. Vetëm Moiradat, tri vajzat e saj mund të “uleshin” në fronin e Ananke, dhe vetëm ajo (nga të gjitha hyjnitë e mundshme) mund t’i kontrollonte ato, ose vendimet e tyre.

Sipas mit. greke, perëndeshat që kujdeseshin për fijet metaforike jetësore të çdo individi (që nga thirravaji i parë i lindjes, e deri në vdekje) ishin Atropa, Lakezia dhe Klotoja. Atropa duhet përjetshëm të merrej me një palë gërshërë për ta prer fillin e Jetës njerëzore. Lakezia duhet të kujdesej për matjen e fillit të Jetës, ndërsa më e reja dhe më e bukura nga to, Klotoja (si përfaqësim i freskisë, i bukurisë rinore e madje dhe i virgjërisë), duhet të merrej me endjen e fillit të Jetës.

Sipas Hesiodit perënditë dhe perëndeshat e para të lindura nga hiçasgjëja e Kaosit ishin Gaja, Tartarusi, Niksi, Urani, Erosi, Erebusi, Hemera. Mitologjia greke “rrumbullakësohet” dmth. me hyjnite zanafillore (siç i cekëm), prej tyre Gaja dhe Urani i lindën perënditë pasardhëse, Titanët dhe Ciklopët. Tutje pas këtyre tyre erdhën Zeusi, Poseidoni, Hadesi, Hestia, Hera, Demetra, këta dhe do t’i përmbysnin Titanët (baballarët), grindavecllëku dhe luftrat e perëndive mitologjike përfundojnë pra me fitoren dhe me sundimin e Zeusit.

Mirëpo… “logjika” e mitologjisë thua se na sugjeron se Ananke e karakterizonte vetë fillin e Kozmosit, së bashku me vëllain dhe bashkëshortin e saj, Kohën (Kronosi zanafillor, dmth. personifikimi i kohës) – pa Ananke dhe pa Kronosin s’do kishin lindur as Gaja (Toka), as Urani (Qielli), as Erosi (Dashuria), as Niksi (Nata)… etj etj, dmth as vetë perënditë e zanafillës.

– – – shih po ashtu – – –

1 – Henry S. Mowbray (1858-1928) – Fati (ose Endëset e Fatit), 1896
2 – Trini-Hyjnorja Mitologjike – Tri Perëndeshat e Fatit! (S. Guraziu – Ars Poetica, P 2018)
3 – Walter Crane (1845-1915) – Ura e Jetës, 1884

– – – me poshtë teksti i V. Hugo, përkthyer nga Rolandi – – –

Viktor Ygo – Zoja jonë e Parisit (parathënie)

Para disa vitesh duke vizituar, ose, më mirë të themi, duke gërmuar në katedralen “Zoja jonë”, autori i këtij libri, pa në një cep të errët të një prej kullave, këtë fjalë të gdhendur me dorë në mur : ΆNΆГKH (Anankhé) – fatalitet.
Këto shkronja greke të nxira nga vjetërsia, të gdhendura thellë në gur, disa nuk e di se çfarë shenja tipike të bukurshkrimit gotik me forma dhe qëndrime të spikatura, sikur donin të tregonin se ato ishin shkruajtur aty nga një dorë mesjetare, dhe mbi të gjitha kuptimi makabër dhe fatal që ato mbartnin në vetvete, e tronditën thellësisht autorin.
Ai pyeti veten dhe donte ta gjente se kush mund të ishte ai i shpirt i sakatosur që nuk donte të ikte nga kjo botë pa lënë këtë shenjë krimi apo fatkeqësie në gjirin e kishës së vjetër.
Që prej asaj kohe muri u mbush apo u gërrye (nuk e di mirë se çfarë), dhe shkrimi u zhduk. Në këtë mënyrë veprojmë që prej dyqind vjetësh me kishat e mrekullueshme të mesjetës. Ato gjymtohen nga të gjitha anët, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë. Prifti mbush të çarat, arkitekti i gërryen dhe pas tyre vjen populli që i shkatëron.
Kështu, sot nuk ka ngeluar asgjë nga fjala misterioze e gdhendur në kullën e erët të katedrales, asgjë nga fati i panjohur që ajo përmblidhte aq hidhërisht, përveç kujtimit të vagët që i kushton asaj autori i këtij libri. Ai që e shkruajti këtë fjalë në mur, u zhduk para disa shekujsh, në mes të brezave të shkuar. Fjala nga ana e saj u zhduk nga muri i kishës. Kisha do të zhduket ndoshta së shpejti nga faqja e dheut…
Ky libër është ndërtuar mbi këtë fjalë.
Paris shkurt 1831
[ Shqipëroi Roland Çipa, Francë ]