Vetëdjegia si Sakrificë dhe si Jodhunë kundër “Gjenocidit Kulturor”!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2019 (koment…)

Dikur në v. 1963, fotot e Malcolm Browne (ShBA) e patën tronditur botën, fotot e tij “flisnin” për një murg budist i cili i vë zjarrin vetes për vdekje duke protestuar kundër politikave fetare të qeverisë vietnameze. Thuhet se atëbotë, murgu s’pati lëshuar asnjë zë, madje as nuk pati lëvizur gjatë kohës që digjej. Djegia është sakrificë e tmershme, vënie në altar e më të skajshmes aq brutalisht.
Me rastin e sulmit terrorist në v. 2001 në New York, nga flakët brenda “Twin Towers”, njerëzit më parë zgjedhin kërcimin drejt vdekjes nga atje lart, nga katet e “qiellit”… sesa të ballafaqoheshin me flakët. Zjarri është vdekje tmerrësisht e “rëndë”.

Tani vetëm brenda 1 dekade, flitet për rreth 150 vetëdjegie të tilla protestuese. Jashtëzakonisht e dhimbshme!

Për ta kundërshtuar sundimin dhe politikën kineze, si “klithma dëshpëruese” për vëmendjen e botës, tibetasit i vëjnë zjarrin vetes dhe digjen sëgjalli. Ndër raportimet rreth protestave të ndryshme të tyre, nga viti 2009 deri 2017 janë konfirmuar rreth 150 vetëdjegie. Organizatat rreth Lëvizjes për Pavarësinë e Tibetit thonë se aktet e tilla të vetëdjegies janë afirmim i identitetit tibetas, përballë “gjenocidit kulturor” të aparatit politik kinez.
Lidhur me pyetjen nëse tibetasit “janë duke e humbur durimin e tyre me jodhunën”, për mediat australiane Dalai Lama qe shprehur: “…nuk përdorin eksploziv si terroristët për t’vrarë njerëz të pafajshëm, ata e sakrifikojnë vetëm jetën e tyre, kështu që vetëdjegia është pjesë e praktikës së jodhunës”.

(Fotot)
Në Mars të v. 2012, Jamphel Yeshi, një i mërguar 26-vjeçar nga Tibeti në Nju Delhi, i vuri vetes zjarrin duke protestuar kundër vizitës në Indi të Presidentit të Kinës, Hu Jintao. Ai më vonë vdiq në një spital, më 28 Mars 2012. Zyrtarët e spitalit patën sqaruar se mjekët nuk qenë në gjendje ta shpëtonin, viktima kishte djegie që mbulonin 90% të trupit.

[ Fotot & Infot: Manish Swarup / Associated Press / Wikiwand / Agence France-Presse / Global Press ]