Thorvaldsen – Kali i famshëm i Aleksandrit të Madh!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2019 – Pak fjalë

Kali i Aleksandrit ishte Bukefali. Për nder të kalit (i cili pati ngordhur pas betejës) në v. 326 pes. Aleksandri e pati themeluar një qytet duke e quajtur me emrin e vet dhe të kalit së bashku, diç si Aleksandria Bukefalia.

Bertel Thorvaldsen (1770-1844) – Hyrja Triumfale e Aleksandrit të Madh në Babiloni, 1818-28

Friza e mermertë e skulptorit danez të Neoklasicizmit, Bertel Thorvaldsen, “Hyrja Triumfale e Aleksandrit të Madh në Babiloni” (versioni në Vilën Carlotta, Itali), konsiderohet një nga kryeveprat më të bukura të skulpturës evropiane të shek. XIX.

Në frizën e Thorvaldsen e shohim kalin e famshëm të Aleksandrit, Bukefalin, dhe dy persona tek përpiqen ta qetësojnë. Legjenda thotë se babai i Aleksandrit, Mbreti Filip i Maqedonisë, e kishte blerë një kal të mrekullueshëm por ishte e pamundur për ta zbutur, kështu që mendonte t’ia kthente shitësit. Aleksandri i ri, ende adoleshent, ishte i vetmi në gjendje të qetësonte kafshën, duke kuptuar se shkaku i nervozizmit të kalit ishte frika nga vetë hija e tij. Një ditë ia doli t’i hipte dhe kali do ishte i qetë. Që nga ajo ditë, Bukefali dhe princi Aleksandër do t’ishin të pandashëm, gjithnjë së bashku ndër betejat, deri në përplasjen e fundit të ushtrisë maqedonase kundër mbretit Porus të Indisë, në v. 326 pes, në një zonë diku mes Indisë dhe Pakistanit të sotëm.

Për nder të kalit të vet, në atë rajon Aleksandri e pati themeluar një qytet duke e quajtur me emrin e vet dhe të kalit së bashku, diç si Aleksandria Bukefalia.
Shkollarët thonë se Aleksandri i themeloi rreth 20 qytete, por gjithashtu i riquajti shumë qytete të tjera me emrin e vet (Aleksandria, herë duke ua vënë emrave si parashtesë). Sipas Plinit (të Vjetrit) gjithsej rreth 70 qytete kishin të “bënin” me emrin e tij.