Nuk ka viktimë “të fajshme”!? Problemi me fjalën “viktimë-a”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Mars 2014 (Koment – Logjikisht, s’ka akull të shkrirë, dhe as borë të ngrohtë)

| – – Fjala “viktimë-a”, e cila ka prejardhje latine dhe që përdoret në shumë gjuhë indoevropiane, përdoret dhe në gjuhën shqipe. Mirëpo çuditërisht s’është në asnjë fjalor të gjuhës shqipe(!).
Nejse, s’do merremi me këtë problem, nëse të hynim në këtë fushë do na merrte mjaft kohë për ta shqyrtuar. Ajo çfarë desha të them është se shpesh kjo fjalë del (në të shkruar dhe në të folur) gabim. Cili është kuptimi i kësaj fjale? Kuptimi është: “Lëndimi a vrasja e një njeriu (apo shtaze) si rezultat i krimit”.Pra viktimë quhet personi i pafuqishëm përballë një force, përballë një dhune dhe si rezultat viktima pëson dëm, plagoset ose zhduket fare. Në gjuhën e shtypit dhe të mediave të tjera shpesh mund të hasen konstrukte si “…u vranë ose u masakruan shumë viktima të pafajshme”(!). Së pari, duhet të kihet parasysh, vetë fjala “viktimë” e ka në vete dhe pjesën “e pafajësisë”. Nuk ka viktimë “të fajshme”!? Do ishte njësoj sikur të themi “akull i ngrirë” ose “borë e ftohtë! Logjikisht, s’ka akull të shkrirë, dhe as borë të ngrohtë?! “A ka akull të shkrirë dhe borë të ngrohtë?!” – – |
(nga artikulli i autorit S. Islami, “Gëzimi i fëmijëve apo fëmijët e gëzuar?”, 2010)

***
Më vajti buza në gaz, sepse mendoj që e kuptoj autorin. Të thuhet “akull i ngrirë” ose “borë e ftohtë” bën të thuhet, në rrafshin gjuhësor s’prish gjë punë, kjo ka të bëjë vetëm me shtresëzimet kuptimore – mendoj unë.

Nëse përdoret diç e tillë, atëherë krijohet e ashtuquajtura “pleonazmë”. Për “gjuhën teknike” pleonazmat pakashumë janë diç si ripërsëritje e “logjikës” (do shprehesha tani). Dhe natyrisht, vetëm nëse t’na përvidhen, përndryshe duhet… ose pritet nga ne që ta pastrojmë tekstin sa më shumë (kjo sikur dhe vetëkuptohet).

Mirëpo për “gjuhën poetike” vlejnë ca tjera “ligje”, mendoj se pleonazmat shpesh përdoren qëllimisht në figuracionet poetike.
Anise është absolutisht e pafajshme nëse në ndonjë vështrim të ishte si “vërejtje” nga cilido teknik i gjuhësisë (meqë nuk pritet që teknikët të zhyten aq-aq në gjuhën poetike, atyre iu interesojnë elementet teknike të gjuhës)!

Psh. është pikërisht diç e tillë si “problem” (shembulli i pleonazmave) dhe pastaj thuhet që është i “vështirë përkthimi i poezive”. Ta përkthesh një tekst është e lehtë por jo dhe “gjuhën poetike” të shumë poezive (sepse kuptohet, jo të gjitha poezitë janë të ndërlikuara). Vjershat psh. përkthehen shumë më lehtë, proza etj. Prandaj dhe ajo thënia e mirënjohur që “…poezia më së shumti humbet, tretet, avullohet… gjatë përkthimit”.