Rikthimin e vizave duhet parë si “sinjal politik” për Shqipërinë!

S. Guraziu – Ars Poetica, 20 Prill 2019 (Koment)

(gjithçka që vendosin holandezët na qenka për “konsum të brendshëm politik” – mos vallë gjithçka që thonë e bëjnë politikanët shqiptarë na qenka për “eksport… për konsum të jashtëm”)

Vendimi i Holandës për rikthimin e vizave me Shqipërinë, natyrisht s’është shenjë e mirë! Gjithsesi, dhe aq “tragjike” po ashtu nuk është. Përdorimi i vizave është vetëm si masë paraprake për të “evituar” diç të padëshirueshme, sipas meje është thjesht një “sinjal politik” për Shqipërinë. Sipas “Vizion Plus”, vendimin e Parlamentit të Holandës, mazhoranca në Tiranë nuk e shihka shumë shqetësues, pasi të gjitha shifrat treguakan që nuk ka asnjë numër në rritje të shqiptarëve të përfshirë në krime apo si azilkërkues. Per Mimi Kodhelin (Kryetare e Komisionit të Jashtëm) disa vendime të qeverive të ndryshme të EU, janë thjesht “për konsum të brendshëm”, s’duhet brengosur, është thjesht “sa për konsum politik të vetë Holandës – sipas saj.

Nga ana tjetër, atëherë pra dhe retorika e shqiptarëve (e Kodhelit psh., si dhe e të gjithëve… që unë i kam dëgjuar a lexuar këto ditë) qenka njësoj, thjesht “bla, bla, bla… për konsum të brendshëm”! Nëse konsumi i brendshën holandez ekzistuaka, atëherë pra Shqipëria s’paska fare “konsum të brendshëm”, apo si! Mos vallë gjithçka që thonë e bëjnë politikanët shqiptarë na qenka për “eksport… për konsum të jashtëm”?!

Mirë qasja pozitive në media, mirë që s’merren me banalitete verbale dhe që flitet me doza të larta të “vetëbesimit”, ama faktin e konsekuencave të “vizave” e vuajnë populli… jo politikanët e as pushtetarët. Ka 20 vjet që politikanët shqiptarë merren me “konsum të brendshëm politik, me deklaratash”, me përrallash e me dozash ad hoc. Përndryshe vallë pse u stërzgjat kështu, znj. Kodheli vallë pse kaq e gjaaaaaaatë “EU-rruga shqiptare”! S’kam harruar, e di fort mirë se ç’thoshin politikanët shqiptarë para 20 viteve. Nëse vazhdoni me të njëjtin “konsum të brendshëm deklarativ” kam frikë do kalojnë dhe 20 vite të tjera, ju thjesht e “mbani popullin për hunde”, tash e 20 vjet.

Në një artikull të “Trouw-NL”, Jeroen Doomernik (studius i çështjeve dhe i politikave të migracionit pranë UA – Universiteti i Amsterdamit) qenka shprehur se “shifrat e shqiptarëve (shifrat si shifra) s’thonë dhe aq shumë… Shifrat janë vetëm kur njerëzit vijnë në kontakt me autoritetet, atëherë nëse t’jenë arrestuar ose kur aplikojnë për azil. Mirëpo shumica e shqiptarëve do t’i shmangen autoriteteve…”

Më bëri përshtypje ky detaj i vogël, pasi sikur e shpalos gjithë të vërtetën aktuale. Padyshim z. Doomernik aludon: sepse ata e dinë që aplikimi për azil nuk do t’pranohet, qëllimi i tyre NUK është azil-kërkimi, situata në Shqipëri nuk është aq alarmante, aq keq gjërat në Shqipëri dhe s’janë, askush s’është i kërcënuar për “politikat”, askush s’vuan nga “diktatura” si dikur, askush s’është i ndjekur për arsye të besimit, fesë, racës, preferencave seksuale etj.).

Shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e BE dhe mund të qëndrojnë për tre muaj, ata nuk do të gjenden në statistikat… ” – paska thënë z. Doomernik. Dhe pra kjo s’do të thotë që Holanda dhe vendet tjera të EU nuk ballafaqohen me ndonjë “problem”, shifrat janë vetëm atëherë kur personat vijnë në kontakt me autoritetet.

Në Holandë janë të regjistruar vetëm 800 shqiptarë. Megjithatë policia e vlerëson numrin aktual: 20.000. Policia dhe Ministria e Drejtësisë së Holandës i ranë alarmit sepse shumë prej tyre janë aktivë në qarqet kriminale.” – shkruante “Elsevier”, “De Telegraaf” e media të tjera holandeze 1, 1/5… a 2 vite më parë.

Zonjës Kodheli mund t’i them se: unë vetë si shqiptar i rëndomtë e di që “vendimi i Holandës” është i bazuar në fakte dhe në analiza reale, s’është për konsum të brendshëm politik dhe madje s’do çonte fare peshë. Çështja “shqiptare” është aq e vogël për Holandën (nëse e keni fjalën për brengat holandeze lidhur me kriminalistikat dhe me të huajt, shqiptarët janë si të thuash “1 pikë e vockël në det”…).
Vendimi i Holandës padyshim duhet t’jetë diç si “sinjal” për juve!